5000 vjet qytetërim pellazg i Epirit

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

(vijon nga numri i kaluar)

Muret prehistorikë, po t’i shikosh me vëmendje, nuk kanë ndryshime të rëndësishme midis tyre. Megjithatë, muri i Kalivosë (Sarandë), datohet nga arkeologët tanë, Gjergj Karaiskaj, në periudhën 700-500 p.e.s; ndërsa i dyti është mur në rrethinat e Mikenës, i cili datohet nga arkeologët e huaj në shekujt XVI-XV p.e.s. Pra, diferenca në kohë është rreth 1000 vjet. Ky fakt, nuk mund të pranohet, pasi mënyra e ndërtimit të tyre me gurë të mëdhenj, boshllëqet e të cilave mbushen me gurë të vegjël, është pothuajse e njëjtë, gjë që e bën këtë diferencë 1000-vjeçare të ndërtimit të tyre të dyshimtë. Po të shohim murin në një nga portat hyrëse në Mikenë, është pothuajse identike me muret në akropolin e Tirintit dhe ato datohen nga arkeologët e huaj rreth shekullit XV p.e.s. Po ta krahasojmë këto me murin pellazgjik në akropolin e Buthrotit, nuk ka asnjë ndryshim. Madje, pothuajse nuk kanë asnjë ndryshim, me dy trakte muri pellazgjik, një në kalanë e Beratit (Antipatrea e lashtë) dhe tjetri në Nikaien e lashtë (Klosi i sotshëm në Mallakastër). Por fortifikimi prehistorik i akropolit të Buthrotit datohet nga arkeologët e huaj dhe arkeologët tanë, jo më parë se shekulli i VII p.e.s. Pra, diferenca është rreth 800 vjet, ndërkohë që teknologjia e ndërtimit të të tri mureve është pothuajse e njëjtë. Në dallim prej tyre Neritan Ceka, muret pellazgjike të akropolit të Buthrotit i shtyn në kohë duke i datuar në shekujt XI-X p.e.s, në fund të periudhës së bronzit dhe fillimit të periudhës së hekurit. “…Gërmimet (në Buthrot, ekspeditë e viteve 1991-1996) u përqendruan në akropolin e qytetit antik, për të sqaruar fillimet e jetës në këtë qendër të lashtë të Kaonisë. Shtresa më e hershme i takon periudhës së hershme të hekurit, që i korrespondon Protogjeometrikut të Greqisë në shekujt XI-X p.e.s.” (Ilirët, faqe 21). Pra, Neritan Ceka i afron në kohë këto mure pellazgjike me sivëllezërit e tyre në Mikenë dhe Tirint, duke iu afruar kohës së vërtetë të ndërtimit të tyre. Muret janë të njëjtë dhe me të njëjtën teknologji ndërtimi me gurë të punuar, të prerë. Aty shikojmë dy elementë identike: Gurë të prerë në kënde për t’ju përshtatur një guri tjetër dhe kanalet e shkarkimit të ujërave të hapur brenda një guri. Ndërkohë, që një mur i takon Cukës së Aetoit në Kaoni, dhe tjetri ndodhet në Argolidë në kodrat e Helenikonit 10 km në veriperëndim të Lernës antike. Në datimin e tyre, përsëri kemi një diferencë prej rreth 1000 vjetësh, pasi muret e Cukës së Aetoit janë datuar nga S. Islami rreth shekullit të V p.e.s. Gjithashtu, porta