Ambasadorja britanike, takon kryeministrin Berisha para largimit nga Shqipëria

Kryeministri Berisha ka pritur sot në një takim, ambasadoren e Britanisë së Madhe, Fiona McIlwham, me rastin e përfundimit të mandatit të saj në Tiranë. Ambasadorja shfrytëzoi rastin për t’i uruar kryeministrit Berisha suksese të mëtejshme, në veçanti, për sa i përket projektit madhor kombëtar të integrimit në Bashkimin Evropian. “I uroj Shqipërisë suksese të reja në rrugën e integrimit evropian dhe marrjen sa më shpejtë të statusit të kandidatit, si akti kurorëzues i përpjekjeve që janë bërë gjatë gjithë kësaj periudhe”, u shpreh ambasadorja. Nga ana e tij, kryeministri Berisha e falënderoi Ambasadoren britanike për të gjitha përpjekjet që ajo ka bërë gjatë kësaj periudhe, për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë, të cilat kanë njohur një intensitet rritjeje të lartë gjatë kësaj periudhe. Në takim u vlerësuan gjithashtu arritjet e rëndësishme në një sërë fushash bashkëpunimi të frytshëm midis të dy vendeve, si ato që kanë të bëjnë me shtetin ligjor, luftën kundër krimit etj., si dhe u shpreh optimizmi dhe angazhimi i plotë i të dy vendeve për të thelluar edhe më tej këtë bashkëpunim të frytshëm, në fusha me interes të ndërsjellë si ajo e investimeve, turizmit, etj.

Comments are closed.