70-vjetori i formimit të Çetës Plakë të Vlorës

Ishte e para çetë partizane në qarkun e Vlorës. U inaugurua më 04.12.1942, në fshatin Gjorm, të krahinës së Mesaplikut, kryesisht nga ilegalë të fshatrave të qarkut të Vlorës, që bënin pjesë në njësitet partizane të krijuara që më parë.

Në periudhën e vështirë të viteve 1942-1943, kur veprimtaria e fashistëve u përqendrua në fshatin Gjorm, në këtë vatër urrejtjeje dhe reagimi kundër armikut nga qarkori i Vlorës, u pa e nevojshme, se sulmeve dhe represioneve të armikut nuk mund t’u bënin ballë me njësite të vogla luftarake, ndaj në përputhje me situatat, që po kalonte Ushtria NÇL duhej kaluar në formacione më të mëdha, me autonomi më të gjerë veprimi e me forca më të shumta. Formimi i Çetës Plakë u favorizua nga disa rrethana, nga disa kushte konkrete. Në muajin shkurt të vitit 1942, në fshatin Gjorm, u formua celula e Partisë Komuniste për Krahinën e Mesaplikut. Sipas dokumentacionit të studiuar në fillim të vitit 1942, qarkori i partisë për Vlorën punonte, për formimin dhe konsolidimin e njësiteve luftarake. Këto njësite, të përbëra kryesisht nga fshatarë gjormiotë, vepronin nën hundën e oficerëve fashistë, ku asgjësuan shumë spiunë të rrezikshëm, tradhtarë të kombit, shkatërruan depo municioni dhe armatimi dhe asgjësuan shumë autokolona armike. Në Gjorm ishte formuar dhe vepronte Këshilli Nacionalçlirimtar, duke dhënë një kontribut të madh në zgjidhjen e shumë problemeve që diktonte koha.

Në atë periudhë, Gjormi ishte vatra e parë e qëndresës antifashiste, ndaj edhe urrejtja, veprimet luftarake të tij duheshin konkretizuar me formacione më të mëdha luftarake për ecurinë e mëtejshme të luftës së armatosur.

Në rang vendi, duke iu referuar formimit të çetave partizane në periudhën e sundimit fashist në vendin tonë gjatë viteve 1942-1943, Çeta Plakë e Vlorës zë fill pas krijimit të Çetës Partizane të Pezës, të Gorës dhe të Kurveleshit.

Faktet që përmendëm e shumë të tjerë çuan në atë rrjedhë logjike të krijimit të Çetës Plakë atje pranë burimit në rrepat e Vrizit pranë lagjes Dregjon.

Siç përmendëm më lart, nga qarkori i Partisë për Vlorën, u vendos që Çeta Plakë të krijohej në Gjorm, sepse në këtë fshat zinte më shumë urrejtja kundër fashizmit. Njësitet e shumta luftarake kishin fituar eksperiencë në luftën kundër fashizmit.

Kjo çetë u krijua në fshatin Gjorm pa qenë sajesë, apo dëshirë subjektive, por një domosdoshmëri historike, që simbolizonte vullnetin e mbarë komunitetit gjormiot e të Krahinës së Mesaplikut, duke konsideruar fshatin Gjorm më të përshtatshëm për këtë problem.

Urrejtja dhe lufta e vendosur kundër fashizmit në fshatin tonë kishte shumë faktorë.

Në Luftën e Parë Botërore, fshatarët tanë provuan në kurrizin e tyre mizoritë e të huajve. Këtu, italianët ndërtuan vendkomandën duke zaptuar me forcë shumë toka të fshatarëve. Gjatë periudhës së qëndrimit në Gjorm, në kontaktet e përditshme me ushtarët italianë, kishin ndodhur shumë konflikte, bile të armatosura. Në Gjorm, italianët ndërtuan fortifikata në vende strategjike.

