Ambasadori i Danimarkës: Politika ka në dorë integrimin e vendit

Ambasadori i Danimarkës, në Tiranë, Karsten Ankjær Jensen ka festuar ditën e verës në qytetin e Elbasanit. I pyetur nga mediat për situatën politike në vend, Jensen tha se integrimi është i mundshëm, por kjo varet nga vullneti i politikës. Sipas ambasadorit danez është politika shqiptare, ajo që e ka në dorë integrimin e vendit, pasi duhet të plotësojë 12 kriteret e kërkuara nga Bashkimi Europian. Ai shpreson se Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat. “Unë besoj se vera dhe dielli do të vijnë për Shqipërinë dhe besoj se do të vijnë edhe më shpejt nga sesa presin shqiparët. Sot të gjithë janë të fokusuar në kohën e keqe, por dielli do të vijë dhe arsyeja është sepse shqiptarët kanë gjithcka që të përparojnë. Është një shenjë e mirë që kryeministri dhe kreu i opozitës kanë zgjedhur për të festuar në Elbasan për ardhjen e verës dhe shpresojmë se do të vazhdojnë ta bëjnë këtë gjë. Janë 12 gjërat që duhen bërë dhe kjo nuk është e ngjashme me ngjitjen e lamit të Everestit. Do të ishte e mrekullueshme që Shqipëria me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë të mund të merrte statusin e vendit kandidat. Dhe është vetëm në dorë të politikanëve për të treguar se e kanë vullnetin e duhur për këtë gjë. Është në dorën tuaj nëse do të bëheshit vend kandidat për në BE dhe padyshim kjo është dicka e arritshme”, u shpreh ambasadori i Danimarkës. Në këtë ditë, kur Elbasanit është kthyer në kryeqendrën e festimeve me rastin e Ditës së Verës ambasadori danez i shoqëruar edhe nga përfaqësues të pushtetit vendor ka qenë pjesëmarrës në një sërë aktivitetesh të organizuara nga bashkia e qytetit.

 

Comments are closed.