e luanit në Buthrot dhe porta e luanit në Mikenë janë ndërtuar me gurë kuadratik të punuar, ku gurët e Buthrotit janë punuar me më shumë finesë, pra janë të një periudhe më të vonë, e shumta 100 apo 200-vjeçare. Por nuk mund të pranohet që ato të datohen me një diferencë prej rreth 800-vjetësh nga njëra-tjetra. Por këtë datë të vonë të ndërtimit të mureve dhe portave të Buthrotit, nuk e pranon as legjenda e treguar nga Virgjili. Kjo pasi kur Ene dardanidi braktisi Trojën në shekullin e XII p.e.s (sipas Eratostenit) dhe erdhi në Buthrot, gjeti aty jo vetëm muret e akropolit të ngritura, por gjeti edhe portën “Skea”, identike me Skean e Trojës. Pra sipas kësaj, rrjedhimisht dhe logjikisht, në shekullin e XII p.e.s akropoli i Buthrotit duhej të ishte i ndërtuar. Arkeologët, veç të tjerave, në datimet e bëra fortifikimeve në Mikenë mbështeten edhe datimin nga historianët të Luftës së Trojës në shekullin XII p.e.s. Por ka historianë që këtë luftë e datojnë në shekujt XVIII-XIX p.e.s. Atëherë mos duhet që datimet e mureve të Mikenës të shtyhen edhe 700-800 vjet të tjera më thellë në histori? Po të vazhdojmë me këtë arsyetim, atëherë i bie që edhe muret e ngritura në Epir dhe krahinat ilire përreth tij të Amantëve, Bylinëve, Parauejve, Parthinëve dhe Dasaretëve, të shtyhen edhe ato thellë në histori për 700-800 vjet. Nisur nga sa sipër, meqenëse pellazgët janë bërë të dukshëm me ndërtimet e tyre qysh në mijëvjeçarin e tretë p.e.s, atëherë pa mëdyshje mund të flasim edhe për një qytetërim pellazg epirot 5000-vjeçar të ndërtimit të qendrave të banuara, fortifikimeve dhe ledheve mbrojtëse. Në mbështetje të kësaj ideje, unë do të përmend një “fakt” të imët, por që për mendimin tim ka një vlerë të madhe si një provë e pakundërshtueshme dhe autentike e këtij qytetërimi mijëravjeçar. Kjo provë autentike është vazoja qeramike e Podgories, e datuar rreth vitit 5200 p.e.s. Në lidhje me këtë zbulim të arkeologjisë tonë, Eva Brinja në veprën e vet “Antikiteti” na thotë: “…ajo është një figurim i gjeometrisë simetrike me kombinim ngjyrash dhe rrathësh në formë bordure, një nivel ky më i lartë perceptimit estetik se sa imitimi i një figure kafshe apo luleje, si një pasqyrim i jetës që i rrethon. Pra, kësisoj, është, as më shumë e as më pak, një shije e rafinuar” (vepra e cituar, faqe 24-25). Figurat simetrike në këtë vazo tregojnë se racionaliteti, mendimi, në mijëvjeçarin VI p.e.s. tek banorët e zonës ishte në një shkallë të zhvilluar. Pra, me plot gojën, mund të flasim për një qytetërim që ka ekzistuar 8000 vjet më parë. Pasi aty ku është racionalja, mendimi dhe ndjenja e shprehur në mënyrë të rafinuar, është edhe qytetërimi.

