Arrestohet vrasësi i arkëtares, policia: Viktor Gushi, ka kryer 16 vepra kriminale

Drejtori i Policisë së Tiranës, Bernard Çaushaj në një konferencë për shtyp, ka bërë me dije detajet e operacionit “Banka”, ku u arrestua 44-vjeçari Viktor Gushi, pasi akuzohet për vrasjen e arkëtares Leonora Kaloçi dhe plagosjes së rojes së bankës Skënder Elmazi. Sipas Çaushaj, hetimet kanë konfirmuar se Gushi është autor i 16 veprave kriminale të ndodhura në periudhën kohore 2008-2012, kryesisht në Tiranë, që kanë të bëjnë me vjedhjen e disa filialeve të bankave dhe pikave të grumbullimit të parave në degët e Ujësjellësit dhe KESH-it. Po ashtu drejtori i policisë, ka deklaruar se 44-vjeçari ka pranuar se është autor i vrasjes jo vetëm të arkëtares Eleonora Kaloçi por edhe të argjendarit Rrapo Sinani si dhe plagosjen e rojes së bankës Skënder Elmazi. Sipas tij Gushi ka pranuar me ftohtësi të gjitha veprat kriminale të dokumentuara nga policia. Drejtori i Policisë së Tiranës, Bernard Çaushaj ka deklaruar se 44-vjeçari ka vepruar i vetëm dhe frekuentonte lojërat e fatit dhe kazinotë. “Ai kryente grabitjen e radhës pasi i linte paratë në kazino duke i studjuar më parë objektet që do të grabiste”, ka theksuar më tej Çaushaj.