Albania, bed & bunker

Shqipëria numëron qindra mijëra bunker të trashëguar nga idiotësia komuniste. Një projekt gjermano-shqiptar duket se do të kthejë një pjesë të tyre në dhoma hoteli

bunker_01Rreth 50 km larg Tiranës, 10 studentë gjermanë e 10 shqiptarë i kanë hyrë punës për një projekt unik: po kthejnë një bunker në një fjetore me tetë shtretër. Turistët që do të lenë aty do të kenë mundësi që përmes të çarave që njëherë e një kohë shërbenin për pushkët e ushtarëve t’i hedhin një sy peizazhit të mrekullueshëm të ëndërrojnë nën kupolën prej çimentoje të lartë një metër e tridhjetë. E kushedi, ndoshta mendja u shkon edhe te diktatori që pati idenë e bunkerizimit të Shqipërisë duke e kthyer në vendin më të izoluar të botës. Në vitet ‘70 e ‘80, me urdhër të Enver Hoxhës, në Shqipëri u ndërtuan 750 mijë bunker në beton; Enveri i trembej një pushtimi të vendit nga të huajt – në rast emergjence bunkerët do të shërbenin si vendstrehim për popullsinë ose si pika sulmi ushtarak kundër çdo armiku të mundshëm. Praktikisht bunkerët janë materializimi i paranojave të një diktatori. Sot, Iva Shtrepi që studion në Mainz të Gjermanisë dëshiron të konvertojë atë pyll kupolash prej çimentoje: tema e saj e diplomës me titull “Bunkerkunft” një lojë fjalësh në gjermanisht me “Unterkunft” (“fjetore”), ofron mundësinë për t’u dhënë bunkerëve një jetë të re: transformimin e këtyre ish ndërtimeve ushtarake në hotele. Tani për tani po punohet për transformimin vetëm të një bunkeri, por shpejt të njëjtin fat mund të kenë edhe të tjerë. Markus Pretnar-it, profesorit që ka ndjekur punimin e Shtrepit në Fakultetin e Shkencave të aplikuara të Mainz, ideja i pëlqeu aq shumë sa kërkoi ta vërë në jetë. Studentët e seminarit të tij kanë punuar mbi këtë ide, duke filluar nga vizatimet teknike e deri tek vënia në kontakt me autoritetet shqiptare. “Tema e diplomës u kthye kështu në një projekt shkencor” thotë Pretnar që jep design për hapësirat e brendshme të ndërtesave. E di shumë mirë profesori që Shqipëria po bëhet emër i dëgjuar mes turistëve: “Mjaft të shohësh ç’i kanë bërë bregdetit, si në Shqipëri ashtu edhe në Mal të Zi. Kanë ndërtuar, shumë, tepër e me ngut”. Nga projekti shqiptaro-gjerman duhet të përfitojnë, para të gjithëve, vendasit. Bunkeri i parë që studentët po transformojnë në një dhomë të ngrohtë fjetoreje me parket, krevatë, aneks kuzhine dhe dush është vetëm një prototip , por nëse pëlqehet, shumë bunker të tjerë mund të kenë të njëjtin fat. “Janë nga të katër anët, – shpjegon Pretnar. – Nga alpet deri në bregdet, përfshirë qytetet e fushat”. Zyrtarisht, janë pronë e Ministrisë së Mbrojtjes, por i është dhënë e drejta e shfrytëzimit pronarëve të terreneve ku bunkerët ndodhen. Kush është i interesuar për projektin mund të shfrytëzojë idenë por me dy kushte: duhet të citojë universitetet e Mainz dhe të Tiranës dhe t’ua japë në administrim bunkerët-fjetore personave vendas. Një natë në Bed & Bunker duhet të kushtojë maksimumi 10 dollarë apo 8 euro. Nga Julia Stanek / “Der Spiegel”

This slideshow requires JavaScript.