20 vjet pluralizëm në Shqipëri, nën këndvështrimin social e filozofik të Artan Fugës

Në Shqipëri nuk mungon liria, por institucionalizimi i saj në një shtet të së drejtës

Sot, 22 mars 2012, mbushen plot 20 vjet qëkurse Shqipëria nisi të hedhë hapat e parë në rrugën e demokracisë.Posi është parë Shqipëria dhe çfarë është shkruar për të nga shtypi i huaj gjatë këtyre dy dekadave? Profesor Dr. Artan Fuga, lektor pranë Departamentit të Sociologjisë të Universitetit të Parisit 10 – Nanterre, në Francë, komenton këto zhvillime jo vetëm në aspektin politik, por më së shumti, nën këndvështrimin social e filozofik të çështjes.

– Profesor Artan Fuga, në disa raste, mediat e huaja kanë titulluar artikujt e tyre kështu: “Fronte të tensionuara në Shqipëri”, “Përjashtohet dialogu në Shqipëri”, “Përplasje midis demokratëve dhe socialistëve”, “Bojkot parlamentar në Shqipëri”, etj. Si shpjegohet kjo?

Kjo vjen nga lufta e brendshme politike, e cila, me të drejtë, është komentuar nga perëndimoret me termat e mësipërm. Por të mos harrojmë se vendosja e një demokracie nuk realizohet as për 5 vjet e as për 20 vjet. Demokracitë e mjaft vendeve të zhvilluara, kanë njohur një histori 200 – 300 vjeçare, që është e mbushur edhe në Perëndim me luftëra e me tensione. Por kjo nuk justifikon asgjë nga ato që kanë ndodhur në Shqipëri si krizat e mëdha politike, tensionet e dhunshme apo edhe një jetë parlamentare e bllokuar. Rëndësi ka që ajo lëvizje e madhe që ka filluar 20 vjet më parë nuk ka qenë e dështuar në principet kryesore, pavarësisht se është e vonuar.

– Në këto dy dekada janë zhvilluar pesë herë zgjedhje parlamentare dhe çdo herë rezultati i tyre është kontestuar nga forca humbëse, duke pasur si pasojë edhe bojkotimin e Parlamentit. Si shpjegohet kjo?

Në këto 20 vjet, demokracia në Shqipëri ka qenë një demokraci politike. Domethënë njohje e pluralizmit, njohje e së drejtës së luftës politike, njohje e së drejtës për opozitë, etj. Por kjo ka sjellë një politizim të jetës institucionale. Në Shqipëri, nuk mungon liria, por mungon aspekti institucional, mungon institucionalizimi i kësaj lirie në një shtet neutral të së drejtës. Ne na mungojnë pikërisht institucionet, të cilat monitorojnë zgjedhjet, realizojnë zgjedhjet, bëjnë drejtësinë etj., të cilat duhet të jenë jo partiake. Për mua edhe posti i rëndësishëm i kryetarit të shtetit është i ndikuar nga politika. Kjo sjell gjithçka që ka të bëjë me kontestimin e zgjedhjeve, me dyshimet për rezultatet e zgjedhjeve, me pakënaqësitë për sistemin e administratës etj. Mendoj se tani është momenti që të ndahen mirë pushtetet nga politika.

– Rrugën e demokracisë, Shqipëria e nisi duke pasur si objektiv Europën. Partitë e përfaqësuara në Parlament e shtrojnë integrimin në Europë, si prioritet të tyre. Megjithatë, ato bëhen pengesë duke mos i miratuar ligjet e domosdoshme për integrimin. Kemi të bëjmë këtu me konflikt programesh të forcave politike apo me një problem komunikimi?

Mua më duket se të gjitha vërejtjet që bëjnë institucionet e Bashkimit Evropian për Shqipërinë janë të drejta. Por unë dua të theksoj 3 momente. Shqipëria nuk mund të arrijë, sot për sot, statusin e kandidatit zyrtar për në BE, jashtë një dinamike rajonale. Domethënë, Shqipëria do shkojë në këtë rrugë brenda një konteksti gjeopolitik ballkanik. Sigurisht, secili shtet duhet të bëjë përpjekjet e veta. Pra, kjo s’varet vetëm nga Shqipëria. Së dyti, nëse analizojmë gjithë të metat që lidhen me funksionimin e demokracisë, të shtetit, të të drejtave të njeriut, të pronësisë etj, të gjitha këto tregojnë se problemi kryesor është mungesa e institucioneve me të vërtetë të pavarura. Së treti, Evropa nuk është gati të shtrihet sot për sot në Ballkan. Pra, vonesat janë dypalëshe.

– Në një artikull tuajin të titulluar “Kandarët e demokracisë”, të botuar një vit më parë, ju shtronit pyetjen: “Pasionet politike kanë shpërthyer gjithandej. Kur do të vijë dita e të arsyetuarit politik?” A mund ta parashikoni sot këtë?

