Jo vetëm festat “vishen” me dekore…

0
1,129 lexime

Të gjithë kemi menduar, para pushimeve dimërore, se pema juaj e Vitit të Ri apo edhe ambientet e shtëpisë suaj kërkojnë zbukurime të reja dhe i jemi drejtuar asaj çfarë tregu na ofronte për t’i blerë ato. Madje vitet e fundit mundësitë për zgjedhje ishin shumëfishuar. Por, tashmë mund të themi se ky mit i vjetër, i të blerit zbukurime veç për festat e fund-vitit, pavarësisht se zë një pjesë të madhe, duket se ka rënë. Shqiptarët tashmë, nuk kanë vetëm bredhin për të zbukuruar…

Nga: Deada Hyka

Në kushtet ku zbukurimet konsiderohen si aksesorët e fundit të blerjeve tërësore në ambiente të ndryshme, duket se këta aksesorë janë shndërruar fuqimisht në “qershinë mbi tortë” për zgjedhjen e shqiptarëve.
“Jumbo” ka vetëm 3 vite në tregun shqiptar dhe thuajse është e pamundur ta shikosh bosh… Panorama në hyrje të dy dyqaneve të tilla në periferi të Tiranës ofron gjithmonë një “turmë” njerëzish të cilët u janë drejtuar rafteve të ndryshme, tejet në përhumbur në atë çfarë do të zgjedhin. A kemi parë njerëz që u drejtohen “Jumbo-s” dhe dalin me shportën bosh? Secili nga ne nuk mund ta pohojë një gjë të tillë.
Ndërkaq, në zemër të Tiranës ndodhet një tjetër dyqan që ofron zbukurime për konsumatorët, ndër të tjera. “Sezon Dekor”, i cili aktualisht nuk konsiderohet sezonal, përkundrazi, sikurse administratori e pohon, është shndërruar në një destinacion për të gjithë sezonet e vitit, me dekoracione të ndryshme për shtëpi apo ambiente të tjera.
Ndërsa kompania “Iceberg Communication” është emri që fshihet pas zbukurimeve të bulevardit të Tiranës për festat e fundvitit, pas luleve për Festën e Verës në rrugët e Tiranës, si dhe e arredimit të shumë ambienteve publike dhe qendrave tregtare për çdo event të vitit.
Pse vitet e fundit shqiptarët kanë preferuar së tepërmi dekorimet dhe aksesorë të tjerë?
Ekspertët e fushës tregojnë se interesi i shqiptarëve është rritur në këtë fushë, madje edhe kërkesat e tyre kanë ardhur duke u sofistikuar, saqë një pjesë e madhe e tyre kërkojnë dekorime dhe aksesorë të ndryshëm për të gjithë ambientet e shtëpisë, si edhe për zyra.
Një tjetër fushë tek e cila duket se njerëzit janë të interesuar janë elementët zbukurues të shtëpive, sikurse janë jastëkët dekorativë, mbulesa tavolinash, si dhe vazo apo lule dekorative. Bizneset e tilla nuk kanë se si t’i mungojë edhe kjo fushë. Administratori i “Sezon Dekor” tregon se, produktet e fund-vitit kanë peshë të madhe, mirëpo të tjerat shtrihen në të gjithë vitin dhe shumë njerëz, kanë interes për këto produkte, me blerjen e një shtëpie të re apo edhe e ri-ndryshimit të arredimit. “Në dyqan njerëzit pëlqejnë edhe diçka unike dhe e marrin për ambientet e tyre. Vitet e fundit janë rritur shumë individë që blejnë për “home dekor” ashtu edhe për zyra, kopshte etj.”-thekson z. Laska nga “Sezon Dekor”.
Ndërsa pyetjes se pse shqiptarët tërhiqen së tepërmi nga dekoret, kreu ekzekutiv i “Jumbo” përgjigjet se ”ofrimi i shumëllojshmërisë është çelësi…”
A ka vërtet sukses një biznes dekorimi apo…
Një problematikë që ekspertët e konsiderojnë të rëndësishme është padyshim, sipas tyre, zhvillimi i tregut informal që konkurojnë edhe me çmime këto biznese. Megjithatë, ofrimi i cilësisë së lartë dhe shumëllojshmërisë është ajo që, këta biznese besojnë, se po i “thekson” ndër të tjerë.
z. Laska nga “Sezon Dekor” thotë se ofrimi në dyqanin e tij i shumë dekorimeve nga e gjithë Evropa, sikurse edhe “ të një pjesë aziatike shumë të dëshiruar “ i ka dhënë ngjyrimet së fundmi dyqanit të tij. Pra, konsumatorët shkojnë për të zgjedhur një set ornamentesh indiane apo të një vazo bambu tajlandeze. Çmimet e larta sjellin suksesin? Ai pohon se ka zgjedhur të sjellë në dyqan mes gamës së gjerë të produkteve, edhe mundësi për përballimin nga shtresa të ndryshme të këtyre produkteve. Në dyqan mund të gjendet një mbajtëse lule e plastifikuar prej 150 lekësh, sikurse edhe një vazo druri me motive të një trungu peme prej 19’000 lekësh.
Ndërkaq, edhe Jumbo njihet për ofrimin e produkteve të ndryshme me çmime shumë të kënaqshme për konsumatorët, të cilët rendin pas zgjedhjeve që bëjnë në sektorin e kopshtit, aksesorëve për makina, lodra, zbukurime për festa etj.
Produktet më të preferuara
Duket se festat e fundvitit me produktet e tyre më të njohura si: bredhi dhe dekorimet e tyre mbajnë vendin e parë ndër më të preferuarave për shqiptarët. Megjithatë, vitet e fundit kanë parë edhe një ndryshim të kësaj mendësie të vjetër, ku çdo festë “meriton” arredimin e duhur dhe e fundit që ka përqafuar këtë trend, është feta e halloween-it.
Ndërkaq, në dekorimet për ambientet shtëpiake, sikurse përmendet nga ekspertët e këtij biznesi, vazot, jastëkët dhe lulet janë ndër më të preferuarat.
Për sa i përket festave që kanë shqiptarët, znj. Rafaela Rica, administratore e “Iceberg Communication” pohon se një pjesë e madhe e bizneseve që bashkëpunojnë më të, si përfaqësues të shitjeve me pakicë, qendrat tregtare, kompanitë celulare etj. zgjedhin të “vishen” në festat e ndryshme të vitit, ku sipas saj, festat e fundvitit mbajnë rekordin e kërkesës dhe e gamës së produkteve dekoruese me rreth 70%, ndërkaq pjesa tjetër përfshin Shën Valentinin, Dita e Verës, Pashkët, Sezoni i Verës, Back to School, Festat e Nëntorit etj.

