ALUIZNI, 1 mijë qytetarë do pajisen me tapi

Përfundon procesi për 1 mijë dosje që pajisen me tapi. 80 mijë objekte informale të vetëdeklaruara pranë ALUIZNI-t. Rastet kur nuk përfitohet marrja e lejes së legalizimit të objektit

Ka nisur pajisja me tapi për 1 mijë dosje të qytetit të Tiranës, të objekteve të vetëdeklaruara. Ndërkohë që pritet shumë shpejt të përfundojë dhe procesi për 80 mijë të dosjeve të tjera. Lidhur me këtë fakt, Drejtori i Agjencisë së Legalizimeve për Tiranën, Kreshnik Bozho, theksoi se ka përfunduar procesi i verifikimit për 1 mijë dosje, ndërsa aktualisht, po kryhet printimi i tapive. Gjithsej, sipas tij, janë 80 mijë objekte informale të vetëdeklaruara pranë ALUIZNI-t për Tiranës, ndërsa bëri të ditur se të gjitha dosjet e banesave brenda vijës së verdhë janë drejt përfundimit.

Pagesat financiare

Bozho iu bën thirrje qytetarëve që të kryejnë sa më parë pagesat financiare për vijimin e procesit. “Ka qytetarë që kanë për të paguar faturën financiare për të vijuar me procesin e legalizimit, por që nuk paraqiten, duke krijuar një situatë jo normale, pasi nga ana e institucionit janë kryer të gjitha procedurat ndërsa pritet vetëm fatura për të kryer procesin e plotë për marrjen e tapisë”,- tha Bozho. Sipas Bozho, vendimi i qeverisë përcakton qartë se në momentin që qytetari kryen pagesën e faturës financiare, brenda 30 ditësh, ALUIZNI, përgatit lejen e legalizimit.

Kriteret për dhënien e tapisë

Kriteret për dhënien e tapive janë të përcaktuara në ligj, që do të thotë se nëse është ndërtuar në truallin e një pronari, nëse ka studim urbanistik për zonën, apo prite të kalojë një rrugë në të gjitha këto raste nuk mund të kualifikohen për tu pajisur me tapi. Ai theksoi se për të gjithë këto raste qytetari do të njoftohet për moskualifikimin e objektit që ai ka ndërtuar.

Comments are closed.