Amortizimi i rrugëve në Elbasan, një problem pa zgjidhje

Kryebashkiaku i Elbasanit harron premtimet para qytetarëve

Inspektimi i rrugëve të qytetit të jep një panoramë trishtuese, për shkak të amortizimit të madh. Por, nëse rrugët dhe akset kryesore të qytetit, janë të katandisura si mos më keq, përpjekjet për të rehabilituar këto akse rrugore, janë inekzistente. Mjaft të udhëtosh me një autobus të linjës urbane apo me ndonjë makinë të vogël, do të përballesh me gropat dhe prishjet e mëdha që të japin një tronditje të madhe. Më shumë se kaq, janë shoferët e makinave të vogla, vetura, që e pësojnë më shumë, sepse do të detyrohesh të merresh me riparimin e makinës tënde, sepse riparimet e rrugëve nuk kanë për tu bërë ndonjëherë. Segmenti i rrugës “Thoma Kalefi”, deri në kryqëzimin e njohur të Cërrikut, segmenti “11 Nëntori”, segmenti i rrugës që të çon në spital apo segmentet e tjera të rrugëve të gjera në lagje të ndryshme të qytetit të Elbasanit, edhe rruga “Rinia” që zbret nga universiteti, janë kthyer në kasaphana jo vetëm nga amortizimi dhe mosvënia dorë për riparimet e tyre, por edhe nga mosparandalimi i çfarëdo lloj punimi që bëhet nga qytetarë të ndryshëm, por edhe nga firmat e ndryshme që bëjnë punime pa bërë më pas rehabilitimin. Apo edhe ngritja e pragjeve të ndryshme në rrugë, janë kthyer në modele të dëshirave të vetë qytetarëve, për të cilat nuk vepron as inspektorati i ndërtimit të bashkisë, as policia bashkiake, pale pastaj të mendosh të veprojnë njësitë administrative. Të gjithë bëjnë strukjen në zyra dhe në ndonjë vend rehatie, por jo punën që është detyrim kryesor për të cilën paguhen. Nëse do të dëshirosh të pyesësh për ndonjë investim në këto rrugë, askush nuk të jep përgjigje se gjithçka në bashkinë e Elbasanit është monopol i kryebashkiakut që zotëron gjithçka. Premtimet e bëra vetëm një vit më parë për fushatë elektorale, kanë mbetur si një ëndërr e largët, se realiteti i rrugëve në qytetin e Elbasanit ka mbetur për të ardhur keq. Shërbimet ndaj qytetarëve duket se janë në fazën më të pavlerësuar nga kryebashkiaku dhe stafi i tij, edhe pse ai u ka marrë votën me lutje të mëdha për t’u shërbyer atyre. Nëse sheh se çfarë bën kryebashkiaku i Tiranës, Lulëzim Basha, në kryeqytet, turpërohesh me ato çfarë nuk bën kryebashkiaku i Elbasanit që duket se nuk e ka as në mend të bëjë të paktën ato që do të quhen shërbime ndaj qytetarëve, për të cilat ka premtuar me bujë të madhe më 2011-ën. Ndërsa, për të shtruar ndonjë rrugë lagjeje si ajo në lagjen “11 Nëntori” e gjetkë, si ajo tek vendi i njohur si “Xhamia”, as që bëhet fjalë, edhe pse ajo ka arritur në pikun më të dëmtuar të një rruge lagjeje që frekuentohet nga besimtarët e shumtë që i vinin xhamisë apo nga banorët e kësaj lagjeje të madhe ku kalojnë mijëra qytetarë. Mosvëmendja e kryebashkiakut justifikohet me mungesën e parave nga qeveria, në një kohë që paratë e qeverisë u përdorën për punësime të militantëve, 100 prej të cilëve kanë dalë të asistencë papunësie pas një viti premtimesh të pambajtura të këtij kryebashkiaku në Elbasan. Qoftë edhe një inspektim nga ky kryetar bashkie nuk duket se bëhet në rrugët e qytetit, veç në bulevardin e rikonstruktuar, të cilit, herë pas here i lëvizin pllakat e betonit. Ndërsa rrugët e tjera të qytetit nuk mbahet mend se kur janë rikonstruktuar, aq shumë janë amortizuar.

 

Comments are closed.