A ka dallime gjinore në industrinë e muzikës?

 

Mëmësia dhe profesioni- ekuilibër i roleve. Në ditët e sotme kemi një tablo të figurës femërore me më shumë dëshirë për të qenë e pavarur, më e vetëdijshme për veten e për dëshirat personale. E vendosur për t’u vetërealizuar jo vetëm në sferën familjare, por edhe në profesion.

-A është e mundur që të kontribojmë për familjen dhe realizimin profesional pa strese, ndjesi faji dhe heqje dorë nga prioritetet? Si është e mundur kjo?! Mëmësia dhe profesioni- ekuilibër i roleve. Shpeshherë i kemi  drejtuar pyetjen vetes nëse pas një mbledhje të rëndësishme pune deri natën vonë, a është e drejtë që fëmija ynë të jetë vetëm në shtëpi me dado ose me të afërmit e tanë? ! Shumë herë kemi ndier dhimbje kur dikush na ka drejtuar pyetjen “A nuk ndihesh në faj?”.  Ajo që dhemb më tepër, është vështirësia për të gjetur një përgjigje, aq më tepër  në industrinë e muzikës, kur një këngëtare duhet të këndoj deri natën vonë, një kompozitore ndoshta të udhëtoj shumë për të gjetur inspirim për të shkruar etj…. secila nga ne e di që ekuilibri i roleve është një nga detyrat më të vështira. Është e kuptueshme që të gjesh një zgjidhje është thelbësore për formimin tonë vetjak.

-Puna është një kënaqësi, e cila përfaqëson për gruan një komponent shumë të rëndësishëm të identitetit të saj. Kur flasim për një profesion të ndjeshëm siç është industria e muzikës, e për artin në përgjithësi është tejet e vështirë të arrish të diskutosh për çështje gjinore apo të drejtave të barabarta midis meshkujve dhe femrave meqë po jetojmë në një shoqëri e cila cdo ditë e më tepër po ecën përpara. Njëzet vite më parë, këto koncepte nuk kishin mundësi as të përmendeshin. Në ditët e sotme kemi një tablo të figurës femërore me më shumë dëshirë për të qenë e pavarur, më e vetëdijshme për veten e për dëshirat personale. E vendosur për t’u vetërealizuar jo vetëm në sferën familjare, por edhe në profesion. Tashmë, femrat janë çliruar nga alternativat radikale që u impononin atyre zgjedhje drastike: O karrierën, o familjen. Sot ndihet fort nevoja për të harmonizuar këto dy dimensione që i përgjigjen dëshirës për “harmoni” në të gjitha aspektet e jetës. Duhet të kuptojmë se është një tranzicion i vështirë kur jemi përpara dy zgjedhjeve të rëndësishme. Është si të pranosh një gjë të pamundur e të qenit “nga një anë vetëm” në emër të realizimit personal dhe të heqësh dorë nga ana tjetër nga fakti i të qenit nënë e grua. Është një ndryshim shumë i thellë. Por janë pikërisht femrat ato që duhet të gjejnë një mënyrë për të shkrirë këto dy botë. Mirëpo unë në këtë rast pa dashur të ofendoj apo të përbuzë do t’i përmendja disa fakte dhe gjëra të cilat i përcjellin artistet, muzikantet, kompozitoret, e këngëtaret tona. E para e punës, kam vërejtur se femrat kanë një ndjeshmëri tejet të veçantë sa i përketë muzikës, atë e ndjejnë dhe e përqojnë më ndryshe se meshkujt. Eksperienca me publikun është çështje tjetër, tek e fundit publikut pak i intereson se kush e ka shkruar veprën, i intereson kush e interpreton, emocioni, përmbajtja, ndjesia dhe porosia që jep ajo, pastaj tek marrëdhëniet e tyre me publikun unë njoh pak mos të them fare kompozitorë të cilët do të ishin të lirë për të vallëzuar e kënduar në publik, përderisa femrat janë të kundërta në këtë aspekt. Në rrethe të ndryshme kam dëgjuar artistët të thonë “Ne jemi shërbëtorë të artit, shërbëtorë të publikut.” E rëndësishme për ne është që ta bëjmë profesionin dhe ta bëjmë mirë.

Unë njoh kompozitorë meshkuj krenar për sistemin e tyre muzikore, në mënyrë të qartë dhe të cilët mendojnë se kompleksiteti i tillë i jep të drejtë atyre në komunitet muzikor në një nivel të lartë të shtat, sepse çdo kompozitor e ka një element çka e dallon atë me tjetrin, të pa ndryshueshëm, konkret, ndërsa femra që e mbajën këtë qëndrim nuk kam njohur. Femrat janë më të hapura, dhe më emocionale dhe ato shpesh herë hezitojnë të shprehin ambiciet e sigurta në vetëveten në këtë aspekt. Mendoj se është një detyrim moral dhe profesional, kur je person publik, duhet të reflektosh mbi fenomenet, proceset, sfidat dhe gjithçka që përballesh me të. Muzika është një medium që nuk duhet përdorur vetëm për argëtim, por edhe për të komunikuar mesazhe e reflektuar bashkarisht për të mirën e të gjithëve. Gjatë experiencës sime dhe punës me fëmijë kam vërejtur se mungesa e njërit prej prindërve me pak vërehet te ai fëmijë që nuk e ka fare, sesa te një tjetër fëmijë qe e ka, mirëpo prindi i tij nuk ka kohë të merret me të, sepse ajo është në udhëtim zyrtar, është në turne, ka mbledhje, është e zënë etj. Prandaj unë mendoj që mëmësia është shumë më e rëndësishem se sa profesioni. Mos t’iu japim shansë fëmijëve tanë, që neser të na gjykojnë për mungesën tonë sot!

 

Nga Dafina Xh Smajli