Intervista 1, me Administratorin e “Sezon Dekor”, z. Viktor Laska

“Shqiptarët kërkojnë detajin, pastaj shumëllojshmërinë”
sezon dekor 1. Çfarë produktesh mund të gjejnë shqiptarët në dyqanin tuaj?

Dyqani jonë ofron një shumëllojshmëri produktesh, për sa i përket dekoreve të ambienteve të ndryshme si shtëpi, kopshte dhe zyra. Gjithçka që nevojitet për një ambient komod dhe me stil. Shumë të rëndësishme janë edhe produktet e dekoreve të festave të fundvitit, të cilat janë nga më të larmishmet.

2. Ju qëndroni hapur gjatë gjithë vitit, pse ky emër?

Dyqani qëndron hapur gjatë gjithë vitit sepse synimi ynë është plotësimi i kërkesave dhe kënaqësisë për të ofruar tek klienti atë çfarë ai kërkon.
Emri “Sezon Dekor” është menduar në këtë formë sepse nga vetë stili i dyqanit ai i përshtatet më së miri. Dekore të cilat përshtaten për të gjitha sezonet. Duke ditur që dyqani funksionon në këtë mënyrë: nga periudha e janarit deri në tetor pranë ambienteve tona në ekspozojmë dekore të cilat kanë të bëjnë me arredimin e ambienteve të shtëpive, zyrave, bareve, restoranteve, kopshteve,elemente të veçanta që gjithsecili ka prejardhje apo detaje të veçanta.
Nga tetori deri në dhjetor gjithçka transformohet dhe dyqani jonë merr një pamje ndryshe. Në këtë periudhë gjithçka përqendrohet vetëm në dekoret e festave të fundvitit.
3. Çfarë kategorie produktesh preferojnë më tepër konsumatorët?

