Categories
Të ndryshme

Në kuadrin e 22 Prillit, Ditës së Tokës

dita e tokes

Kur vendosa të isha pjesë të një diskutimi problemor që është sa i rëndësishëm, sa edukativ, sa i dobishëm, sa i domosdoshëm, sa emocional po edhe po kaq monoton në shumë raste përballë një mungesë vazhdimësie në të nesërme që na prêt, do të doja që të kujtoja një episod shumë emocionues që e përjetova në një ditë prilli saktësisht para 20 viteve. Diku para Prefekturës së Qarkut të Beratit në atë tokë që atje ishte dhe është ende e asfaltizuar, një klerik i fesë bektashiane i veshur me rrobën e klerikut kishte marrë një karrocë fshesari një fshesë të gjatë dhe shumë i qetë fshinte sheshin. Të gjithë kalimtarët kalonin të heshtur, indiferentë, të çuditur me këtë njeri që shumë nuk e kishin pare edhe pse ishte një beratas. Guxova dhe e pyeta. Ishte një ish mërgimtar politk që kishte jetuar për 20 vjet në Paris dhe në ditët e para që kishte ardhur në këtë qytet kishte marrë me qera karrocën fshesën dhe fshin,

-Vij nga Franca e më dhemb jo vetëm varfëria e qytetit tim por edhe papastërtia. Jei të varfës po nuk kemi se të jemi ta papastër për tokën që e kemi në këmbë. Unë nuk jam prefekt nuk jam kryetar, po dua që atë copë tokë që më tani në këtë vend ta fshij pa droje se dikush mund të më shikojë me sy tallës. Të gjithë po goditeshim me mesazhin e tij. Tokës sonë në gjithë kohërat i kanë kënduar me shumë pasion. Toka është bërë simbol i atdheut të secilit po shumë herë është parë si simbol i jetës që prekim të asaj toke që dikur edhe na vë në gjirin e saj. Kam droje se toka aq engjëllore dhe aq bukurore është shumë intaçore me te gjithë ne. Në këtë atmosferë shumë moralizuese që shpesh e ngërthen shoqërinë shqiptare e sidomos edhe ata që merren me rininë do të bëhesha edhe unë paska mëkatar me idetë e mia. Le të ecim së pari me hapat e të rinjve të shkollave.  Nëse në një ditë të caktuar  do të bëhesha aleat i këtyre të rinjve që gati me këngë në gojë e në buzë pastrojnë këtë pjesëz të qytetit do të doja që kjo fymë të jepej që në shkollë  E them këtë se bëhen me dhjetra biseda e jo gjithmonë e shohim edhe te fëmija. Do të doja që të shikoja përballë brezit të ri përballë vajzave e djemve disa të mësuar me një kovë gëlqere, me një fshesë  në duar e gjithmonë  si VULLNETARË bëjnë detyrën që pastrojnë rrugën ku kalojnë se ajo është toka e të gjithëve që nuk ka ligj të na detyrojë që ta pastrojmë  Do të ishte ende një diskutim i hapur aq solial aq edhe juridikk ai i vullnetarizmit po gjithsesi kjo dukuri duhet të jetë edhe pjesa jonë e edukimit she e stimulimit moptivues e na takon ne, mësueseve, drejtorëve të shkollave, medias dhe shumë forumeve të tjerë që të bindim njerëzit sidomos të rinjtë se vullnetarizmi ka rolin e vet. Na vjen keq që në Berat në Tiranë të shohim pemë që mbillen nga vetëm nga bankat e ndryshme shqiptare e të huaja. Mirë.  Edhe bankat kanë të drejtë të mbjellin themi ne. Po mungon ajo dora jonë, e bërë me dhe toke që të bëjë punën e vet. E themi këtë se ende nuk kemi  MODELE në këtë fushë. Diku në familje edhe mund të ketë disa portrete të këtyre modeleve po jasht në mjediset tona publike,  në rrugën që hedhim, në lopatë ku tymosin vazhdimisht, në disa lokale të llotove ku boshësia shpirtërore garon dhimbshëm edhe me papastërtië që  shpesh na mbyt, na zjarrmon, na ligështon na shkel një psikologji gati demoralizuese.  Ne ende jemi  në një fushatizëm në këtë drejtim. Gati duke korizuar me vete atë fjalë “Shtyje!” që na  kapluar të gjithëve. Ende nuk kemi një ndëshkim-shërim që për atë që s’duhet të bëjmë për tokën tonë.  Nuk kemi dëgjuar që në një qytet dikush  gjobit për plehrat e hedhur nga ballkoni ose në një vend të papërshatshëm.  Ne kemi turp që t’i themi botës për njerëz që djegin pyjet, që dëmtojnë  që në shkollë dëmtojnë mjediset e lulishteve. Pa folur që të bëjmë edhe një gjyq publik për dëmtues të këtyre mjediseve. Ne kemi pak  shembuj gati Robinsonësh shohim në jetën tonë edhe pse diku dhe dikur nuk është vështirë që të gjenden. Të njerëzve që duan tokën e që ne nuk i njohim mirë ku janë si e mendojnë për të. Në një kohë që na futen në sy seminare të pafund shoqatash në televizione ku ka shumë moral. Me shumë emocion drithërues kujtoj këtu se në një rrugë Boston–Njy Jork që bëra para disa vitesh miku im që kisha në makinë më thoshte disa herë radhaz që të mos e hidhja nga xhami i makinës në tokë atë kuti që mbeste pas rrufitjes së pirjes në atë vapë amerikane të korrikut. Në se ndodhte një gjë e tillë, fare mirë mund të gjobitesh rreth 5000 dollarë!!!!!! Pa koment për këtë gjë! Me këtë rast për të zbutur pak natyrën polemizuese, do të kujtoja një të moshuar nga krahina që i përkas që edhe pse nuk kishte aspak nevojë për të shitur zarzavatet që mbillte në kopësht, ai çdo pranverë punonte deri vonë që në vjeshtë të mbushej plot bahçja e tij. Në vjeshtë ai dërgonte djalin (jo pa qëllim) tek fqinjët e i dërgonte atyre domate, kunguj, qepë, sallata. Të gjitha falas, falas, po e them së dyti.

