Qeveria mesazh në 13 vjetorin e sulmeve të NATO-s

Qeveria shqiptare përkujton 13 vjetorin e fillimit të ofensivës ajrore të NATO-s mbi ish-Jugosllavinë, në mbrojtje të popullit të Kosovës. Nëpërmjet një mesazhi, qeveria shqiptare thekson se kjo ditë shënon shndërrimin e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Kosovë, në çështje madhore të aleancës së kombeve të lira, Aleancës së Atlantikut të Veriut. “Sot është 13 vjetori i fillimit të ofensivës ajrore të Aleancës së Atlantikut të Veriut, në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Kosovë nga barbaritë e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçit. Këto sulme, të kombinuara me qëndresën heroike të luftëtarëve të lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në terren, bënë që, në një afat kohor relativisht të shkurtër, “Sadami” i Ballkanit të firmosë kapitullimin dhe të marrë fund regjimi i tij kolonial në Kosovë. Kjo ofensivë historike për lirinë e shqiptarëve, por edhe të Ballkanit në tërësi, shënon gjithashtu dimensionin e ri në misionin e Aleancës së Lirisë, më e fuqishmja e të gjitha kohërave, në mbrojtje të lirive dhe të drejtave njerëzore. Qeveria shqiptare shpreh edhe një herë mirënjohjen më të thellë ndaj Presidentit të SHBA-ve Bill Clinton, që udhëhoqi Aleancën në betejën për çlirimin e Kosovës, udhëheqësit politikë të asaj kohe, forcave ushtarake të NATO-s, për rolin e tyre vendimtar në çlirimin e Kosovës”, thuhet në mesazhin e qeverisë shqiptare. Po ashtu, qeveria shqiptare nënvizon se sot është ditë në të cilën Shqipëria përshëndet popullin e Kosovës dhe udhëheqjen e saj që, në një hark kohor të shkurtër, e shndërruan Kosovën e pavarur në faktor paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi në rajon. Sot mbushen 13 vjet që nga fillimi i bombardimeve të NATO-s mbi pikat ushtarake e policore serbe, për t’i dhënë fund dhunës së regjimit të Sllobodan Milloshevicit ndaj popullit shqiptar të Kosovës.

Comments are closed.