Arben Malaj: Lista e deputetëve të PS-së, nga anëtarësia

Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, argumenton se listat e deputetëve për zgjedhjet parlamentare të 2013-ës duhet të hartohen me përfshirjen edhe të anëtarësisë së Partisë Socialiste. Malaj mbështet mendimin edhe të dy ligjvënësve të tjerë socialistë se listat, nuk mund të hartohen bazuar në mendimin e lidershipit të PS-së, por duke marrë edhe mendimin e anëtarësisë së thjeshtë dhe strukturave të partisë. Sipas Malajt, argumentimet që vijnë nga deputetë të ndryshëm të selisë rozë, nuk duhen marrë si diçka negative, por si një vlerë që socialistët i dallon nga mazhoranca, ku nuk ka asnjë lloj debati. Ka ardhur koha që të krijohen grupe pune me njerëz të kualifikuar, kjo e pasuar me demokraci të brendshme. Në lidhje me fushatën zgjedhore, për Malajn, ekonomia dhe rimëkëmbja e vendit duhet të jenë pikat më kryesore. “Shtyllat kryesore të fushatës së Partisë Socialiste duhet të jenë detajimi i programit dhe mënyra se si do qeverisë Partia Socialiste, ndryshe nga demokratët”,- tha ai. Deputeti socialist, ndër të tjera, vlerëson si jo kategorik refuzimin e ftesës që kreu i opozitës Edi Rama i ka bërë LSI-së për koalicion në zgjedhjet e 23 qershorit. Malaj shprehet se PS-ja mbetet e hapur për aleanca, duke përfshirë edhe LSI-në, e cila, aktualisht, është në koalicion me mazhorancën. Malaj sqaron se koalicionet nuk duhen bërë thjesht sa për të fituar zgjedhjet, por duhet që t’i sjellin stabilitet qeverisë.

Pak ditë me parë, kreu i opozitës, Edi Rama, ftoi në koalicion opozitar FRD-në dhe LSI-në, ftesë e cila nuk u pranua nga këto të fundit.

 

 

Comments are closed.