Faktet e tjera të këtij qytetërimi:

Amfiteatri i Dodonës, më i madhi i botës antike. Dhimitër Pilika thotë se amfiteatri i Dodonës kishte 22.000 vende; ndërkohë që amfiteatri i Dionizit në Athinë kishte 17.000 vende, dhe ai Epidaurit në Argos 14.000 vende. Ndërsa sipas arkeologut helen Nikos Papahaxhis, Epidauri në shkallaret e tij mban 12.300 spektatorë. Qyteti i Foinikes, më i madhi nga të gjitha qytetet helene. Me një sipërfaqe brenda mureve prej 57 ha (Neritan Ceka “Ilirët”, faqe 78), dhe me një gjatësi muri rrethues prej rreth 5 km, i cili është 500 m më i gjatë se muri rrethues i Apolonisë në kohën e lulëzimit të saj. Dhimitër Pilika thotë se muri i akropolit të Foinikes është shtatë herë më i gjatë se ai i akropolit të Athinës. Kryeqyteti i Pirro Mollosit, Ambrakia, kishte dy teatro dhe 1015 shtatore. Shëtitorja e Antigonesë së Pirros ishte 6 metra e gjerë dhe 1 km e gjatë. Vetëm një popull i qytetëruar mund të shëtiste në një shëtitore 1 km të gjatë 2300 vjet më parë. Kjo kulturë dhe ky qytetërim i Epirit është ndërprerë në mënyrë të dhunshme nga pushtimi romak, i cili për nga pasojat nuk ka ndonjë ndryshim nga barbaria e fiseve gote dhe visigote, që shkatërruan për herë të dytë Epirin në mesin e mijëvjeçarit të parë të erës sonë. Pushtimi osman në mesin e mijëvjeçarit të dytë të erës sonë, i treti për nga barbaria, ndërprerja dhe kthimi mbrapa i gjithë qytetërimit evropian të shqiptarëve, ishte dora e fundit që ju dha këtij shkatërrimi. Por Epirotët, Toskët e Epirit, shqiptarët, mbijetuan nga këto shkatërrime dhe tragjedi gati biblike duke rrezatuar kulturën dhe civilizimin e tyre të stërlashtë, i cili ka mbërritur deri në ditët e sotme me një shkëlqim të veçantë. Vetë ekzistenca monumentale e Beratit dhe Gjirokastrës, tregon se Aiaku është gjallë edhe si gurgdhendës i këtyre qyteteve, mjeshtëri që është transmetuar me skrupulozitet tek stërnipërit e tij. Këto dy qytete janë si dy margaritarë, që rrezatojnë shkëlqimin e tyre në të gjitha trevat ballkanike dhe më gjerë; shkëlqim, i cili është njohur dhe legalizuar edhe nga UNESKO, si një protuberancë verbuese e kulturës dhe civilizimit mijëravjeçar të banorëve të Epirit pellazg. Tentativat e sotshme, duke lejuar dëmtimin dhe shkatërrimin e vlerave monumentale të trashëgimisë kulturore identitare në këto dy qytete; dhe akoma më keq, ndryshimin, modifikimin dhe devijimin e këtyre vlerave origjinale identitare; bëjnë pjesë në ato synime të kahershme dashakeqe të mbulimit, mohimit, ndryshimit dhe devijimit të historisë dhe kulturës mijëravjeçare të shqiptarëve.

 