Faleminderit për këtë pyetje dhe për ndjekjen e shkrimeve të mia. Unë këtë shkrim e kam botuar në kushtet e krizës të janarit 2011 dhe pas saj, sepse edhe unë si intelektual e si qytetar ndieja dhimbje. Në Shqipëri, politika duhet që të bëhet në institucione të normativizuara e nuk duhet të bëhet në rrugë në mënyrë të dhunshme. Është e rëndë që sot në shekullin XXI, jeta politike në Shqipëri vazhdon të bëhet akoma me viktima që humbin jetën në bulevardin kryesor të kombit. Pyetja ime vazhdon të jetë: A do vijë momenti që jetën politike ta bëjmë nëpërmjet arsyes, logjikës, normave, e nëpërmjet funksionimit të institucioneve? Që qytetari të ketë mundësi të veprojë në shtet, nuk mjafton vetëm demokracia e partive politike. Duhet demokracia e mbështetur tek shteti ligjor që i hap rrugë veprimit qytetar. Është e nevojshme që organizimi i zgjedhjeve dhe i matjes së rezultateve të bëhet nga instanca jashtë partiake, përndryshe do të na prodhohen të tilla situata ku rezultatin e fitores politike nuk do ta masim me vota, por do ta masim në rrugë më ndeshje të dhunshme. Kështu do të ngelemi gjithnjë tek pasioni, tek dhuna, e tek të vrarët.

– Sot, në vitin 2012, a ka gatishmëri për kompromise dhe debat të orientuar drejt zgjidhjeve?

Unë mendoj që kompromise në Shqipëri janë bërë e do bëhen. Por, problemi është se kompromiset në Shqipëri bëhen vetëm në çastin e fundit për dy arsye. E para, sepse në çastin e fundit detyrohen të ndërhyjnë partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë më deçizive, që sistemi ynë të mos dalë nga shinat. E dyta, sepse benefitet që merren në momentin e fundit janë më të mëdha për secilin prej negociatorëve. Unë nuk i preferoj kompromiset e momentit të fundit, të vendosura në një tavolinë shumë të ngushtë personalitetesh politike. Këto lloj kompromisesh riprodhojnë tensionin dhe lënë shtigje të hapura për mosmarrëveshje të mëvonshme.

– Funksionimi i Parlamentit Shqiptar, krahasuar edhe me parlamentet e tjera të vendeve ballkanike, a ka ngjashmëri apo është më i veçantë

Jam i bindur se Kuvendi i Shqipërisë ka nevojë për një reformë të fortë të statutit të vet dhe jo vetëm të rregullores së brendshme. Mendoj se a ka ardhur koha për një “Dhomë të Dytë” në Parlamentin Shqiptar. Këtu shtroj pyetjen se a do të ketë të drejtë Presidenti i Republikës, që në kushte krize, të kërkojë shpërndarjen e Parlamentit? Apo do të kemi një Kuvend me deputetë, të cilët janë të paprekshëm dhe të pashpërndarë nga një instancë tjetër sipërore? Duhet përcaktuar mirë nëse Kuvendi do të ketë të njëjtat kompetenca si sot, për të nxjerrë nga duart e veta edhe sistemin gjyqësor, edhe Prokurorin e Republikës, edhe Komisionet elektorale, edhe Këshillin e RTVSH-së, ku çdo gjë ndërtohet mbi bazën e ekuilibrit të partive, pra politizohet. Në momentin kur të gjitha pushtetet e tjera në Shqipëri dalin drejtpërdrejt nga Kuvendi, pra drejtpërdrejt nga partitë, atëherë ku është ndarja e pushteteve midis ekzekutivit, legjislativit dhe drejtësisë? Po lind nevoja për një reformë institucionale të sistemit qeverisës.

– 20 vjet pas fundit të komunizmit, sa e pranishme është shoqëria civile në jetën politike në Shqipëri?

Unë mendoj që është pak. E theksoj në Shqipëri kemi një demokraci politike. Në këtë moment janë partitë që luajnë një rol kryesor dhe jo qytetari apo shoqatat. Aktualisht, deputeti ka një status autonomie shumë herë më të vogël në raport me partinë dhe rrjedhimisht edhe administratat në këto 20 vjet kanë qenë të politizuara, çka do të thotë që edhe shoqëria civile ka pasur më pak fushë veprimi. Shpeshherë ka shumë shoqata dhe elementë të shoqërisë civile, të cilat thuhet se janë të shoqërisë civile, por edhe mbrapa tyre është politika. Si përfundim, gjykoj se në këto 20 vjet, demokracia shqiptare ka bërë arritje shumë të mëdha e shumë të shpejta, që ndofta në vende të tjera janë bërë për shekuj të tërë. Sot, kemi arritur në një pikë ku duhet të vijmë me koncepte të reja, me reforma të tjera për të rinovuar shtetin e së drejtës, sistemin e qeverisjes dhe gjithçka që përmirëson marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët ndërkombëtarë, me Bashkimin Evropian, me NATO-n etj.

 

Comments are closed.