Përgjithësisht çdo dekor ose produkt që ndodhet në dyqan ka të veçantat dhe detajet e veta të cilat e tërheqin klientin. Tashmë ata janë përshtatur dhe e preferojnë stilin dhe tendencat që ne ofrojmë. Duke bërë një kategorizim mund të them se:

– Elementët e shtëpisë si: ora të shumëllojshme, vazot, kompozimet me detaje të veçanta, bambutë tajlandeze, lulet dekorative, preferohen së tepërmi.

– Produktet indoneziane kanë kërkesa po ashtu nga klientët, ato preferohen dhe kanë hyrë si një trend i ri dhe me shije në kërkesat e tyre, si mbulesa, vazo, jastëkë dekorativë etj.

– Lulet tajlandeze të Krishtlindjeve dhe Vitit të ri

– Globat shumëngjyrësh,fjongot e qëndisura dhe dekore të tjera që ofron një nga firmat më prestigjoze në botë Katherine, të cilat ne kemi dy vjet që i kemi të pranishme në dyqanin tonë janë pëlqyer së tepërmi prej klientëve.

Stili i tyre klasik, modern dhe detajet pikante që ato ofrojnë tërheqin klientët tanë. E ndarë me statistika, kërkesat janë:
40 % dekoret e Krishtlindjeve,
30 % produkte për dekor ambientesh
20 % produkte indoneziane dhe tajlandeze
10 % produktet e tjera

sezon dekor 2
4. A është biznes fitimprurës? Në cilët periudha të vitit më tepër?

Mund të themi se po, është një biznes fitimprurës këtë e tregon dhe eksperienca jonë në treg. Në çdo vit zgjerojmë gamën e produkteve tona, kjo pasi kërkesa për shumëllojshmëri sa vjen e rritet. Por kur ndërthuret edhe pasioni në këtë biznes, përkushtimi përputhet me kërkesat e klientëve, atëherë është një anë shumë pozitive si për kënaqësi, si për fitimprurje.
5. Nga vijnë produktet që ekspozoni? Çfarë ju konkurron?

Në dyqanin ne ekspozojmë dhe ofrojmë një shumëllojshmëri dekoresh me origjina të ndryshme. Një pjesë e mirë e tyre vijnë nga Evropa kryesisht: Gjermania, Belgjika, Hollanda dhe Greqi. Ne ndjekim në mënyrë të rregullt çdo panair që zhvillohet në Frankfurt 2-3 herë në vit ku njihem me kompani nga më të ndryshme ndërkombëtare. Shkëmbejmë eksperiencat, idetë njihemi me kompani të ndryshme dhe më pas shkojmë i vizitojmë dhe vendosim porositë nëpër vendet të ndryshme nga ato vijnë. Një pjesë tjetër e produkteve siç janë mobiljet e veçanta, tavolinat bambutë, jastëkët dekorativ,dekore të ndryshme vijnë nga Tajlanda dhe Indonezia. Pikërisht janë të gjitha këto detaje të ndërthurura bashkë të cilat na bëjnë që mos kemi konkurrente të mirëfilltë.

6. Çfarë konsideroni risi në dyqanin tuaj kundrejt të tjerëve?

Produktet tona janë risi për dyqanin tonë. Stili i tyre komplet i veçantë. Ne mundohemi të zgjedhim me detaj çdo produkt dhe dekor që sjellim. Mundohemi të futim trende të reja vazhdimisht shumë herë dhe unike. Ne zgjedhim detajin njëherë, pastaj dekorin.

7. Çmimet e artikujve që keni për shitje, si variojnë? etj.

