Topi dekreton rektorët: Universitetet t’i largohen politikës, edukim të pastër për studentët


Presidenti, Bamir Topi ka dekretuar sot të gjithë rektorët që u zgjodhën në postet drejtuese të universiteteve. Në fjalën e tij, kreu i shtetit ka deklaruar se universitetet duhet t`i largohen politikës dhe të bëjnë të mundur një edukim të pastër të studentëve.  Kreu i shtetit gjithashtu kërkoi më shumë cilësi në dhënien e diplomave duke kërkuar edhe kontributin e drejtëpërdrejtë të rektorëve. Ai ka theksuar se rëndësia e diplomimit dhe edukimit të brezave të ardhshme është e rëndësishme. “Është një proces që nuk mbaron asnjëherë, dëshiroja që këtë proces ta realizonit me sukses, përveçse jeni në mandatin e dytë dëshiroj të rrisni performancën tuaj për t’i shërbyer edukimit qytetar. Ligji ka ndryshuar disa herë, edhe këtu diskutimet janë të ndryshme, nëse ligji e ka të nevojshme që të korrektohet nuk ka pse të mos ndërhyhet, por kur gjërat janë të konsultuara me ju, atëherë ligji jep garanci se do të ketë më jetëgjatësi. Ky ligj i ri i miratuar të jetë një moment frymëzimi për trupën universitare që t’i afrohet pjesës që ka të bëjë me mënyrën e sjelljes së universiteteve analoge kudo në mbarë Europë e botë. Këtë ditë dëshiroj gjithashtu ta ndajë me ju edhe për një tjetër problem, për kontrollin e diplomave që vijnë nga universitetet. Jam president, jam kryetar i shtetit dhe bëhem interpret i zërit të çdo qytetari. Kjo shkon më shumë në përgjegjësinë e universiteteve private, që dhe të kenë përgjegjësi qytetare përpara ligjit dhe moralit. Nuk mund të mendoj që sot të bëjë diferencim, por them se tek çështja e moralit të përgatitjes dhe diplomimit nuk duhet të bëjë askënd që të qëndorjë indiferent”, u shpreh presidenti. Po ashtu kreu i shtetit është ndalur edhe në universitetet private, ku theksoi se kjo fazë e zhvillimit politik dhe institucional ka krijuar mundësi dhe për hapjen e tregut për universitetet private, gjithçka duhet të shkojë në një standart. “Ne nuk duhet të lejojmë që të ketë diferenca. Është një sistem i cili duhet të kontrollojë vetveten në radhë të parë, jeta akademike universitare imponon njerëzit për të mbrojtur vlerat e sistemit universitar e akademik”, theksoi presidenti i vendit. Nga ana e tij, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule theksoi se mandati i dytë do të ketë si standart cilësinë. “Është një ditë e veçantë për arsimin e lartë pasi në ditën e mësuesit dekretohen rektorët e universiteteve publike të ardhur pas një procesi zgjedhor model për t’i dhënë një mesazh shoqëeisë që procesi i zgjedhjeve ka hapësira që mund të bëhen mirë. Tashmë masimizimi i realizuar edhe në Shqipëri ka nevojë për standarte cilësore dhe mandati ynë i dytë ka si standart cilësinë. Kam bindjen se të gjtihë do të punojmë në respekt të ligjit për të realizuar atë mision që kanë universitetet ndaj shoqërisë”, ka theksuar Kule.

 

Comments are closed.