Shën Valentini, çfarë përfaqëson kjo festë, si lindi dhe si hyri në jetën e njerëzve dhe veçanërisht të të dashuruarve

shen valentiniShën Valentini, si çdo festë, është një manifestim gëzimi për një ngjarje të veçantë. Si një dashuri, që nuk është domosdoshmërish e lidhur me një njeri. Tradita për të festuar një festë të veçantë, i ka bazat e saj në zakonin e të fituarit të favorit dhe bekimit hyjnor, përmes ceremonive rituale, për të falënderuar të mirat materiale, për të ofruar sakrifica dhe për të thërritur mbrojtjen e hyjnive. Kjo mund të jetë për pjellorinë e tokës, për lindjen e një fëmije, për lindjen e një martese, për të larguar sëmundjet. Dhe meqë zotërit dëgjojnë, ndërhyrja e tyre e mirë kujtohet dhe rikujtohet nëpër kohëra, duke festuar kujtimin e “paktit” mes zotëve dhe njerëzve, përmes këngëve, valleve, lutjeve dhe ofertave. Festa bëhet kështu kujtesa e një ngjarjeje të veçantë dhe gëzimi për faktin se të kujton të falënderosh zotin për të mirat që të ka dhënë. Në këtë mënyrë, ne festojmë edhe ditëlindjet tona, përvjetorët e martesave, pagëzimet dhe fitoret tona, të gjitha këto, momente me kuptime të veçanta për jetën tonë.

Kjo festë nuk është një përvjetor, domethënë kujtimi është një “zgjidhje” impenjative, që gjithsecili e bën sipas mënyrës së vet. 14 shkurti është një ditë e gëzueshme dhe e këndshme feste, kjo pasi çdo Shën Valentin mund të festohet me një person të ndryshëm. Sepse Shën Valentini nuk është festa e fejesës me dikë, por e të qenit i dashuruar, është kujtimi dhe falënderimi për zotin e erosit, për plagët që na shëron ne të vdekshmëve, kur të tërhequr drejt një qenieje tjetër, biem në atë “maladie d’amour” (sëmundje dashurie), që na komplikon jetën, duke alternuar momente dalldie dhe ekstaze me kriza melankolie, ligështimi dhe vetmie, sapo i dashuri largohet nga horizonti ynë. Shën Valentini është një ditë, në të cilën njihen të dashuruarit, shumica pajtohet me ndjekjen e një zoti ndonjëherë tiran. Po, tiran, sepse dashuria mund të marrë fund dhe të dashuruarit mund të gjenden të vetmuar pikërisht në ditën e Shën Valentinit.

Qytetaria shqiptare e Shën Valentinit

Vetëm pak vjet më parë, diçka më shumë se para një dekade, festa e të dashuruarve mori qytetarinë e një feste të vërtetë edhe për shqiptarët. Aq shumë ra në sy kjo, sa “të rriturit” mendonin se kjo ishte një festë krejtësisht rinore, thuajse “e ndaluar” për ta. Kjo, për shkak të mosnjohjes së festës, historisë dhe domethënies së saj. Ashtu siç ka ndodhur me shumë ngjarje të tjera të veçanta, të konsideruara të rëndësishme për të gjithë pjesën e botës, por të mbajtura larg nga shqiptarët. Por pak nga pak, festimi i Shën Valentinit filloi të mos i bënte më alergjikë prindërit dhe të moshuarit dhe të bënte më të vetëdijshëm të rinjtë, të cilët tashmë e kishin kuptuar se të festosh Shën Valentinin, nuk do të thotë medoemos të bësh namin në dashuri, por të falënderosh një shenjt që bashkon zemrat e njerëzve, të cilët kanë lindur për të qenë bashkë.

Kështu, më 14 shkurt, nga viti në vit, nëpër rrugët dhe qytetet shqiptare, shtohen vajzat dhe djemtë që mbajnë dhurata dhe lule në duar, por shtohen dhe njerëzit që dalin rrugëve, lokaleve dhe parqeve për të festuar një festë që në thelbin e saj i ngre himn një ndjenje mjaft intime. Aq sa vitet e fundit, të shëtitësh sidomos në rrugët e kryeqytetit, më 14 shkurt, është si të marrësh pjesë në paradat e majit më shumë se dhjetë vite më parë. Sepse, çdo e mirë e ka dhe një të keqe, tashmë shqiptarët preferojnë ta festojnë dhe me shumë bujë madje, atë rënien e tyre në dashuri, atë të ndjerin në një planet tjetër, kur çdo gjë të duket e bukur dhe pa të meta.

Por, si çdo fillim, edhe këtu ka ekzagjerime dhe sigurisht që pak kohë më pas, gjërat do të vijnë në vendin e vet dhe kjo festë do të fillojë të marrë kuptimin e saj të vërtetë, atë të një tufe trëndafilash të kuq, të një kutie me çokollata në formën e zemrës, të një darke nën dritën e qirinjve, të një propozimi dashurie, apo më mirë akoma për fejesë, të një dasme me tullumbace dhe aheng.