Analiza e gjuhës së Fishtës dhe vlerat kombëtare të saj

Vilma Proko (Jazexhiu), Akademia e Shkencave

Mbi monografinë e autores Shefkie Islamaj, në dy vëllime, “Gjergj Fishta – gjuha dhe stili”. Instituti Albanologjik, Prishtinë 2012

Përurimi i monografisë së studiueses së mirënjohur, prof. dr. Shefkije Islamaj “Gjergj Fishta – Gjuha dhe stili, në 2 vëllime”, në prag të jubileut të madh të 100-vjetorit të shtetit shqiptar, u mbajt më 22 tetor 2012 në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Në fjalën e tij të hapjes, prof. Jorgo Bulo, pasi vuri në dukje kontributet e dr. Shefkije Islamaj në studimet gjuhësore, ndaloi posaçërisht në një fushë studimi pak të lëvruar, siç është gjuha dhe stili i shkrimtarëve në letrat shqipe. Pas botimit të studimit për gjuhën e shkrimtarit Jakov Xoxa, Sh. Islamaj vjen me një vepër të re në dy vëllime për gjuhën dhe stilin e Gj. Fishtës. Dy shkrimtarë larg njëri-tjetrit në kohë, – theksoi referuesi, – por dy autorë të mëdhenj të letërsisë shqipe që i bashkon pasuria dhe forca e krijimtarisë gjuhësore në veprën e tyre. Shefkije Islamaj, – përfundoi prof. Bulo, – ka meritën e veçantë që me guxim i ka hyrë punës në këtë fushë studimi, duke sjellë një kontribut të ri vetjak.

Prof. Emil Lafe u shpreh se përurimi i veprës këtu në Tiranë është një ngjarje e gëzueshme për të gjithë në këtë jubile. Fusha e stilistikës gjuhësore, – vijon prof. Lafe, – ka ushtruar një tërheqje të veçantë te prof. Sh. Islamaj, e pikërisht, studimi për gjuhën dhe stilin e një klasiku të prozës shqipe, J. Xoxa, ashtu edhe ndërmarrja e studimit tërësor nga këndvështrimi stilistik i veprës poetike të Fishtës, ndoshta shkrimtari shqiptar më problemor. Sado që i ndaluar për 45 vjet në truallin shqiptar, emrin e tij dhe të kryeveprës së tij “Lahuta e Malcisë” e dinte gjithkush, ashtu siç dinte edhe vendin e Fishtës në odën e shkrimtarëve shqiptarë. Do të përmend me këtë rast, – thotë prof. Lafe, – se dëbimi i Fishtës nuk qe i menjëhershëm dhe i njëzëshëm nga pushteti i ri i pasluftës. Ndoshta nuk është shumë e njohur se, si, shprehej kundër qëndrimeve mohuese të skajshme. Në qershor 1945, S. Malëshova ministër i Shtypit, i Propagandës dhe i Kulturës Popullore shkruante: “Kam dëgjuar se në disa rrethe ka tendenca që Faik Konica dhe Fishta të fshihen fare nga defteri. Është e vërtetë se Faik Konica që më 1925 e tëhu ka përkrahur regjimin e Zogut dhe ka qenë në kampin e reaksionit. Është e vërtetë se Fishta ka qenë anëtar i Akademisë në kohën e okupacionit fashist. Po është e vërtetë edhe kjo që veprat e Konicës dhe të Fishtës janë lidhur ngushtë me Rilindjen e Shqipërisë. Konica, Noli dhe Fishta janë fytyrat më të mëdha të Shqipërisë në fushën e kulturës. Bashkë me K. Kristoforidhin dhe N. Frashërin, ata janë lëvronjësit e mëdhenj të gjuhës shqipe, janë ata që kanë ngritur gjuhën shqipe në dinjitetin e një gjuhe letrare dhe këtë kontribut me të drejtë e quajmë pjesë të pandarë të trashëgimit tonë nacional, të pasurisë sonë kulturore.”[1] Brezave të sotëm u duhet të kapërcejnë një zbrazëti njohjeje e informacioni dhe të rizbulojnë universin fishtjan. Në këtë kuptim monografia e Sh. Islamajt nuk duhet gjykuar vetëm si një studim për gjuhën dhe stilin e një autori të caktuar, por edhe si ndihmesë konkrete për ta bërë Fishtën me veprën e tij, më të afërt, më të kuptueshëm, më joshës për lexuesin e sotëm, për të ndihmuar sidomos mësimdhënësit e gjuhës e të letërsisë, që ta rrokin më mirë mjeshtërinë e tij poetike. Krijimtaria letrare e Fishtës shtrihet gjatë katër dhjetëvjetëshave të parë të shek. XX, periudhë kur gjuha shqipe njohu përpjekje intensive për njësimin e alfabetit, për caktimin e rregullave të drejtshkrimit dhe të normës letrare në përgjithësi. Fishta ishte figurë qendrore në Kongresin e Manastirit dhe në veprimtaritë e mëvonshme Studiueses i është dashur të përballet e ka ditur t’i shmanget një rreziku të përhershëm: magjisë dhe madhështisë së artit fishtjan, aq sa në vend të gjykimit të ftohtë e të argumentuar, të derdhë në letër emocione dhe përjetime artistike.

