Reforma Zgjedhore, Wollfarth-Arvizu: Të mbyllet brenda afateve

Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë dhe ai i OSBE, kanë kërkuar mbylljen e Reformës Zgjedhore brenda afateve të caktuara. Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu dhe ai i OSBE-së, Eugen Wollfarth gjatë fjalës së tyre në tryezën me temë “Teknologjitë e reja në zgjedhje dhe administrimi i tyre”, e kanë cilësuar të rëndësishme respektimin e afateve kohore për reformën zgjedhore, në mënyrë që  gjërat të mos lihen për në momentin e fundit, ashtu siç është bërë në të kaluarën. Në fjalën e tij, ambasadori amerikan, Arvizu ka theksuar se kodi aktual është bazë e mirë, por ka disa boshllëqe, të cilat duhen realizuar. “Zgjedhjet e shkuara kanë pasur disa hapa pozitivë, por kanë pasur edhe mjaft mangësi të cilat janë vërejtur edhe nga institucionet ndërkombëtare. Institucionet ndërkombëtare po ndihmojnë të adresojnë çështjet e duhura në reformën zgjedhore. Për SHBA është e rëndësishme që këto çështje të vihen sa më shpejtë në zbatim si dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri. Është e rëndësishme që në zgjedhjet e 2013 të ketë një bazë në reformën zgjedhore e të mos mbeten për në minutën e fundit siç ka ndodhur shpesh, është e rëndësishme të mos ketë mangësi të cilat çojnë në bllokimin e procesit apo në kalimin e përgjejgësive tek njëra palë apo tek pala tjetër. Zgjedhjet e 2013 nuk duhet të shihen si proces që secila palë të shoh forcën e saj, por është tepër e rëndësishme për qytetarët dhe ecjen drejt demokracisë. Të ketë kompromis mes palëve për çështjet”, ka theksuar në fjalën e tij ambasdori amerikan. Me të njëjtën kërkesë ka dalë edhe kreu i prezencës së OSBE-së, ambasadori Eugen Wollfarth. Sipas tij, duhet të adresohen gjithë propozimet e bëra nga OSBE/ODIHR për të mundësuar një reformë zgjedhore të standardeve më të mira. “Palët duhet të adresojnë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR, ky është proces që i përket klasës politike shqiptare. Kemi parë zgjidhje të minutës së fundit për reformën zgjedhore. Kodi zgjedhor synohet të jetë një ligj që ti rezistojë kohës dhe të jetë baza për të gjitha zgjedhjet në Shqipëri. Besimi është shumë i rëndësishëm. Është e rëndësishme të adresohen të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR për t’i dhënë një formë të plotë e për të çuar drejt niveleve demokratike të zhvillimeve të zgjedhejve në shqipëri. Janë të gjitha këto elementë që duhet të çojnë në suskesin e reformës zgjedhore që duhet të jetë e bazuar në dialogun mes palëve. Duhet të ketë një frymë e bashkëpunim për ti dhënë kod të mirë zgjedhorë qytetarëve”, është shprehur Wollfarth.

 

Comments are closed.