7 Marsi, Topalli: Edukimi i rëndësishëm, çon vendin në zhvillim dhe progres

Kryetarja e Kuvendit, Jozefian Topalli zhvilloi një aktivitet festiv me mësueset për 7 Marsin. Topalli shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e palodhur të mësueseve në edukimin e fëmijëve dhe përgatitjen e tyre për të qenë të suksesshëm në jetë dhe kudo. “Edukimi është gjëja më e rëndësishme, është ai që çon vendin në zhvillim dhe progres. Edukimi mund të konsiderohet edhe si “buka e shpirtit”. Në fëmijërinë e çdo individi ndodh që ndijesia i paraprin çdo refleksioni, dhe ky është mësuesi i tyre i parë, është mësuesja e tyre e parë, dhe kjo është gjëja më e bukur që ndodh te secili që ne e kemi gjënë më të shtrenjtë, që është dhuratë e dashurisë, që është dhuratë e zotit”, tha Kryetarja e Kuvendi. Në një atmosferë ngjyrash, melodie e këngësh, plotë me dashuri e mirënjohje, mësueset, zonja të nderuara, ndryshe nga çdo ditë tjetër, u bashkuan për të festuar Ditën e 7 Marsit, në ambientin miqësor të Kuvendit të Shqipërisë. Mësueset e dashura mes buzëqeshjesh e lule mimozash ndër duar mbushën si asnjëherë tjetër sallën e Kuvendit të Shqipërisë për të marrë mesazhet më të thella të dashurisë dhe mirënjohjes në misionin e tyre fisnik. Në një takim miqësor, mësueset ndanë në këtë ditë momente të ëmbla, ku mes bisedash e këngësh çelën një atmosferë të ngrohtë e të gëzuar.

Comments are closed.