Amerikanët, 40 milionë dollarë për kampusin universitar të Valiasit

Shoqëria “The American School System – Albania” ka nënshkruar kontratën me METE

Në qershornisndërtimi i kampusit universitar të Valiasit, një investim ky prej 40 milionë dollarësh i Shoqërisë “The American School System –Albania” (AISS) sh.p.k. Garancia për këtë është dhënë nga dr. Munr Kazmir – përfaqësues zyrtar i Shoqërisë, gjatë takimit me kryetarin e bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu. Pasi u uroi mirëseardhjen z. Kazmir dhe konsullit të RSH në Nju-Jork, z. Dritan Mishto, kryebashkiaku Mziu e konsideroi ngritjen e këtij kampusi universitar një investim strategjik, jo vetëm për bashkinë Kamëz, por pothuajse në rang kombëtar. “Qeveria shqiptare, vetë Kryeministri Berisha, bashkia Kamëz dhe strukturat e saj janë të angazhuara maksimalisht për implementimin e këtij projekti. Kjo, për faktin se ky investim do të kryhet në një zonë prioritare të qeverisë shqiptare”, – tha, ndër të tjera, kryetari i bashkisë, Mziu. Ai bëri të ditur praninë e një numri të konsideruar investitorësh që janë të interesuar të investojnë në Kamëz, ndërkohë që bashkia ka garantuar partneritet luajal me ta. Duke e konsideruar projektin e shoqërisë “The American School System –Albania” (AISS) sh.p.k. për ndërtimin e një kampusi universitar në Valias, si një projekt shumëdimensional, kryebashkiaku Mziu konfirmoi mbështetjen e tij të gjithanshme dhe veçanërisht infrastrukturën e nevojshme për zbatimin e këtij projekti në një kohë rekord. Kjo, edhe për faktin se kemi të bëjmë me një investim madhor, që mundëson rivlerësimin e aseteve të bashkisë Kamëz. Kryetari i bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, vlerësoi gjithashtu faktin që ky investim do të kryhet nga një shoqëri, përfaqësuese e një shteti të madh mik si SHBA-të. Gjatë pritjes që i bëri në zyrën e tij zotit Kazmir, kryebashkiaku Mziu foli, gjithashtu, për interesin e jashtëzakonshëm që ka ngjallur tek qytetarët dhe veçanërisht tek komuniteti i biznesit ky investim i një rëndësie strategjike. Në këtë kontekst, ai tregoi edhe interesin e jashtëzakonshëm të prindërve për të regjistruar fëmijët e tyre në këtë shkollë. Sipas z. Mziu, ky investim është i tillë, pasi do të kryhet në një zonë strategjike, nyje lidhëse me Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, kryeqytetin shqiptar dhe Portin e Durrësit. Ai prezantoi gjithashtu projektin e një rruge të re që do të lidhë Aeroportin e Rinasit me rrugën nacionale që kalon përmes Kamzës, rrugë kjo që do të kalojë fare pranë kampusit universitar të Valiasit. Kjo, sipas tij, do të ndihmojë në aspektin e infrastrukturës së duhur dhe krijimin e lehtësirave për realizimin në kohë të këtij investimi. Z. Mziu ofroi kapacitetet e duhura të burimeve njerëzore të vetë bashkisë Kamëz, por edhe nga institucione të tjera prestigjioze shqiptare, në mbështetje të këtij investitori strategjik.

Pas këtij prezantimi në detaje të situatës optimiste në bashkinë Kamëz nga kryebashkiaku Mziu, përfaqësuesi i shoqërisë “The American School System –Albania” (AISS), dr. Kazmir, u shpreh krejt natyrshëm: “Kjo nuk do të jetë shkolla ime, por shkolla e fëmijëve të Kamzës”. Pasi shprehu falënderimin për Kryeministrin Berisha dhe ministrin e Arsimit dhe të Shkencës, Tafaj, që i kishte propozuar pikërisht Valiasin për ngritjen e këtij kampusi universitar, dr. Kazmir tha se kishte parë disa vende përpara se të zgjidhte Valiasin. “Investimi nuk është thjesht vetëm për fëmijët. Kombi juaj është shumë miqësor me kombin tim hebre, prandaj dhe e konsideroj këtë investim si mirënjohje për atë që keni bërë ju shqiptarët në mbrojtje të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Duke e konsideruar këtë një investim që synon edukimin e fëmijëve, dr. Kazmir shprehu konsideratën e tij më të lartë për kryebashkiakun Mziu, për punën e tij të shkëlqyer dhe përkushtimin maksimal në mbështetje të këtij investimi.

Duke u ndalur në detaje për ardhmërinë e shkollës, ai tha se ajo do të ketë 1200 nxënës, nga parashkollorë deri në përfundimin e arsimit të mesëm. Dhe ajo që ka rëndësi të jashtëzakonshme, ka të bëjë me premtimin se 700 nxënës do të jenë me bursë të plotë. “60 për qind e mësuesve do të vijnë nga Amerika, do të qëndrojnë në shtëpi me qira këtu në Kamëz, madje afër shkollës”, – tha dr. Kazmir. Ndërkohë, sipas tij, kjo shkollë e standardeve më të përparuara ndërkombëtare do të ketë lehtësi të shumta edhe për 500 nxënësit e tjerë, duke favorizuar fëmijët e qytetarëve të Kamzës. Ai solli në vëmendjen e të pranishmëve standardin amerikan edhe në drejtim të sigurisë dhe të infrastrukturës plotësuese. Dr. Kazmir tha se kampusi universitar do të ketë 150 punonjës teknikë, si lulishtarë, elektricistë, hidraulikë etj., si dhe një staf të sigurisë prej 40 vetash, në përbërje të të cilit do të jenë ish-ushtarakë me përvojë. Rëndësia e këtij investimi strategjik në një zonë brenda juridiksionit të bashkisë Kamëz konsiston edhe në faktin se për ndërtimin e këtij kampusi universitar do të punësohen rreth 2000 punëtorë për një periudhë kohore rreth një vit.

Ky investim mundësohet në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 587, datë 10.8.2011 “Për dhënien në përdorim, në formën e huapërdorjes pa kundërshpërblim, të një pjese të truallit të ndërmarrjes së qymyrgurit Valias, Kamëz, me sipërfaqe të përgjithshme 87587 m2, shoqërisë “The American International School System-Albania” Sipas këtij vendimi të qeverisë shqiptare miratohet dhënia në përdorim, në formën e huapërdorjes pa kundërshpërblim, të një pjese të truallit të ndërmarrjes së qymyrgurit Valias, Kamëz, rrethi Tiranë, me sipërfaqe të përgjithshme 87 587 (tetëdhjetë e shtatë mijë e pesëqind e tetëdhjetë e shtatë) m2, sipas genplanit bashkëlidhur, shoqërisë “The American International School System-Albania” (AISS), sh.p.k. për ndërtimin e një kampusi universitar. Ndërkohë autorizohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për lidhjen e kontratës përkatëse pa afat. Kjo e fundit ka nënshkruar  kontratën me shoqërinë “The American International School System-Albanian” (AISS), në kuadrin e zhvillimit në fushën e arsimit, mbi mazën e prioriteteve që qeverisa dhe shteti shqiptar i japin këtij zhvillimi, duke ndërmarrë një investim serioz për ndërtimin e një kampusi të plotë universitar të të gjitha niveleve, në vlerën totale 40.000.000 dollarë.

Halil RAMA

Comments are closed.