Pas 20-vjetësh, erdhi përsëri ai pushtues. Të moshuarit i kishin të freskëta në kujtesë mizoritë e të huajit, ndaj bashkë me intelektualët e fshatit orientuan drejt masën fshatare në luftë të pamëshirshme kundër fashizmit. Gjashtë intelektualë gjormiotë mbanin pseudonime, sepse ndiqeshin nga fashizmi.

Formimi i këtij formacioni partizan të pasur edhe nga të tjerë mbyllte kështu “Portën e Mesaplikut”, me qëllim që armiku të mos depërtonte përpjetë luginës.

Nga pikëpamja strategjike, çeta u krijua në Vriz, sepse aty ishte vendi më i përshtatshëm, i mbrojtur dhe larg rrugës automobilistike. Sipas dëshmive të bashkëfshatarëve tanë, çeta bëri tentativë, që të krijohej që në muajin korrik 1942, por për mungesë armatimi u shty për më vonë. Sipas të dhënave që jep Shamet Gjika, në librin “Ditari i Kohëve me Gjëmime”, çeta u krijua në muajin nëntor prej 20 vetash dhe formën e plotë të organizimit e mori më 04.12.1942. Në këtë datë, u plotësuan kushtet dhe ajo u organizua sipas procedurave me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të qarkorit të partisë, të individëve nga fshati dhe nga fshatrat për rreth. (Shamet Gjika, pjesëmarrës në formacionet partizanë, që nga njësitet guerile deri në formacionin luftarak të Brigadës së Pestë Sulmuese pjesëmarrës në inaugurimin e Çetës Plakë).

Në rreshtimin e parë efektivi i çetës kishte në përbërje efektivin e çetës territoriale “Hasan Katrani” të fshatit Gjorm si dhe shumë të ardhur nga fshatrat e tjerë të Krahinës së Mesaplikut.

Në fillim çeta u inaugurua me 40 anëtarë ku 8 vetë ishin nga fshati Gjorm. Komandanti i çetës u zgjodh Neki Imeri, ndërsa komisar Qazim Çakërri. Të deleguar nga Qarkori i Partisë për Vlorën ishin Hysni Kapo, Ibrahim Dervishi dhe Arif Hasko.

Aktiviteti luftarak i Çetës Plakë

Që në ditën e krijimit të saj, Çeta Plakë u ndesh me një autokolonë fashiste tek Ura e Gjormit.

Për të mbajtur të shtypur popullin e luginës së Shushicës forcat fashiste qarkullonin dendur në rrugën Vlorë-Kuç. Qarkori i Partisë Komuniste për Vlorën me kohë kishte dhënë alarmin, se duheshin organizuar prita në vende strategjike, për t’i shkaktuar sa më shumë dëme armikut.

Vendi më i përshtatshëm për t’i bërë pritën autokolonës së armikut ishte Qafa e Pëllumbit midis fshatit Vranisht dhe Tërbaç, Ura e Sirolakut midis fshatit Lepenicë dhe Brataj dhe Ura e lumit në Gjorm.

Në pritën që u bë në Qafë të Pëllumbit fshati Tërbaç, pësoi dëme të mëdha nga forcat milice fashiste, pas përfundimit të aksionit.

Për hir të së vërtetës, duhet të themi se fshatrat e tjerë nuk pranuan të bëhesh prita në territorin e tyre me pretendimin se do të dëmtohej fshati siç u dëmtua Tërbaçi. (E vërteta duhet dokumentuar ashtu siç është).

Barra e rëndë, por tepër e lavdishme, i ngeli fshatit Gjorm. U vendos që prita kundër forcave milice të bëhesh tek Ura e Lumit në Gjorm. Në këtë pritë morën pjesë Krerët e Qarkorit të Vlorës, efektivi i sapoformuar i Çetës Plakë, fshatarë të Gjormit dhe përfaqësues të forcave nacionaliste.

