Abetarja Shqipëri-Kosovë, edhe dy javë kohë për shtëpitë botuese

Edhe dy javë kohë u ka ngelur shtëpive botuese për hartimin e abetares Shqipëri-Kosovë. Kështu data tre prill është afati i fundit për të gjitha ato shtëpi botuese, të cilat duan të dorëzojnë variantet e tyre. Këshilltari i ministrit, Jovan Kristiqi, thotë se në garë, tashmë janë 13 shtëpi botuese, nga të cilat do të zgjidhet vetëm një, për të botuar tekstin e parë të përbashkët mes dy shteteve. “Mbas këtij afati fillon vlerësimi nga ana e komisioneve të ngritura të përbashkëta të dy ministrive, dhe fituesi do të shpallet në fund të muajit prill. Kjo abetare do të përdoret që në ditën e parë të fillimit të shkollës, të vitit shkollor 2012-2013, në të dy vendet dhe në Republikën e Shqipërisë, dhe në Republikën e Kosovës”,- tha Jovan Kristiqi, këshilltar i ministrit të Arsimit. Për shtëpitë botuese në këtë garë seleksionimi pritet të plotësojë disa kritere, ndryshe nga përzgjedhja që bëhet midis tyre për tekstet e tjera. “Një nga kushtet e konkurrimit është se duhet të jetë një marrëdhënie e përbashkët mes një shtëpie botuese shqiptare dhe një shtëpie botuese kosovare. Dhe autorët e abetares duhet të jenë patjetër me pjesëmarrje nga Shqipëria dhe Kosova”, – bën me dije më tej Kristiqi. Kjo është nismë mes dy ministrive, e cila pritet të konkretizohet edhe me tekste të tjera shkollore mes dy shteteve. Ndërkohë, teksti i abetares në vendin tonë do të qarkullojë në tregun e librit përkrah teksteve të tjera të abetares që i përkasin autorëve të ndryshëm, ndërsa në Kosovë ky tekst do të jetë i vetmi dhe do të kushtojë tre herë më pak se sa abetarja e mëparshme, që kishte një çmim rreth 20 euro.

Comments are closed.