Kultura shpirtërore pellazge e Epirit

Por nga ai vend, i cili rreth shekullit IV p.e.s do të quhej Epir, trashëgohet edhe një kulturë e fuqishme shpirtërore, rrezatimet shkëlqimtare të së cilës do të pasqyrohen ndjeshëm dhe dukshëm në atë që quhet Rilindje Europiane, ku një pjesë dërrmuese e veprave të artit, skulptura, piktura, vepra muzikore të gjinive të ndryshme, si dhe vepra të ndryshme letrare do të frymëzohen fuqishëm nga mitet dhe legjendat e dala edhe nga kjo trevë legjendare. Mjafton të përmendim këtu vetëm “Iliadën” dhe “Odisenë”, rrënja e të cilave është Epiri, por edhe dy protagonistët legjendarë, Akili dhe Odhisea, të cilët janë po nga Epiri. Evropa e lënë në errësirë për rreth 1000 vjet u kthye nga rrënja e saj, duke i kthyer sytë nga burimi i dritës, kultura pellazge në përgjithësi dhe ajo pellazgo-epirote në veçanti. Por Epiri është dhe vendlindja e Zeusit, kryeperëndisë pellazge. Gjithashtu, ekzistenca e orakullit të Dodonës në Epir, e bën këtë të fundit kryeqendrën e zhvillimit kulturor të botës së lashtë. Dodonën si qendrën kulturore, shpirtërore të qytetërimit të lashtësisë në të gjithë trevën e gadishullit të Hemit e më gjerë në Egje dhe Mesdhe; mund ta krahasojmë me Parisin, i cili shekujt e fundit u bë qyteti simbol i kulturës dhe qytetërimit evropian. Kjo kulturë ishte rrjedhojë e një zhvillimi të fuqishëm ekonomiko-social, i cili shfaqet dukshëm në sistemet qeverisëse, të cilët ishin nga më të përparuarit e kohës, për sa i përket sistemit politik dhe atij juridik. Lidhur me këtë Tuqididi thotë se: “…njëmijë barbarë kaonë qeverisnin pa mbret, e në krye të tyre kishin (dy) prostat, për një vit, Fotis e Nikanorin, që rridhnin nga familje e parë…” (Aleks Trushaj “kaonia dhe kaonët në prehistori dhe antikitet” f. 79) “…Pushteti i mbretit (tek molosët) kontrollohej nga një prostat që, ashtu si tek kaonët dhe thesprotët fqinjë zgjidhej çdo vit. Kjo bënte siç shprehej Aristoteli në “Politika” V II, duke ju referuar kushtetutës molose, që “vetë monarkët në këto raste të bëhen më pak despotë”. (Neritan Ceka “Ilirët, faqe 72). Nga sa më sipër arrihet në përfundimin se qeverisja e epirotëve nëpërmjet ligjeve ka qenë nga më demokratiket e kohës. Pra, kur popuj qeverisen nga sistemet politike dhe juridike nga më të përparuarit e kohës, nuk mund të quhen kurrsesi barbarë. Këto ligje dhe kjo mënyrë qeverisjeje e epirotëve ka arritur deri në prag të shoqërisë moderne të shekullit të XX me kanunin e Labërisë dhe Pleqësitë, të cilat ishin ekzekutivët më të përparuar që njeh qytetërimi modern. Bota, deri me sot, nuk ka njohur një ekzekutiv me efikasitetin maksimal, gati 100 për qind, të padiskutueshëm dhe të zbatueshëm me ndërgjegje të plotë nga vet qytetarët. Lidhur me këtë kanun Arsim Spahiu në veprën e vet “Shteti Epirot” thotë: “…Kanuni i Labërisë, njësoj si “Kanuni i Maleve”, ose Kanuni i Leke Dukagjinit, përmbledh disa ligje, që janë nga më të vjetrit e Evropës, sikurse ka thëne profesori i historisë së ligjes n’universitetin e Munchen, Baroni Claudius von Schverin. E drejta zakonore në Labëri e më gjerë, nënvizon Ismet Elezi, është produkt i pleqve ilirë anonimë të Kaonisë, dhe pse jo të mbarë Epirit e më gjere.” (vepra e cituar faqe 12). Kjo mënyrë vetëqeverisje e racës tonë ka sfiduar të gjitha pushtimet e kryera nga perandoritë më të fuqishme të kohës, qysh nga agimi i erës së re e deri në prag të shekullit XX. Këtë kulturë pellazge të Epirit e trashëguan pasardhësit e pellazgëve që banonin të ngulur historikisht në këtë trevë; Arbrit (Arbëreshët, Arbanitasit), të cilët gradualisht nga mesjeta e vonë dhe këndej filluan ta quajnë veten shqiptarë. Kjo kulturë pasqyrohet fuqishëm në etnografinë e banorëve autoktonë të tij prej mijëra vjetësh, dhe duke përjashtuar prerazi ardhacakët e ardhur të pas pushtimit romak dhe kryesisht pas erës sonë e tëhu. Popullata, të cilat mund të kenë pasur një origjinë të largët të përbashkët me banorët autoktonë të Epirit, por që gjuha, zakonet, traditat dhe kultura e tyre dallohej dukshëm prej epirotasve vendalinj. Kjo kulturë vështrohet qartazi në këngët dhe vallet epirote (Thesproto-Kaono-Mollose). I ashtuquajturi “jambi mollos”, ose “vallja pirrike”, vinte që nga mugëtira e kohërave, dhe sot kërcehet nga pasardhësit e tyre, labët dhe çamët. Shpeshherë, duhet ngulur këmbë se mitet dhe legjendat paraqesin një realitet të vërtetë dhe të jetuar; Por që në ditët tona, ky realitet ka ardhur i mjegullt, i ndryshuar dhe i modifikuar gjatë shekujve. Ky fakt, që “jambi mollos”, ose “vallja pirrike”, kërcehen sot nga labët dhe çamët, të cilët janë pasardhësit e Kaonëve dhe Thesprotëve të lashtë; vërteton legjendën, e cila na thotë, se këtë valle e kanë kërcyer Dioskurët, Polydeuku dhe Kastori, paraardhësit e Kaonëve dhe Thesprotëve. Ja si ruhet tradita për mijëra e mijëra vjet.

(Vijon)

 Stefan Dhëmbeli

 Studiues

 

 

 

 

 

 

 

 

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Comment here