Duke u rikthyer te studimi, – vijon prof. Lafe, – duhet thënë se autorja ka trajtuar gjuhën dhe stilin e Fishtës poet, duke vjelë me durim e kujdes shembullor këtë vepër dhe ia ka nënshtruar një analize formale përshkruese të mënyrave e mjeteve stilistike në tekstin ku janë përdorur, si edhe me pohime përgjithësuese të ilustruara me shembuj të larmishëm.

Libri i parë përmban kreun hyrës “Gjergj Fishta dhe vepra e tij” e më tej krerët “Fonetika stilistike” (f. 123-276) dhe “Morfologjia stilistike” (f. 277-514); libri i dytë përmban krerët “Sintaksa stilistike” (f. 9-226), Leksikostilistika (227-507) dhe mbyllet me përfundimet e përgjithshme e aparatin shkencor. Të dy librat kanë gjithsej 1100 faqe.

Kreu hyrës me mbi 100 faqe përbën në të vërtetë një trajtesë më vete për personalitetin dhe veprën e Fishtës, por edhe një hyrje në studimet për gjuhën e Fishtës dhe pikëpamjet e tij për çështje të gjuhës letrare. Lënda e këtij kreu ndërlidhet mirë me krerët e tjerë vijues, e përgatit lexuesin për të rrokur më lehtë shtjellimet stilistike, analizat e vëzhgimet gjuhësore.

Në kreun Fonetika stilistike, autorja ka trajtuar përdorimin e formave të fjalëve me modifikime të ndryshme në strukturën tingullore, të cilat Fishta i ka përzgjedhur nga gjuha popullore dhe i ka përdorur me efekte stilistike a ritmike, por edhe ka ndërhyrë vetë në përbërjen fonetike të fjalëve. Më tej autorja ka bërë edhe klasifikimin funksional të tyre, duke dalluar modifikime me funksion stilistik, metriko-ritmik dhe eufonik. Në mjeshtërinë poetike të Fishtës, autorja ka dalluar edhe përdorimin e përsëritjeve tingullore si bartëse informacionesh e efektesh estetike, ndonjëherë të shoqëruara me përdorime sinonimesh e antonimesh me tingëllim të ngjashëm.

Lënda e kreut Morfologjia stilistike është paraqitur sipas pjesëve të ligjëratës, ku folja me pasurinë e formave sipas mënyrave e kohëve zë vendin më të madh në këtë përshkrim. Spikat syri i mprehtë vëzhgues i autores në përimtimet gramatikore e semantike, që nuk ka kapur shembuj të rastit, por ka bërë vjelje shteruese.

Sintaksa stilistike, që përbën pjesën e parë të librit të dytë, është një nga pjesët më të arritura e më origjinale të studimit, në të cilën janë analizuar e klasifikuar shmangiet nga norma sintaksore për qëllime të caktuara stilistike-shprehëse dhe disa figura e mjete të sintaksës poetike, si përsëritja, anasjella, paralelizmi, parafraza, paradoksi, shkallëzimi, krahasimi etj., si edhe janë vëzhguar edhe disa dukuri të tjera, si veçoritë e narracionit, rendi i fjalëve, përdorimi i thirrmorëve etj.

Në pjesën e dytë Leksikostilistika autorja paraqet karakteristikat e përgjithshme të leksikut të Fishtës, përshkruan shtresat leksikore sipas burimit (fjalë të moçme, sllavizma, orientalizma, neolatinizma etj.), sipas përhapjes dhe përdorimit (dialektalizma, historizma), sipas semantikës (sinonime, antonime, leksiku fetar), trajton përdorimin e këtyre shtresave të fjalorit për të arritur shprehësi leksikore. Këtu janë trajtuar edhe përdorimi frazeologjisë, i fjalëve të urta e i formulave gjuhësore, shprehësia stilistike e mjeteve fjalëformuese, si dhe emrat e përveçëm. Për rrjedhojë vjen në mënyrë të natyrshme argumentimi për hartimin e një fjalori të plotë të veprës së Fishtës.