Autokolona armike përbëhej prej një detashmenti prej 60 milicësh e karabinierësh. Fashistët nën komandën e një majori italian po ktheheshin me 4 kamionë në Vlorë nga një veprim terrori (djegie shtëpish të partizanëve në Mesaplik.)

Komanda e Çetës dhe Qarkori i Vlorës kishin marrë masat e nevojshme, duke vendosur çdo luftëtar në vende sa më të përshtatshme, për asgjësimin e forcave të armikut.

Forcat armike u futën në pritë. U dha sinjali sulmit. Breshëri armësh nga të gjitha anët. Rikonicioni ushtarak ishte bërë në mënyrë të përsosur. Pas dy orë luftimesh, armiku, duke mos pasur mundësi tjetër, u dorëzua. U zunë robër 40 milicë, dy karabinierë dhe dy oficerë si dhe shumë armatime dhe municione.

Përfundimi me sukses i aksionit e konsolidoi më shumë çetën e periudha në vazhdim ishte e ngjeshur me veprime luftarake, të cilat çeta i realizoi me shumë sukses. Nëpërmjet zhvillimit të veprimeve luftarake, çeta mori tiparet e një reparti të organizuar.

Aksionet e njëpasnjëshme e kalitën çetën dhe me gjithë epërsinë e kundërshtarit, ajo i realizoi më së miri detyrat.

Situata e krijuar i diktoi çetës që së bashku me popullsinë, të kryente detyra të reja shumë më të vështira.

Ushtria italiane në Radhimë kishte depo të mëdha municioni e armatime të ndryshme. Për ruajtjen e kësaj depoje aty kishte një garnizon të përbërë prej batalionit të këmbësorisë bregdetare. Depoja ishte e fortifikuar mirë. Aksioni kundër depove të armatimit në Radhimë kishte një rëndësi të veçantë, jo vetëm për rëndësinë ushtarake, që paraqitesh, por më shumë ndodhej afër qytetit të Vlorës ku ishin grumbulluar forca të mëdha ushtarake të armikut, për të zhvilluar operacione ndëshkimore në krahinën e Vlorës.

Komanda e Çetës organizoi zbulimin mbi vendndodhjen e armikut. Në të gdhirë pasi u dha sinjali i sulmit partizanët sulmuan me bomba dore dhe hapën zjarr me të gjitha armët që kishin. Depoja u shkatërrua dhe për ditë të tëra dëgjoheshin shpërthimet e predhave dhe municionet që ishin vendosur aty.

Pas pritës së urës së lumit në Gjorm sulmi dhe shkatërrimi i depove të armatimit në Radhimë tregoi se partizanët e Çetës Plakë, të mbështetura nga njësitet e armatosura të popullit kishin forca të mjaftueshme për të kryer veprime më të mëdha më të organizuara në dëm të armikut.

Aksioni i djegies së depove të Radhimës ndihmoi në ngritjen e moralit të forcave tona, në komandimin e tyre për veprime të mëtejshme luftarake, por nga ana tjetër shkaktoi panik në radhët e armikut, të cilët ishin grumbulluar në Vlorë për operacione ndëshkimore kundër forcave tona.

Zgjerimin e luftës së armatosur në Shqipëri e mori në shqyrtim qeveria kukull në mbledhjen e saj së bashku me komandën italiane dhe duke mos pasur mundësi tjetër vendosën të ndërmarrin operacione në shkallë të gjerë kryesisht në qarkun e Vlorës dhe në Krahinën e Mesaplikut. Në dhjetor të vitit 1942 ministri i Punëve të Brendshme deklaronte: “Në tërë Shqipërinë, Vlora mban rekordin e turbullirave” Erdhi dita e masave të forta, prandaj vepra shtypëse, ndëshkuese e autoriteteve fashiste do të fillonte në Vlorë.

