120 ditë për të mbyllur biznesin pranë QKR-së

Për vitin 2011, çregjistrohen 3.900 biznese

Peng të detyrimeve, bizneset e regjistruara si persona juridikë, vështirësi për çregjistrimin e subjektit të tyre nga QKR-ja. 30 ditë për të mbyllur biznesin për personat fizikë

120 ditë nevojiten për të mbyllur biznesin pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Ndonëse për të hapur biznesin mjafton vetëm një ditë, për ta mbyllur atë ka disa procedura. Lidhur me këtë fakt, bizneset hasin në vështirësi për të dalë nga marrëdhëniet e një aktiviteti privat, pasi afatet ligjore kalojnë nga 30 ditë në 4 muaj. Procesi çregjistrimit të biznesit zgjat, pasi duhet paraqitur gjithë dokumentacioni i duhur, ku ai nuk rezulton debitor në organet tatimore edhe ato të qeverisjes vendore. “Për personat fizikë nuk ka vonesa sepse ligji e lejon që pas aplikimit në QKR, në këmbim të shlyerjes së detyrimeve pranë organeve tatimore, brenda 30 ditëve biznesi, pra personi fizik çregjistrohet”,- kështu shprehet Tomi Kola, Drejtor i QKR-së. Ndërkohë, për sa u takon bizneseve të regjistruara si persona juridikë, ato e kanë edhe më të vështirë për të çregjistruar subjektin e tyre nga QKR-ja.

Bizneset që nuk kanë paguar detyrimet fiskale

Nëse bizneset nuk rezultojnë të pastra nga detyrimet fiskale, QKR-ja nuk i nxjerr ato nga regjistri. “Personi juridik është i detyruar të bëjë dy njoftime, në distancë 30 ditë nga njëra-tjetra dhe pas përfundimit të 30 ditëshit, pas njoftimit të parë, personi duhet të bëjë njoftimin e dytë për kreditorët dhe vetëm pasi kanë kaluar tre muaj nga njoftimi i dytë për kreditorët, atëherë mund të vijë në QKR, për të bërë aplikimin për fazën e dytë. Aplikimi për fazën e dytë sigurisht nënkupton sjelljen e bilancit dhe raportin e ekspertit kontabël me të gjitha likuiditetet dhe asetet që janë të zeruara”,-thekson ai. Ndërkohë, për vitin 2011, pranë QKR-së u çregjistruan 3.900 biznese, ndërsa janë 12.706 biznese të reja te regjistruara. Mos miratimi i kërkesës së bizneseve nga QKR-ja për t’u çregjistruar, i rikthen ato në marrëdhënie me tatimet. Kështu, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, një biznes që nuk është çregjistruar nuk kalon në statusin pasiv, çka do të thotë se biznesi do të vijojë të bëjë deklarime pranë tatimeve.

 

 

 

Comments are closed.