AMF: Pensionet private rriten me 83% në vitin 2012

 

Tregu i pensioneve private u rrit me ritme të shpejta në vitin 2012, por ngelet ende një segment i nënzhvilluar i tregut financiar. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, totali i aseteve të fondeve private të pensioneve arriti në 283 milionë lekë, me një rritje prej afro 83% ndaj vitit 2011. Në treg vazhdojnë të operojnë tre fonde private, që tashmë kontrollohen nga institucione të specializuara financiare, me eksperiencë në shërbimet e bankingut dhe të sigurimeve. Pjesëmarrja e aktorëve më të specializuar i ka dhënë një shtysë tregut, që sidoqoftë ende kufizohet në një numër total prej rreth 7,300 kontribuesish. Deri më sot, fondet e pensioneve i investojnë kontributet në bono thesari dhe obligacione të qeverisë shqiptare. Totali i portofolit të investimeve në fund të vitit 2012 arriti në 275 milionë lekë, me një rritje vjetore prej rreth 84%. Gjatë raportimit të fundit në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, kërkoi gjetjen e mekanizmave të nxitjes për fondet private të pensioneve. Zhvillimi i fondeve private nga një anë do të zhvillonte më tej tregun financiar dhe nga ana tjetër do të lehtësonte gradualisht barrën e pensioneve në buxhetin e shtetit.