Nga pasqyra e literaturës shihet se bibliografia e shkrimeve për gjuhën e Fishtës ka ardhur duke u pasuruar nga viti në vit. Ky studim, – përfundon prof. Lafe, – shënon një arritje madhore e cilësore jo vetëm për autoren personalisht, por edhe për këtë drejtim studimesh të gjuhësisë shqiptare.

Prof. Gjovalin Shkurtaj, në fjalën e tij vuri në dukje se emri i Shefkije Islamajt, punonjëse shkencore në Institutin Albanologjik të Prishtinës, është dukur shpesh e më shpesh në faqet e revistave shkencore albanologjike, si autore studimesh gjuhësore e monografish me interes kushtuar problemeve të sinonimisë së gjuhës shqipe dhe kulturës së gjuhës, ndërsa viteve të fundit, ligjërimit të autorëve dhe problemeve aktuale të kulturës së gjuhës shqipe në Kosovë e më gjerë. Kemi parasysh, ndër të tjera, ndihmesën e saj si bashkautore në “Fjalor i fjalëve të huaja”, Prishtinë, 1988 dhe, kryekreje, monografitë e saj të botuara si libra më vete: “Çështje të sinonimeve në gjuhën shqipe”, Prishtinë, 1985, “Gjuha e Jakov Xoxës – Veçori leksiko-semantike dhe stilistike”, Prishtinë, 2000, 422 fq., “Kultura gjuhësore dhe përdorimi estetik i gjuhës”, Prishtinë 2002, librin “Gjuha, ligjërimi dhe fjala”, botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Prishtinë, 2004, 302 fq.

Më vonë, me një “kalim në lëmin mirëfilli letrar”, ajo do të botonte edhe një roman me titullin “Midis jetës dhe vdekjes”. Dhe ja, në prag të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, prof. Shefkija na vjen me një dhuratë tjetër, me peshë të rëndë e të madhe nga sasia e faqeve, po edhe të atillë nga brendia e trajtimi. Sa më sipër, dëshmon më së miri për prodhimtarinë e saj të begatë studimore, me prurje të shumta shkencore që rrokin fusha të ndryshme të gjuhësisë së sotme, fryte të një veprimtarie studimore dhe hulumtuese tashmë shumëvjeçare të autores, po edhe dëshmi e bukur e qëndrimit të gjallë qytetar, kurdoherë në mbrojtje e në mbështetje të plotë të gjuhës shqipe e të mbërritjeve të saj, kurdoherë në kahun e mbarë të njësimit, normëzimit dhe shtimit të vlerave e të shprehësisë stilistike të shqipes standarde. Librat, studimet dhe artikujt e dr. Shefkije Islamajt kushtuar kulturës gjuhësore dhe përdorimit estetik të gjuhës shkojnë në hullinë e mbarë të gjuhëruajtjes e të gjuhëpastrimit, çelur e mbajtur gjallë me dije e atdhetari të zjarrtë nga akad. Idriz Ajeti, i cili, sikundër dihet, ka gjetur rast e kohë për t’u marrë shpesh edhe me probleme “të vogla” të normës së shqipes në mjetet e informimit, me gjuhën e shkruar e të folur në mediat shqiptare. Këtë hulli, me shumë përkushtim, por edhe me dijen e zellin që i duhet një kahu sa të brishtë e delikat, aq edhe të rëndësishëm e aktual, znj. Islamaj e ka bërë të vetin dhe po jep ndihmesa të dobishme për kohën e sotme.

Monografia “Gjergj Fishta, Gjuha dhe stili, është një ndihmesë e vlefshme dhe e mirëseardhur për një fushë ende të re, por me vlera e mundësi për prurje e studime të rëndësishme rreth ligjërimit të autorëve shqiptarë të sotëm e të traditës, sipas një boshti ku peshorja stilistike e hijeshia gjuhësore, bashkë me leksematikën dhe “ojnat” fonetike e morfosintaksore, zbulojnë vlerat e vërteta të çdo shkrimtari të madh.