Çmimet e artikujve variojnë nga më të ndryshmet. Gjithmonë mundohemi që të kemi larmishmëri dhe në çmime me qëllim që të gjithë klientët që vijnë ta gjejnë veten tek to. Fillojnë nga 150 deri te 85,000 lekë e më tej, në varësi të artikujve.
Intervista 2, me Administratoren e” Iceberg Communication”, znj. Rafaela Rica

“Dekoret janë një treg që varet nga trendet”


1. Kur i ka fillesat biznesi juaj në këtë sektor?
Në fillim të vitit 1999 e nisa këtë iniciativë, fillimisht si agjenci reklamash, më pas ndër vite vura re se klientët ishin të interesuar për dekore, i pari biznes që kam dekoruar ka qenë Vodafone, para 8 vitesh. Ai ishte hapi i parë, që na kanalizoi edhe në ofrimin e dekoreve, për biznese dhe individë, në të gjithë Shqipërinë.
2. Si ka qenë kërkesa për dekorime ndër vite?
Ka ardhur duke u rritur padyshim, nëse i referohemi dekorimeve për Vit të Ri, të paktë ishin ata që realizonin dekore në përmasa të mëdha, si qendra, rrugët, bulevardi. P.sh. Tiranën vitet e fundit e kemi parë të dekoruar sicc duhej. E njëjta gjendje ishte edhe për dyqanet kryesisht në fasada të qytetit. Me ardhjen në treg të qendrave tregtare, u rritën edhe dekorimet për festa të ndryshme, pasi ata janë klientët tanë më të mëdhenj.
3. Me çfarë lloje dekoresh keni punuar më së shumti?
Kryesisht, gamën më të gjerë të produkteve të dekorit e zënë ata për fundvit, sepse këto festa kanë më tepër traditë ku shqiptarët shpenzojnë për të dekoruar. Por pastaj, të shtrirë në harkun kohor të një viti, kemi dekoret për festën e Shën Valentinit, Dita e Verës, Pashkët, sezoni i verës nuk mbetet pa sjellë dekore të elementeve të ndryshme. Gjithashtu, më pas punohet për “Back to school”, një sezon i bukur dhe impenjativ, pas kësaj vjen Halloween, Festat e Nëntorit dhe përmbyllja Krishtlindjet dhe Viti i Ri. Për këtë të fundit, kemi kërkesa edhe nga individë, ndërsa për festat e tjera përgjithësisht biznese: dyqane, lokale, qendra tregtare. Kemi punuar edhe me dekore me tematikë, në lokale përgjithësisht, psh. Vjeshta, arredimet me një ngjyrë të caktuar etj. Ashtu edhe sikurse ditëlindje, dasma etj.
4. Kërkesat më të mëdha i keni nga..?
Përgjithësisht fokusi kryesor është te bizneset, por kemi edhe një show-room ku prezantohen edhe shitje me pakicë; e ndarë me përqindje kërkese 70% nga biznese dhe 30% nga individë.
5. Merrni pjesë në panaire të këtij lloj biznesi?
Marr pjesë vazhdimisht, pasi më duhet të udhëtoj në Evropë, në Azi, nga ku marr edhe koleksionet, sidomos të fundvitit. Edhe në rast se nuk bëjmë porosi, njihemi me tendencat më të fundit të këtij biznesi., pasi na nevojitet duke qenë se ne mbulojmë dekorimet për të gjitha sezonalitetet e vitit.
6. Ka nisur te shqiptarët tendenca e të ndjekurit të trendeve për dekorime?
Sigurisht ka ardhur në rritje, ne e kemi parë në të gjithë vitet që kemi funksionuar në këtë biznes. Madje, një pjesë të trendeve, ka ardhur edhe nga ne. Kujtoj psh. Për Halloween ekspozoja pak gjëra, gjersa erdhi koha që marrim volume të mëdha tashmë, për këtë festë e kemi vënë re se në sa pak kohë, u rrit kërkesa në treg. Më parë, nuk bëheshin dekorime për Shën Valentin, tani thuajse të gjithë bizneset e kanë sjellë.
7. Ka treg ky biznes? Dhe a keni ndonjë statistikë të kërkesave për dekorime?
Padyshim ka treg për këtë sektor, si bizneset e mëdha që ne jemi fokusuar, si shitjet me pakicë për individë. E ndarë në statistika, kërkesa qëndron aktualisht: Fundviti me 70%, pjesa tjetër për dekore të tjera.
Intervista 3, me Kreun Ekzekutiv të “Jumbo”, Toljan Papajorgji