Në rrethinat e Vlorës pushtuesi fashist kishte portin detar më të afërt, për furnizimin e ushtrisë fashiste në Shqipëri me mjete teknike, me armatim luftarak, prandaj këtë qytet dhe krahinat për rreth tij, donin ta kishin zonë të qetë nga veprimet sulmuese të forcave partizane. Për këtë, në urdhrin e operacionit, në qarkun e Vlorës, Jakonomi dhe Mustafa Kruja shtronin arritjen e këtyre qëllimeve duke pasur në plan të parë të bënin çarmatimin e plotë të popullsisë, të kapnin “banditët” dhe të siguronin bashkëpunim me popullsinë si garanci për të ardhmen.

Në etapën e dytë komanda italiane parashikonte të kryente veprimet e spastrimit dhe të ndëshkimit të Krahinës së Mesaplikut e sidomos në fshatin Gjorm, me qëllim që të çarmatosej plotësisht popullsia si garanci për të ardhmen, të kapeshin dhe të asgjësoheshin forcat partizane, të arrestoheshin elementët e dyshimtë dhe të sigurohej qetësia në qarkun e Vlorës. Në fillim u caktuan të merrnin pjesë në operacion legjioni i tretë i milicisë fashiste me 1000 vetë, një batalion tjetër milicish fashiste dhe reparte të motorizuara bresalerësh, dy banda të tradhtarëve Halil Alia dhe Selim Kaloshi, me rreth 1500 vetë si dhe një grup karabinierësh rreth 500 vetë.

Në memorien tonë janë regjistruar vargjet e popullit për këtë problem:

Ç’është kështu siç dëgjojmë

Mercenarët po shkojnë

Ngamaliparë kaptojnë

nga Tragjasi për në Gjorm.

Qeveria Krishinge mendonte se milicia fashiste, së bashku me mercenarët, do të shuante Lëvizjen Antifashiste NÇL në fshatin Gjorm dhe në krahinën e Mesaplikut dhe poeti anonim vazhdoi citimin:

Kruja me Qazim Koculë

Mercenarët n’Vlor’i prunë

T’i shtrojmë t’i bëjmë pulë

dhe luftën në Gjorm e zunë.

Për Epopenë e Gjormit është folur dhe shkruar shumë, madje edhe nga njerëz amatorë, që duke mos qenë kompetentë për artin e luftimit bëjnë edhe gabime pa dashje.

Le t’i trajtojmë disa probleme në prizmin ushtarak

Çeta Plakë me gjithë fshatarët gjormiot të ndihmuar nga vullnetarët e krahinës hynë në luftë të imponuar dhe në mënyrë të pabarabartë me armikun.

Në rrethana të tilla, merren në konsideratë dy opsione:

– Ose pranon kushtet e pushtuesit dhe nuk vazhdon luftën.

– Ose i përgjigjesh armikut me të njëjtin qëndrim, duke mos marrë parasysh pasojat, dëmet, që do të shkaktojë ndeshja me armikun, por duke pasur si qëllim final fitoren mbi armikun.

– Ne pranuam dhe u futëm në luftë frontale, pa plotësuar elementët e saj, për t’u ndeshur me armikun frontalisht, pasi armiku ishte superior në njerëz dhe në armatime. Në radhët e armikut në këtë operacion ndëshkimor numëroheshin 3500 forca (milicë fashistë, mercenarë shqiptarë pa ndjenjë shqiptarizmi, që për para u vunë në shërbim të pushtuesit, për të luftuar kundër vëllezërve të tyre jugorë), karabinierë të përforcuar me bateri artilerie, makina të blinduara dhe avionë luftarak, ndërsa në radhët tona numëroheshin rreth 1500 luftëtarë të pajisur me armë të rrëmbyera armikut dhe me granata dore.

– Ne pranuam të futemi në luftë të pabarabartë me armikun, sepse ne mbronim shtëpitë tona vatrat tona. Kjo ishte edhe arsyeja e fitores në këtë luftë.