Po ndalem në mënyrë të veçantë, vijon prof. Shkurtaj, – në pjesën e parë hyrëse të veprës, f. 15-121 (pra, një studimi introduktiv prej më se 100 fq.), të cilën do të dëshiroja ta kishin në dorë dhe ta lexonin me nge të gjithë fishtologët dhe shkollarët shqiptarë, sepse aty, më qartë e më kthjelltazi se askund tjetër në sa është shkruar deri më sot për Fishtën, jepen të gjitha vlerësimet dhe dritë-hijet që i përkasin një figure si Ai.

Me shumë rëndësi dhe vlerë aktuale janë sythat me tituj:

  • Midis lavdëruesve dhe mohuesve (f. 22-32);
  • Receptimi i veprës (f. 33-27);
  • Pse lexohet pak Fishta, sot? (f. 37-39);
  • Pse duhet ta lexojmë Fishtën sot? (f. 39-40);
  • Si ta lexojmë Fishtën sot? (f. 41-43);
  • Si ta vlerësojmë objektivisht Fishtën? (f. 43-45);
  • Vepra e tij dhe epika popullore (f. 46-60);
  • Vepra e tij dhe studimet gjuhësore-stilistike (f. 61-66);
  • Stilistika gjuhësore (f. 67-69);
  • Vepra e tij dhe botimet kritike (f. 70-76);
  • Mbi një gjuhë të përbashkët shqipe (f. 77-87);
  • Veçori të përgjithshme gjuhësore (f. 88-102);
  • Të meta gjuhësore e stilistike (f. 103-104);
  • Çështje drejtshkrimore (f. 105-115).

Po theksoj se libri mbështet në literaturë të gjerë, të shfrytëzuar e të cituar me kujdes, natyrisht, edhe duke mos qenë e mundur të jetë shteruese, as për gjithçka është shkruar për gjuhën e ligjërimin e veprave të Fishtës, sidomos artikuj e kumtesa të botuara në revista që dalin në Shqipëri, por që mesa duket jo gjithmonë përcillen edhe në Kosovë, po edhe disa trajtesa kushtuar gjuhës e stilit të letërsisë artistike në përgjithësi. E uroj dhe e përgëzoj edhe njëherë autoren, – përfundon referuesi, – pikë së pari, për punën aq zelltare e të mirëseardhur që ajo është duke i blatuar kulturës së gjuhës dhe rrjedhave të sotme të normës gjuhësore në Kosovë e më gjerë, sepse na pëlqen që ajo, ashtu siç u ka hije gjuhëtarëve të vërtetë, vijon pa asnjë lëkundje t’i dalë zot dhe ta mbrojë gjuhën standarde, shqipen tonë të përbashkët e të përpunuar, duke e vështruar atë pikërisht ashtu siç është (dhe siç i takon të jetë sot e mot, sa të jetë jeta) si treguesin më të dukshëm të përbashkësisë kombëtare, shpirtërore e kulturore të shqiptarëve.

Më tej, kumtoi prof. Xhevat Lloshi, i cili vuri në dukje se, për arsye që tashmë njihen, trajtimi studimor i veprës së Fishtës u ndërpre për një gjysmë shekulli. Ishte e natyrshme që studiuesit do t’i drejtoheshin me shumicë asaj për ta kapërcyer këtë vonesë dhe prandaj ka një vërshim shkrimesh e kumtesash për aspekte të ndryshme të krijimtarisë së tij. Në këtë vërshim, libri në dy vëllime i Shefkije Islamajt shquhet jo vetëm nga përmasat me 1100 faqe, por edhe sepse ka paraqitur me gjerësi dhe ka depërtuar me thellësi në një anë të përcaktuar qartë: gjuha dhe stili.

Shquhet edhe nga një këndvështrim tjetër. Kjo punëtore e palodhur dhe prodhimtare iu përvesh korpusit të gjerë Fishtës, pasi kishte botuar edhe disa libra të tjerë po në të njëjtën hulli kërkimi dhe ndërmjet tyre do të veçoja punimin “Gjuha e Jakov Xoxës”. Kështu, ndryshe nga disa autorë, të cilët e kanë zakon të shkruajnë diçka pothuaj rastësisht, lidhur me një përvjetor ose me një konferencë shkencore, Sh. Islamaj shfaq një vazhdimësi me ngulmim shkencor për të ndjekur një drejtim kërkimor.

