Aleanca Kuq e Zi, parti politike

Gjykata e Tiranës ka pranuar regjistrimin e partisë ” Aleanca Kuq e Zi”, pasi kjo e fundit ka dorëzuar 3700 firma, statusin dhe programin e saj. Pas këtij vendimi, Aleanca Kuq e Zi është parti politike. Drejtori Ekzekutiv i Aleancës Kuq e Zi, Redi Rama nëpërmjet një prononcimi për mediat bëri me dije se partia do të drejtohet nga Kreshnik Spahiu deri në organizimin e Kongresit të Aleancës Kuq e Zi, i cili do të mbahet në muajin maj. Pas “fushatës” së ndërmarrë gjerësisht në të gjitha viset shqiptare, drejtuesi i saj i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu i është drejtuar Gjykatës së kryeqytetit për regjistrimin e saj në regjistrin e partive politike. Kërkesë-padia në fjalë është depozituar në Gjykatën e Tiranës më 5 mars të këtij viti, ndërkohë nga sot me vendim gjykate ajo njihet si parti politike. Në programin e partisë, thuhet se “Aleanca Kuq e Zi” do të bëjë përpjekje me faktorët politikë institucionalë dhe shoqërorë, që për shqiptarët që jetojnë në trojet e veta apo në diasporë të ndiqet një strategji mbarëkombëtare e Shqipërisë në fillim të shekullit te ri. “Aleanca Kuq e Zi, do ndjekë idealin e popullit për garantimin e parimeve kushtetuese, të sanksionuara në Kushtetutë, duke mbrojtur të drejtat e popullit shqiptar që jeton jashtë kufinjve të saj dhe kudo ku shqiptarët jetojnë në trojet etnike në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri, Luginën e Preshevës apo në diasporë”, thuhet në programin politik “Shqipëria bëhet”.

Comments are closed.