Ancelotti në vend të Mourinhos. Madrilenët nisin kontaktet

 

Madrid – Carlo Ancelotti do të jetë trajneri i ardhshëm i Real Madrid. Pritet zyrtarizimi, por në Spanjë janë të sigurt se tekniku italian i Paris SG do të marrë drejtimin e skuadrës madrilène në fund të këtij sezoni, duke zëvendësuar në pankinë Jose Mourinho.

E ardhmja e portugezit është vendosur. “Special One” do të kthehet te Chelsea dhe për këtë arsye klubi me president Florentino Perez ka zgjedhur Ancelotti si njeriun e duhur për të mbajtur Realin e Madridit në nivelet më të larta të futbollit europian për klube. Sipas të përditshmes spanjolle “Marca”, drejtuesit madrilenë kanë nisur kontaktet e para me teknikun, duke përfituar edhe nga humori i keq i këtij të fundit pas eliminimit të Paris SG nga Kupa e Francës. Ancelotti shpërtheu me akuza ndaj skuadrës së tij, duke dhënë sinjale të rëndësishme se ai mund të largohet në fund të sezonit. Ky opsion forcohet edhe nga zërat e fundit të merkatos se vetë klubi parizien është në kërkim të një trajneri të ri, madje drejtori teknik i skuadrës Leonardo është takuar në mënyrë të fshehtë edhe me Jose Mourinho. Gjithsesi “rokada” në pankinën e Paris SG dhe Real Madrid duket një mision i pamundur. Ndërkohë, për të arritur te Ancelotti, madrilenët duhet të mundin edhe rivalitetin e Manchester City, që gjithashtu interesohet për teknikun italian për të zëvendësuar në pankinë patriotin e tij Roberto Mancini.

 

Mourinho: Të ardhmen e vendos në fund të sezonit

Jose Morunho është shfaqur i menduar në konferencën për shtyp duke sqaruar edhe njëherë të ardhmen e tij. Trajneri portugez ka folur gjithashtu mbi deklaratën e presidentit të klubit Canillas, sipas të cilit, tekniku nuk duhet të largohet nga Reali.“Te klubi Canilla ka një problem të vogël, pasi ata kanë një president i pëlqen të flasë shumë për mediat. Unë nuk jam i trishtuar, kur ka presion nga çdo anë duhet të ulesh dhe të vendosësh atë që është e mira për të gjithë. Për t’u rikthyer te diskutimi rreth klubit Canillas, mund të them se është si një shtëpi e dytë për mua pasi aty luan djali im”.“Special One” duket i mërzitur me polemikat në klubin “Los Blanco” që ja kanë vështirësuar jo pak punën e tij.

“Nëse ne nuk do të ishim duke luajtur për asgjë atëherë do t’i kuptoja shumë mirë mediat. Jemi në finalen e Kupës së Spanjës e cila është një kompeticion shumë i rëndësishëm për klubin e Realit të Madridit dhe gjithashtu jemi në gjysmëfinalen e Champions League ku do të ndeshemi ndaj një rivali jo të lehtë si Borussia Dortmund. E gjithë kjo është e mjaftueshme për të dhuruar emocione dhe për tu mos marrë me gjëra të pavlera. Unë dua t’i fitoj të dyja kompeticionet ”.Jose Murinho është treguar i kujdesshëm duke vlerësuar të gjithë kundërshtarët e ardhshëm, duke filluar që nga Real Betis.“Betis është një ekip shumë i mirë, me lojtarë dhe me trajner të aftë. Ata luajnë shumë mirë edhe në transfertë. Do të jetë një ndeshje shumë e luftuar por unë shpresoj që të marrim një rezultat pozitiv. Sa për ndeshjen me Dortmundin, do të jetë një sfidë e vështirë. Çdo kundërshtar ka karakteristika të veçanta. Në takimin e parë kam qenë shumë i qetë por do të flasim për këtë ndeshje të martën sepse kemi punuar shumë për këtë sfidë”.Në fund tekniku i Realit ka vlerësuar futbollin anglez, pasi sipas tij, vendi ishullor sjell një tjetër futboll, të pakrahasueshme me asgjë. Në përfundim ai shton se emocioni që të falin tifozët është diçka e papërshkrueshme për të. Me këtë deklaratë, portugezi duket hap “portat” për një afrim të mundshëm te Chelsea.