Pikërisht prej kësaj vazhdimësie, autorja ka përcjellë shumësinë e artikujve e të kumtesave kushtuar Fishtës dhe me shqetësim ka vënë re në mjaft prej tyre se nuk thuhej asgjë e re, ndërsa kjo është pasoja e pakënaqshme e përfshirjes rastësore, sa për të zënë një vend në listën e bibliografisë dhe jo në ndërtesën e dijes, e cila pasurohet qoftë edhe duke shtuar një gur të vogël.

Ndërkaq, kjo arritje e re e studiueses Islamaj do të ishte e pamundur pa një kornizë teorike, për të cilën ajo është shprehur 12 vjet më parë në librin për J. Xoxen. Më duket se në ditët tona shpalosja e kornizës teorike merr rëndësi të posaçme. Arsyeja është se pas hapjes së horizontit të lirë për punonjësit tanë të shkencave humane, që të shfrytëzojnë gjithë pasurinë e mendimit teorik botëror me përfitime të çmueshme, është shfaqur edhe një dukuri shoqëruese: autorët përsëri të rastësishëm gjejnë një libër të një studiuesi apo të një drejtimi të caktuar, rrëmojnë aty disa gjëra që u bëjnë përshtypje dhe duke përdorur terminologjinë e togfjalëshat që as vetë nuk i kuptojnë mirë dhe nuk dinë madje si t’i thonë shqip, i mbushin faqet duke shtuar ca shembuj nga tekstet shqipe. Me këtë marifet një shumësi artikujsh e kumtesash që kërcasin me risinë e tyre, mbeten krejt të veçuara dhe është mjaft e dyshimtë se çfarë ndihmesash sjellin në ecurinë e kërkimeve tona.

Gjithsesi, autorja referimet nuk i ka sjellë për ta bërë sa më të gjatë bibliografinë, por për të vlerësuar përmbajtjen e tyre dhe, kur ka qenë e nevojshme, edhe për t’i kritikuar. Lidhur me këtë, do të më lejohet ta them shkoqur, se studiuesja jonë ka treguar një guxim të vërtetë shkencor. Ajo nuk u është shmangur pyetjeve me thepa, si: A është Fishta shkrimtar aktual? Pse lexohet pak Fishta sot?, dhe i ka emërtuar pa bishtnim si lavdëruesit, ashtu dhe mohuesit.

Me këtë qëndrim e ka shtruar ballazi edhe pikën aq të nxehtë sot rreth gjuhës shqipe të përbashkët, duke mos ngurruar të shënojë rezervat e Fishtës e kontradiktat në qëndrimet e tij.

Shtjellimi në këto dy vëllime ka dhe një veçori tjetër shquese: aty ndërthuret edhe një lëndë, që ka natyrë dokumentimi. Kështu, nëpër shënimet janë përfshirë dokumente e shkrime, të cilat është e vështirë të gjenden nga studiuesit të shpërndara sa andej këndej. Rrjedhimisht, pasuria e informacionit në këto dy vëllime e tejkalon edhe vetë titullin e tyre, domethënë ka më shumë sesa vetëm për gjuhën e stilin e Fishtës. Ose diçka tjetër: në fund të vëllimit të dytë jepen lista të plota të emrave të përveçëm në tri vepra kryesore të Fishtës, diçka që nuk është bërë deri më sot nga kërkuesit e tjerë.

Nuk është rasti këtu për të marrë një nga një kapitujt dhe çështjet e zbërthyera me shembuj të shumtë, nganjëherë deri shterues. Por duke iu përmbajtur fushës sime të studimeve stilistike, vijon prof. Lloshi, – do të thosha se me të dy punimet e saj, për J. Xoxen dhe Gj. Fishtën, autorja jonë na ndihmon për ta pasuruar stilistikën e gjuhës shqipe përgjithësisht, jo vetëm me shembuj të rinj, por edhe me shqyrtime të parrahura më parë. Me fjalë të tjera, ndonëse punimi është për gjuhën e një shkrimtari, domethënë si zbatim i vështrimit stilistik për një autor, anasjelltas, kjo është një ndihmesë për lëvrimin e fushës së stilistikës së shqipes në tërësi.

Përmes morisë së aspekteve të ndryshme gjuhësore dhe stilistike, duke e zotëruar procesin e mundimshëm të shpalosjes së një lënde të gjerë e të shumanshme, studiuesja ka ecur me dorë të sigurt drejt përfundimeve. Prej tyre po citoj vetëm një, që më duket i thukët e mbresëlënës:

Gramatika poetike dhe leksiku i krijimtarisë letrare të Gjergj Fishtës shënon gjedhen e përpunuar në shkallë të lartë të shprehjes së gjuhës popullore. Kjo traditë ligjërimi ka qenë e gjallë dhe e pranishme në kujtesën popullore, kurse Fishta i ndërtoi asaj një monument të përjetshëm me përpunimin e pashoq të saj.

