Atentati në Tiranë, policia asnjë të dyshuar

 

Policia nuk ka deklaruar një pistë kryesore hetimi mbi ngjarjen e mbrëmjes së të martës ku dy persona mbetën të plagosur në ambientet e jashtme të një bar restoranti pranë zonës së Gardës në Tiranë. Lulzim Koka, 46 vjeç biznesmen dhe drejtor ekzekutiv i një firme private si dhe 35-vjeçari Rifat Rustemi punonjës i Gardës, kanë qenë në të njëjtën tavolinë kur një i ri rreth të 25-ve ka qëlluar disa herë në drejtim të tyre. Si pasojë e të shtënave, biznesmeni mori katër plumba ndërsa u plagos lehtë në këmbë 35-vjeçari Rustemi i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në njoftimin e saj zyrtar policia bëri me dije se 35 vjeçari ndodhej rastësisht në tavolinë me biznesmenin i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin ushtarak. Për ngjarjen janë shoqëruar disa persona të cilët kanë parë atentatorin ndërsa nga dëshmitë mësohet se ai ishte i veshur me një kostum sportiv të kuq dhe në kokë mbante kapuç për t’iu fshehur identifikimit. Disa nga dëshmitë e dhëna në polici flasin për një konflikt të mundshëm mes atentatorit dhe biznesmenit, por burime pranë uniformave blu bëjnë me dije se ngjarja po hetohet edhe mbi motivet e hakmarrjes. Kjo, pas marrjes në pyetje të familjarëve të cilët  kanë deklaruar se para disa vitesh, Lulzim Kokës i është vrarë vëllai në qytetin e Beratit. Një identikit i atentatorit mbetet ende i vështirë, pasi edhe këqyrja e filmimeve nga kamerat e sigurisë në zonë, nuk ka dhënë rezultat.