“Çdo vit përjeton kërkesa më të larta nga konsumatorët shqiptar”
jumbo 2 1. Pse shqiptarët e pëlqejnë Jumbo-n?
Jumbo” ka lindur për Shqiptarët në 28 Nëntor të 2011 me hapjen e saj të parë në Qendrën TEG , e cila në vetvete përbënte një risi në tregun shqiptar dhe më pas me hapjen e Jumbo në QTU. I njohur përgjithësisht si marketi më i madh i lodrave në Shqipëri, sot ka ndryshuar në konceptin e të gjithë njerëzve si një market ku mund të gjejnë jo vetëm lodra, por edhe aksesorë kuzhine, produkte kancelarie, aksesorë dekorues shtëpie, veshje për fëmijë dhe prindër dhe shumë produkte të reja sezonaliteti në varësi të periudhave të vitit. Me pak fjalë Jumbo është destinacioni i njerëzve jo vetëm në periudha festash , por edhe për të kaluar një fundjavë apo një pasdite të lirë.

2. Çfarë risish solli në tregun shqiptar?

Risi përbën gjithashtu edhe organizimi dhe gama e gjerë e produkteve, me mbi 25000 kode aktive, që ky market tregton. Prej fillimit edhe ende tani, Jumbo po përjeton një periudhë suksesi i cili reflektohet dukshëm në vlera dhe gjithashtu edhe në zgjerimin e rrjetit së fundmi me Jumbo në Kosovë. Ky sukses i dedikohet më së shumti mënyrës së organizimit dhe menaxhimit, stafit profesional, të mirë-trajnuar dhe të motivuar vazhdimisht dhe patjetër që “Emri i mirë” i kompanisë mëmë ka qenë një shtysë shumë e fuqishme qysh në hapje të këtij marketi edhe deri më tani.

3. Mes gamës së gjerë së produkteve, si qëndron kërkesa për secilën nga to
Ndër kategoritë me shitje më të larta dhe me trend të parashikuar në rritje janë padyshim lodrat e femijëve , aksesorët e shtëpisë dhe sigurisht të gjitha kategoritë sezonale siç mund të jenë ato të produkteve të pashkës, kopshtarisë, të verës, kancelarisë , halloween dhe padyshim produktet dekoruese të Krishtlindjeve.
Vetëm gjatë 2014 sektori i lodrave ka pasur një rritje të shitjeve me afërsisht 30%, rritje e cila u arrit me sukses edhe në periudhën e Krishtlindjeve nga shitja e produkteve dekorative. Në total shitjet për të gjitha kategoritë janë rritur me 7.1% krahasuar me ato të 2013.

jumbo 14. Ecuria e funksionimit ndër vite
Përgjatë 2014, Jumbo ka përjetuar një periudhë suksesi e cila e përkthyer në vlera financiare na motivon edhe më tepër. Edhe pse viti që kaloi është konsideruar si një periudhë ‘krizë’ është vëne re që shporta mesatare e klientëve tanë ka mbetur pak a shumë në të njëjtat nivele si edhe në 2013.
Në tre vite të punës sonë, sfidat kanë qenë të shumta dhe mund të themi që janë pikërisht këto rezultate që na motivojnë të punojmë edhe të zgjerohemi edhe më tepër. Ne vlerësojmë shumë ecurinë e të gjitha kategorive në marketin tonë dhe punojmë shumë në aspektin merchandising për të shërbyer sa më mirë dhe shpejt klientëve.

Leave a Reply

Komento i pari!

Notify of
avatar
wpDiscuz