Në frontin më të vështirë të përballjes me forcat tona armiku vendosi mercenarët. Kur mercenarët e Halil Alisë dhe Selim Kaloshit pas sulmit të forcave tona në Kalibaq, bashkë me 80 kufoma, që lanë në fushën e betejës i transportuan për në Gjorm bashkë me rraqet, që kishin rrëmbyer në Tragjas.

Siç përmendëm për Epopenë e Gjormit është folur e shkruar shumë, madje edhe nga individë amatorë duke hedhur edhe hamendësim se urdhri për ndërprerjen e luftës nga ana e qarkorit të Vlorës ishte i gabuar, kur forcat fashiste dhe mercenare ishin përkohësisht të rrethuara në Gjorm.

Duke shikuar me kujdes hartën apo teatrin e veprimeve luftarake të asaj beteje na bie në sy:

Nga Drashovica deri në Qafën e Dushkut nuk është bërë asnjë rezistencë nga vendasit. Ka një përqendrim të paktë forcash tona në fushën e Gumenicës, në Neshtë, në Qafën e Sanxhakut dhe tek Ura e Frëngut afër Gjormit. Rrethimi i plotë i forcave të armikut është bërë në Kalibaq. Gjormi është plotësisht i rrethuar nga forcat armike. Armiku zotëron hapësirë deri në Sirolak dhe kjo rrugë është e lirë për armikun. Për të mos rënë në rrethim në frontin e jashtëm në veri të fshatit Gjorm komanda italiane vendosi forca të shumta, për të mbrojtur rrugën automobilistike Drashovicë, Qafa e Dushkut, Gjorm. Kjo e komplikoi më shumë situatën. Në këtë mënyrë armiku mund të siguronte një hapësirë të ngushtë gjatë së cilës mund të tërhiqte repartet.

Në të njëjtën kohë, mbajtja e kësaj rruge të bllokuar nga forcat armike pengoi manovrat e forcave partizane në rrugën Vlorë-Tepelenë, që do të dilnin në rajonin e Gjormit.

Sulmi i kryengritësve filloi në orën 07.01.1943. Fashistët vunë në përdorim edhe artilerinë. Në hapësirën qiellore, aeroplanët e luftimit të italianëve vinin rrotull në fushën e betejës, mitralonin e bombardonin pozicionet e forcave tona.

Pas kësaj forcat partizane e vullnetare u hodhën në sulm dhe i detyruan forcat fashiste e mercenare të tërhiqen nga fronti i luftimit dhe të strehohen në fshatin Gjorm. Në shtëpitë e fshatit kishte vetëm të moshuar, gra dhe fëmijë, sepse të gjithë meshkujt e aftë për luftë ishin në frontin e luftimit.

Nuk u desh shumë kohë që edhe krahu i djathtë i kundërshtarit në Kalibaq të thyhej keqas. Kjo thyerje e vinte armikun përball shkatërrimit. Me gjithë urdhrat dhe kërcënimet e oficerëve italianë mercenarët të rënë moralisht nga humbjet, që pësuan në Kalibaq nuk donin të vazhdonin me operacionin.

Afër mesditës grupi kryesor armik në Gjorm ndodhej i rrethuar plotësisht nga forcat kryengritëse.

Në pasditen e 1 janarit 1943 gjendja e armikut të rrethuar në Gjorm u bë tepër kritike dhe për të zhbllokuar këtë situatë komanda e korpusit të 25-të u detyrua të nxirrte nga Vlora forcat e një batalioni të motorizuar të përforcuar me një grup artilerie.

Kjo situatë krijoi vështirësi dhe rrezik për forcat tona, sepse mundi të çelte një shteg e të rivendoste ndërlidhjen midis forcave armike, që ndodheshin në Gjorm dhe forcave që po vinin nga Vlora.

Luftimet u ndërprenë në mbrëmje vonë.

Në situatën e krijuar Qarkori i Vlorës komanda e forcave partizane e gjykoi të disfavorshme vazhdimin e mëtejshëm të veprimeve luftarake. Duke mos plotësuar elementët e një lufte frontale të përballjes me armikun, ishte e detyruar të shkëpuste kontaktet me të, ishte e detyruar të ruante forcat e pakta partizane, të siguronte pozicione të përshtatshme, për thyerjen e një operacioni tjetër të mundshëm të armikut dhe mbrojtjen e zonës së Mesaplikut.

Në mbrëmjen e datës 01.01.1943 forcat e armikut, që erdhën nga Vlora zhbllokuan forcat e rrethuara të batalionit të 50-të të këmbësorisë si dhe mbeturinat e mercenarëve.

Në Epopenë e Gjormit armiku la 80 të vrarë (milicë e mercenarë) dhe përkohësisht qëllimi u arrit, që nënkupton shpëtimin e Çetës Plakë nga asgjësimi. Armiqtë nuk mundën të depërtonin përpjetë Luginës së Shushicës, për çarmatosjen e plotë të popullsisë. Ky është një pohim i vërtetë, por duhet të pohojmë edhe një të vërtetë tjetër, se të gjitha pasojat e luftës ranë mbi fshatin Gjorm. Ende sot të moshuarit, që janë ende gjallë kujtojnë me drithërim pasojat e kësaj lufte, ku mercenarët pa moral e gjak shqiptari të etur për para e rraqe u futën në çdo shtëpi të fshatit, duke masakruar gra pleq e fëmijë, dogjën shumë shtëpi të fshatit dhe si njerëz pa gjak shqiptari bashkë me kufomat e njerëzve, që u vranë në Kalibaq u ngarkuan në makina rraqe të vjetra bakërre, sende ushqimore, rroba grash, që gjetën nëpër shtëpitë gjormiote. Komanda fashiste arrestoi 30 burra gjormiot më shumë të moshuar, ata që gjeti në shtëpitë e tyre dhe i burgosi për tre muaj në Vlorë.

Le të shkëpusim disa çaste nga luftimet në Kalibaq ku forcat mercenare e milice ngelën të rrethuara:

Kalibaqi ndodhet në pjesën perëndimore të fshatit Gjorm. Që në lashtësi ka qenë i banuar si vend parësor, pasi plotësonte kushtet për bujqësi e më tepër për blegtori në të gjitha stinët e vitit. Mercenarët pasi zbritën nga faqja e malit qëndruan këtu për t’u çlodhur, për t’u organizuar e mandej për të zbritur për në Gjorm.

Komanda e çetës kishte bërë në mënyrë të përsosur rikondicionin dhe vendi ishte plotësisht i rrethuar. Në pjesën perëndimore të vendit të rrethuar disa djem nga Gjormi dhe Lepenica me një dylbi të vjetër dalluan një oficer të hipur në kalë.

Ky do të jetë i madhi i tyre – menduan – dhe barkas nëpër shkurre duke qëlluar me pushtet e u rrëzua nga kali. Ky ishte komandanti i operacionit koloneli Kelmentis, që ishte betuar për Gjormin:

Në u varça dot i gjallë

do të djeg do të vë zjarr.

Ndodhi e kundërta e asaj që kishte parashikuar koloneli:

Kalibaq o zoll’ i bardhë

U vra konsulli mbi kalë.

Ana jugore dhe ana lindore ishin të pakalueshme për kundërshtarin për vetë terrenin e pjerrët me shkurre dhe gurë dhe nga masat, që kishte marrë komanda e çetës. I vetmi vend, pra pjesa lindore ku ishte edhe synimi i armikut, për të depërtuar për në Gjorm ishte i zhveshur, i pjerrët. Komanda e çetës në errësirën e natës me motin e keq shi dhe sqota bore nuk kishte mundur të merrte masa të përshtatshme, që armiku të ndodhesh plotësisht në darën e rrethimit, në gjuhën ushtarake të paktën pozicione të përshtatshme luftimi me mjete rrethanore, për t’u mbrojtur nga aviacioni apo predhat e artilerisë armike. Megjithatë luftimet u zhvilluan të ashpra. Një skuadër mitralere e vendosur në këtë territor vështirësonte sulmin e forcave tona dhe bënte të mundur, që armiku gradualisht të depërtonte për në Gjorm.

Partizani Bako Tofili bashkë me disa djem nga Gjormi nëpër shkurre, në mënyrë të fshehtë me granata dore asgjësojnë efektivin mitraljer, por Bakua mbeti aty në fushën e betejës.

Dhe poeti popullor thuri vargjet:

Kalibaq o zall i hollë

kush e sulmon mitraloza

Bakua me dy-tre gjormë.

Dëshmori i Luftës Antifashiste NÇL Bako Tofili u lind në Gjorm, më 1913. Shkollën fillore e mbaroi në fshat. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste Bakua me shumë gjormiot të tjerë morën pjesë në shkatërrimin e linjave telefonike të armikut, në djegien e depove të armatimit e të municionit dhe në eliminimin e spiunëve të rrezikshëm. Për këto veprime ra në sy të pushtuesit dhe si njëri problematik e arrestojnë dhe e çojnë në burgun e Burrelit. Pas disa muajsh në burg Bakua me disa të rinj të tjerë shqyejnë portat e burgut dhe në errësirën e natës largohen. Që nga ajo periudhë Bakua u hodh në ilegalitet me shumë djem gjormiot.

Në inaugurimin e Çetës Plakë Bakua bashkë me 7 gjormiot të tjerë bëhet anëtar i efektivit të saj.

Edhe në ditët e sotme, në dasma apo ceremoni të organizuara në fshat këndohet kënga:

Të kërkon Delo Balili

Lule o Bako Tofili

Të dalç lart nga Shënmërtiri

Atje ku u vra Selimi.

(Beqir Selimi nga Tërbaçi dëshmor i Luftës A. N. ÇL. vrarë në luftën e Gjormit).

Në vazhdën e veprimeve luftarake Çeta Plakë merr pjesë në Aksionin e Patozit më 10.2.1943 ku është sulmi tjetër kundër garnizoneve italiane të fortifikuara. Në këtë aksion të rëndësishëm në ndihmë të Çetës Plakë shkoi edhe Çeta e Mallakastrës. Pas dy orë luftimesh armiku e pushtoi qëndresën, duke lënë në fushën e betejës 10 të vrarë dhe 57 robër. Forcat partizane zunë edhe një sasi të madhe armatimi e municioni. Si repart tashmë i organizuar Çeta Plakë vazhdoi aksionet luftarake kundër pushtuesve sipas detyrave që i caktoi qarkori i Vlorës.

Për t’u përmendur në këtë periudhë është edhe aksioni kundër forcave fashiste në Selenicë më 21.02.1943, për të penguar shfrytëzimin e minierës së bitumit nga ana e pushtuesit.

Në këtë aksion si në atë të Patozit morën pjesë Çeta Plakë e Vlorës dhe Çeta e Mallakastrës.

Natën e 21 shkurtit 1943 partizanët prenë ndërlidhjen telefonike me Selenicën. Toga e këmbësorisë italiane, që ishte për ruajtjen e objektit u tërhoq. Partizanët shkatërruan pajisjet, dogjën ofiçinën dhe morën me vete një sasi drithi dhe shumë armatime.

Miniera e Selenicës mbeti për një kohë të gjatë pa shfrytëzuar nga ana e armikut. Armiku për të ripushtuar Selenicën nisi drejt saj mbi 200 ushtarë dhe një kompani mitraljerë.

Të dy çetat partizane u ndeshën përsëri me armikun në Selenicë, më 01.04.1943. Edhe në këtë përleshje armiku pësoi disfatë të plotë. Më 20.06.1943 Çeta Plakë e Vlorës u rreshtua në batalionin partizan Ismail Qemali dhe Halim Xhelo.

Skënder Seferaj

Similar Posts