Referuesi e mbyll duke e thënë qartë: me këto punime Sh. Islamaj paraqitet sot si studiuesja më e shquar e gjuhës dhe stilit të shkrimtarëve shqiptarë, pa zvogëluar rëndësinë e punimeve të autorëve të tjerë me zë në këtë fushë, por pa asnjë dyshim se në veprat përgjithësuese për historinë e letërsisë shqiptare, që presin të përgatiten në të ardhmen e afërt, vëzhgimet, idetë dhe përfundimet e arritura do të gjejnë vendin e tyre si ndihmesa të reja.

Prof. Seit Mancaku vijoi me analizën sipas së cilës, një studim për gjuhën dhe stilin e Fishtës, të një poeti e personaliteti si ai, është një ndërmarrje shkencore, sa e rëndësishme aq edhe e vështirë. E rëndësishme sepse vepra e Fishtës bart vlera të shumanshme historike, letrare, gjuhësore, kulturore. Evidentimi, shpërfaqja e këtyre vlerave pasuron gjuhën, letërsinë tonë kombëtare dhe me modelet dhe nivelet e saj nxit zhvillime e prurje të mëtejshme në këto fusha. Është një ndërmarrje e vështirë, sepse studiuesi vihet përballë një personaliteti dhe poeti të madh kombëtar dhe ka detyrën dhe përgjegjësinë të zbulojë vlerat e tij, t’i paraqesë dhe t’i vlerësojë ato në mënyrë të denjë, siç e kërkon madhështia e veprës. Vepra e Fishtës përmban një pasuri të larmishme gjuhësore e kulturore nga burime të ndryshme kombëtare, dialektore, popullore, diturore, mitike legjendare dhe fishtiane, dhe e gjithë kjo pasuri burimesh të ndryshme ndërthurur, përpunuar e ngritur në art nga gjenia krijuese e Fishtës. Pra, botimi i çdo studimi për Fishtën është edhe një përgjegjësi e madhe shkencore profesionale dhe qytetare, sepse pritshmëria dhe kërkesat e lexuesve janë të larta.

Kur mbaron së lexuari këtë studim të gjerë bindesh se autorja ka mundur t’i plotësojë këto kërkesa dhe t’i kapërcejë vështirësitë, falë përgatitjes së saj të përgjithshme gjuhësore si studiuese tashmë e mirënjohur dhe me përvojë të gjatë në fushën e studimeve gjuhësore e sidomos në studimin e gjuhës së letërsisë artistike, gjuhës së shkrimtarëve, fushë në të cilën autorja është angazhuar prej vitesh dhe me sukses.

Para se të hyjë në përshkrimin dhe vlerësimin e veçorive konkrete e stilistike të veprës së Fishtës autorja është ndalur në disa vështrime më të përgjithshme të personalitetit dhe të veprës së Fishtës për t’i vendosur ato në kontekstin historik, kulturor e gjuhësor kur u krijua vepra dhe personaliteti i tij. Autorja është përpjekur të bëjë një karakterizim dhe vlerësim të përgjithshëm të gjuhës së Fishtës si një shkrirje e tipareve të gegërishtes në përgjithësi me veçori të gegërishtes veriperëndimore e të shkodranishtes në veçanti, duke u shtuar këtyre prodhimin krijues gjuhësor spontan të vetë autorit.

 Gjuhën e veprave të shkrimtarit autorja e këtij studimi e ka vështruar në marrëdhëniet e saj me gjuhën popullore, me gjuhën dialektore, me koinenë epike, me koinenë gege dhe së fundi në raport me prodhimtarinë letrare pas vendosjes së gjuhës së përbashkët nga Komisia Letrare dhe të gjitha këto janë trajtuar nga shumë aspekte, jo vetëm në rrafshin e pasurisë së mjeteve shprehëse gjuhësore të një mendimi të thellë historik kombëtar, dhe letrar, pra jo vetën në rrafshin denotativ, por edhe në rrafshin konotativ, të mjeteve shprehëse artistike, të ngjyrimeve të shumta stilistike.


[1]Lame Kodra (Sejfulla Malëshova), Vepra letrare (vëllimi i tretë). Argeta LMG. Tiranë, 1998, f. 302v.

Similar Posts