100-vjetori i Pavarësisë, Presidenti nderon autorë të veprave studimore e artistike

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Në atmosferën e festave të fundvitit, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nderoi dje, autorë të veprave studimore e artistike kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë. “Në shenjë vlerësimi për punën dhe kontributin e jashtëzakonshëm në evidentimin dhe ngritjen e vlerave historike dhe atdhetare me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë”, kryetari i shtetit shqiptar dekoroi me “Medaljen e Mirënjohjes”, Artan Lamen, Blendi Fevziun, Gëzim Hidrin, Ilir Ikonomin, Kai Roman Kiklasin, Moikom Zeqon, Ndriçim Kullën, Romeo Gurakuqin, Visar Obrijan, Xhevahir Lleshin dhe Zeni Ballazhin. Në takimin e Kryetarit të Shtetit me autorët e veprave të spikatura për 100-vjetorin e Pavarësisë ishin të pranishëm edhe ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi si dhe kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha. Gjatë fjalës përshëndetëse, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, shprehu vlerësimin personal, por edhe në emër të qytetarëve shqiptarë për një sërë personalitetesh të fushave të ndryshme, të cilët në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ofruan kontribute shumë të rëndësishme në evidentimin dhe prezantimin e vlerave kulturore të periudhave historike, të traditës së Shqipërisë dhe shqiptarëve. “Mbi të gjitha, besoj që hapën një rrugë, nxitën, në radhë të parë, studiuesit, krijuesit, artistët, historianët të fillojnë të mendojnë më shumë për historinë tonë; për të evidentuar më shumë vlerat e kësaj historie; për t’u ofruar një informacion real, transparent, qytetarëve shqiptarë, kudo që ndodhen, por edhe miqve të Shqipërisë dhe të shqiptarëve mbi historinë e këtij vendi dhe kombi; mbi sakrificat, mundimet, kontributet dhe qëndrimet e personazheve, personaliteteve në periudha të ndryshme të historisë së vendit, duke e përcjellë kohën e shkuar e kontributet e së shkuarës, por edhe arritjet dhe mosarritjet e së shkuarës në realitetin e sotëm, me qëllim për të pasur mundësinë më të mirë të reflektimit të përbashkët, mundësinë e njohjes reale të vetes sonë, të kombit tonë, të ecurisë sonë. Jam i bindur që kjo do të kontribuojë në ngjizjen e një kulture më të madhe mbi atë çka ne shqiptarët kemi qenë dhe kemi bërë, me shpresën e madhe që kjo do të na shërbejë për të reflektuar, për ta përcaktuar më mirë, më qartë dhe më drejt të ardhmen tonë”,- theksoi Presidenti Nishani.

Presidenti i Republikës i shprehu drejtpërdrejt vlerësimin dhe mirënjohjen e të gjithë qytetarëve shqiptarë, zotit Romeo Gurakuqi, pedagogut dhe historianit që me veprën e tij solli një studim të rëndësishëm, jo vetëm për brezat e rinj, por për të gjithë brezat e këtij vendi. Gjithashtu, Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen për kontributin e zotit Helidon Xhixha, i cili i dhuroi Institucionit të Presidentit, një skulpturë moderne, e vendosur në kopshtin e ndërtesës, që solli një risi në kryeqytet. Kreu i Shtetit vlerësoi zotin Ilir Ikonomi, “gazetarin, analistin e shquar, i cili përmes botimit ka sjellë një informacion, fatkeqësisht, deri në këto kohë, të pamarrë nga opinioni publik, për rrugëtimin e burrit të shquar të Pavarësisë, Ismail Qemalit, por edhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tij; një studim i thellë, por, mbi të gjitha, i bazuar në fakte shumë të rëndësishme dhe evidente”,- u shpreh Presidenti Nishani. Pas leximit të dekreteve presidenciale nga Sekretari i Përgjithshëm, Bardh Saphia, Kryetari i Shtetit u dorëzoi autorëve të veprave studimore e artistike të krijuara në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, “Medaljen e Mirënjohjes”.

 

 

 

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin