Arti i fjalës së shkrimtarit

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Para pak ditësh, në faqen e “Tribunës Shqiptare”, lexova një tregim mjaft interesant të shkrimtares dhe publicistes së mirënjohur, zonjës Vilhelme Haxhiraj (Vranari), me titull, “Me vonesë… mister”.

 Arti i fjalës artistike mbështetet mbi mjeshtërinë e rrëfimtarisë, përmes së cilës fjalët e autorit përcillen si në ekran gjatë komunikimit të drejtpërdrejtë me lexuesin. Për ta bërë të vetën mjeshtërinë e rrëfimtarisë, shkrimtari udhëhiqet nga pasioni i jashtëzakonshëm i krijuesit për ta bindur lexuesin për vërtetësinë e asaj që shtjellon. Për këtë qëllim ai përcakton me saktësi thelbin e ngjarjeve që do të shpalosë në veprën e vet. Pikërisht kjo përbën edhe zanafillën e metodës krijuese të punës me fjalën.

 Përmes rrëfimit të një ngjarjeje konkrete nga koha e diktaturës, zonja Vilhelme ka bërë një përgjithësim artistik, duke zbuluar një të vërtetë tragjike për fatin e një individi që braktisi familjen dhe u degdis në dhera të huaj për hir të një kauze të marrë të një sistemi që e priste dështimi i pashmangshëm.

 Në përsosjen e teknikës së ligjërimit, fjala artistike e zonjës Vilhelme vjen e gdhendet jo vetëm si mjet i edukimit të forcës shprehëse ligjërimore. Ajo e mëson lexuesin se si të vëzhgojë, të mendojë, të vlerësojë, të rrëmbehet pas temës së rrëfimit, të kuptojë idenë kryesore të tij.

 Heroi i tregimit të zonjës Vilhelme, përmes rimishërimit në një tjetër individ, sipas misionit që koha e diktaturës i pati ngarkuar, dalëngadalë ka ardhur duke degraduar, si rezultat edhe i tjetërsimit shpirtëror. Shumë vjet pas kthimit në atdhe, kur kauza e sistemit, për të cilin ai u detyrua të braktisë familjen e tij, tashmë kishte kaluar në rojtinat e historisë, para lexuesit vjen e shfaqet një njeri krejtësisht i huaj, a thua se kishte zbritur nga ndonjë tjetër planet.

 Dhe shkrimtarja e talentuar, duke i njohur mirë veçoritë e procesit krijues në zbërthimin e llojeve të ndryshme të artit, në themel të të cilave qëndron fjala, me një fabul të thjeshtë në shikim të parë, ka zbuluar para lexuesit shprehitë e shkëlqyera të mjeshtërisë ligjërimore, përmes një dialogu me natyrshmëri befasuese.

 Filozofi i shquar gjerman Frederik Niçe (Friedrich Ëilhelm Nietzsche – 1844-1900) thotë:

 “Shkrimtari i vërtetë… prandaj edhe është artist, se ai është i aftë që nga një gjë e vogël që ka përjetuar, të zbulojë një gjë të madhe.”

 Kur hyn në universin e fjalës artistike të zonjës Vilhelme Haxhiraj (Vranari), arrin të kuptosh poezinë e madhërishme të ndjenjave që të kaplojnë, çka bën që shpirti të të mbushet me ngrohtësi, me dritë, apo edhe me një trishtim të lehtë. Dhe herë-herë një revoltë e brendshme të bën të shpërthesh në heshtje me zemëratë: Ç’krim që bëri diktatura komuniste që kësaj zonjë të talentuar ia mohoi të drejtën e shprehjes së fjalës artistike që në rininë e saj.

Megjithatë, edhe tani, fjala e saj artistike, si edhe e çdo shkrimtari të talentuar të vendit tonë, lexuesin e ndihmon të kapërcejë trazirat e çdo kohe, për t’u gjendur më afër atyre idealeve shoqërore, për të cilat patën bërë parashikime rilindësit tanë të mëdhenj.

 

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri

 

 

 

 

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin