8 Marsi, Rama mesazh urim për gratë: Koha për të reflektuar

Kreu i Partisë Socialiste ka uruar gratë dhe vajzat shqiptare me rastin e 8 marsit. Rama e ka shoqëruar urimin e tij edhe me një imazh të shkëputur nga koreografia e Angjelin Preljocajt.  Në mesazhin e tij Rama thekson se është koha për të reflektuar, dhe ende duhet bërë shumë që gratë dhe vajzat në Shqipëri të kenë liri e të drejta të barabarta me ato që gëzojnë simotrat e tyre në botën e lirë. “Që gratë dhe vajzat në Shqipëri të mos diskriminohen e mbeten pas, të mos vuajnë dhunën në familje e papunësinë që ndër gratë është edhe më e përhapur se ndër burrat, të mos bien viktimë e paragjykimeve apo e ringjalljes në plot zona të vendit të një sjelljeje izoluese ndaj tyre. Që gratë dhe vajzat në Shqipëri të mos mungojnë si sot, jo për faj të tyre, në rolin e patjetërsueshëm që natyra e liria u ka përcaktuar për ekuilibrat e sotëm shoqërorë të vendit. Nëse do t`ua mundësojmë që ta luajnë këtë rol s`ka pikë dyshimi se Shqipëria do të bëhet shumë më e fortë politikisht dhe ekonomikisht”, thekson Rama.

Comments are closed.