Arsimi 9-vjeçar, risitë që vijnë nga ndryshimi

Kurrikula e re do të shmangë ngarkesën në mësime 

Specialistët e Ministrisë së Arsimit kanë përcaktuar risitë që do të sjellë ndryshimi në arsimin 9-vjeçar. Së pari, ata konfirmojnë se kurrikula e re për arsimin bazë nuk do të zbatohet vitin e ardhshëm shkollor. Por specialistët e MASH-it konfirmojnë, mbi të gjitha, se në radhë të parë, nëpërmjet kurrikulës së re, do të shmanget ngarkesa në mësime, pasi do të synohet integrimi i disa lëndëve në një të vetme. “Po diskutohet një draft i planit mësimor dhe ky draft synon të arrijë një ulje e ngarkesës si fizike, në orë, ashtu dhe konceptuale në programe. Pra, në momentin që arsimi fillor do të shtrihet nga klasa e parë deri në klasën e gjashtë ne po synojmë një integrim të lëndëve në mënyrë që njohuritë të mos kenë mbivënie”,- tha Tidita Abdurrahmani, drejtoreshë e Institutit të Zhvillimit të Arsimit. Specialistët thonë se ky integrim lëndësh nuk cenon reformën e altertekstit. “Ky është integrim lëndësh në një fushë të të nxënit. Kjo nënkupton që hartuesit e tre programeve, po themi të fizikës, të kimisë dhe të biologjisë, të vijnë së bashku të shohin se cilat njohuri mbarten me anë të njërës lëndë dhe cilat me anë të lëndës tjetër dhe të eliminojnë mbivëniet”,- tha Abdurrahmani. Ndryshimi i kurrikulave të arsimit bazë është mbështetur, në modelet e 10 shteteve europiane si dhe mjaft mekanizmave e testeve që përdorin organizata ndërkombëtare që merren me arsimin, por baza thonë specialistët është modeli i arsimit shqiptar ndër vite.

Comments are closed.