-Miku ynë,- i thonin fqinjët,- pse je kaq bujar e na i jep falas?

-Ju faleminderit që me respektoni duke i marrë këto. Unë nuk e shoh dot tokën ashtu djerrë, të dëmtuar në brazdat e saj. Më dhemb. Dua  që toka të jetë e bukur e ajo është kështu kur e vë të prodhojë gjëra të mira, të dobishme.

Që për atë, tokën tonë të dashur, të mos kujtohemi një ditë të vitit si 22 Prilli në një ditë që është vetëm një ditë larg festës së librit që është 23 Prilli, po në të gjithë ditë ne të kemi brenda vetes festën e madhe se jemi miq të Tokës dhe ajo është mikesha jonë më e mirë që na i di të gjithë numrat e celularit ëndrrat tona   shpirtin tonë të trazuar. Nuk është fjala për t’u bërë të gjithë skënderbejane në këtë  marrëdhënie me tokën kur themi se ai, Skënderbeu ka kërkuar që çdo çift të mbillte 25 rrënjë ullinj para se të martoheshin. Po a ka mundësi që ne  të bëjmë inventarin e të gjithë pemëve të sheshit tonë. Ndoshta edhe një prej nesh ta kemi në jetë si pemën tonë si lulen tonë të shtëpisë për ta ruajtur e për ta përkëdhelur sa më shumë.  A nuk është mirë që ta nisim kujdesin ndaj tokës që te varrezat ku toka bëhet bujare të na futë një ditë në gjirin e  saj. A ka atje një rregullsi një pastërti, një trajtim human  për të nga ne? Një pyetje që shpesh na klithmon me përgjigjen e saj. Ne jetojmë brenda vetes edhe djallin edhe një lloj engjëllizimi kur bëjmë moral aq shumë. Ndryshe veprojmë në mjediset ku toka na mban në supet, në rrugë  në shkollë,  në pyll. Oh, mos më kujtoni pyllin se vështirë që t’i tregojmë botës se kemi shumë fshatarë, shumë njerëz që djegin me qëllim vetë me duar e me çakmakun e tyre masa të tërë pyjesh.

O, zot! Në Ditën e Tokës mund të jesh shumë emocional, shumë më obligues ndaj saj. Shumë më vizionarë me projektet që hartojmë e që nuk duhet të  mbeten vetëm në letrat e fletoreve apo në ekranet internetikë.  Në Ditën e Tokës jemi vetë si toka që kemi nevojë që të gjithë të na duan, të na respektojnë e jo të na trishtojnë në atë moskujdesje të papërfillshme. Përballë mesazhit universal po edhe lokal në këtë ditë motivimi për dashurinë për tokën,  më vjen në mend do të citoja këtë thënie: “ Këtu në Berat nuk ka bukuri që vret, po bukuri që vritet”

Dialogu Tokë–Njeri- Tokë do na shoqërojë edhe në vite. Ne dhe brezat. E pra, asnjëherë nuk duhet të ndihemi të lodhur Në këto vite të paprekura ne, fëmijët e fëmijëve tanë  kemi dhe duhet të kemi  një Thes detyrimesh për atë që ajo na kërkon. Sot e në jetë të jetëve.

Nga Namik Selmani