Apeli lë në burg Ilia Bashon

Gjykata e Apelit, ka lënë në burg 38-vjeçarin Ilia Basho, i akuzuar për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Eleni Basho. Apeli ka rrëzuar kërkesën e Ilia Bashos për t’u liruar nga burgu ndërsa ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës e cila dy ditë pas arrestimit vendosi masën e sigurisë arrest me burg ndaj tij. Në seancën e sotme, avokati i Ilia Bashos kërkoi lirimin e klientit të tij dhe tha se akuza nuk ka prova për fajësinë e tij. Prokuroria ka kërkuar që Basho të vijojë të mbetet në burg, pasi pretendon se ka prova, të cilat vërtetojnë që ai është organizatori i vrasjes së bashkëshortes së tij Eleni. Sipas Prokurorit Sokoli, rezulton se Ilia Basho është organizatori dhe jo ekzekutori. Në pretendimin e saj Prokuroria thekson se është shumë pranë kapjes vrasësit pasi ka përgjime telefonike dhe prova të pakundërshtueshme. Treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Edmond Goga vendosi të lërë në fuqi vendimin e dhënë pak ditë më parë nga Gjykata e Tiranës, e cila dha masën ‘arrest me burg’ për 38-vjeçarin, masë e cila u kundërshtua nga pala mbrojtëse. Ilia Basho akuzohet për vrasjen e bashkëshortes, Eleni Basho e cila u ekzekutua me armë zjarri pak metra larg banesës së saj në 2 shkurt 2012, në Shkozë Tiranë.

Comments are closed.