Ambasadori italian në Shqipëri, Massimo Gaiani: Zgjidhjet në Kushtetutë, Presidenti çështje komplekse

 

Ndonëse kanë ngelur më pak se katër muaj deri në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit dhe partitë politike kërkojnë konsensusin, duke synuar votën për kandidatët e tyre, diplomatët e huaj bëjnë thirrje për lexim të qartë të Kushtetutës. Këtë herë është ambasadori italian në Tiranë, Massimo Gaiani, i cili thotë se Kushtetuta jep rregulla të qarta për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. “Bëhet fjalë për një çështje ekstremisht komplekse. Figura e Presidentit të Republikës është një figurë e rëndësishme. Është një figurë që siguron përfaqësimin e vendit dhe ka funksione shumë delikate. Kushtetuta jep rregulla të qarta për zgjedhjen e Presidentit. Uroj të zgjidhni figurën më të mirë për këtë funksion të lartë”,- u shpreh diplomati. Ambasadori Gaiani fton politikanët shqiptarë të votojnë ligjin për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë. “E rëndësishme është që reformat të ecin në sensin e respektit të shtetit të së drejtës. Imuniteti parlamentar shkon në këtë sens dhe, në fakt, kanë nisur diskutimet. Kam besim se Shqipëria di të bëjë reformat e duhura për të përmirësuar progresivisht shtetin e së drejtës. Është evidente që ka interes të madh në Itali për investime direkte nga Shqipëria. Por këto investime janë të kondicionuara nga rregulla të qarta në respekt të shtetit të së drejtës. Këtë duhet të bëni edhe ju”,- deklaroi Gaiani. Ambasadori italian thotë se emigrantët shqiptarë kanë ngritur në Itali rreth 30 mijë kompani. Sipas tij, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë sektori target, ku Italia ofron asistencën e saj në Shqipëri.

Comments are closed.