Ambasada Britanike: Reforma zgjedhore, prioritet kryesor i BE-së për Shqipërinë

Në tryezën e rrumbullakët, organizuar dje, mbi administrimin e zgjedhjeve, e Ngarkuara me Punë znj. Elizabeth Evans, theksoi mbështetjen e fortë të Mbretërisë së Bashkuar ndaj ambicieve të Shqipërisë në BE dhe theksoi rëndësinë e reformës zgjedhore si një nga prioritetet kryesore të BE-së për Shqipërinë. “Është e rëndësishme që puna e Komitetit të Reformës Zgjedhore të përfaqësojë të gjithë aktorët, të ketë një sy drejt së ardhmes afatgjatë dhe jo të mendojë vetëm për politikën e momentit. Pa këta dy faktorë, reformat nuk mund të jenë të qëndrueshme. Reformat elektorale të besueshme dhe të qëndrueshme do të forcojnë demokracinë në Shqipëri dhe do t’i japin popullit shqiptar zërin që meriton, të thotë se nga kush dhe sesi duhet të qeveriset”,- theksoi ajo. Duke vijuar më tej, zonja Evans deklaroi se reforma zgjedhore është një pjesë e rëndësishme e këtij procesi, e identifikuar si një nga prioritetet kyçe të BE-së për Shqipërinë dhe ajo po përparon në bazë të Planit të Veprimit, i cili adreson këto prioritete. Puna e vazhdueshme e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për adresimin e rekomandimeve të ODIHR-it nga zgjedhjet e 2009-ës dhe 2011-ës është një bllok ndërtimi jetik në përmbushjen e një prej këtyre prioriteteve. “Kjo është arsyeja pse unë jam e kënaqur që Ambasada ime ishte në gjendje të financojë ekspertë të ODIHR-it për të mbështetur punën e komisionit dhe unë shpresoj se kjo mbështetje do të vazhdojë të ndihmojë Komitetin për pjesën e mbetur të mandatit të tij. Është e rëndësishme që puna e Komisionit të Reformës Zgjedhore të përfaqësojë të gjithë dhe të ketë një sy drejt të ardhmes afatgjatë dhe jo të mendojë vetëm për politiken e momentit. Pa këta dy faktorë, reformat nuk mund të jenë të qëndrueshme”,- nënvizoi Evans.

 

 

Comments are closed.