Australian Open, eliminohet Serena Williams

31-vjeçarja u dorëzua përballë së panjohurës Sloane Stephens

Një 19-vjeçare bëhet protagoniste në Australian Open. Në turneun e tenisit për femra, amerikania Sloane Stephens ka eliminuar në çerekfinale bashkëkombësen më të njohur, Serena Williams. 31-vjeçarja cilësohej si favorite për të triumfuan në këtë eveniment, pasi, prej muajsh, ishte shfaqur në formë të shkëlqyer, duke qenë fituese në “Wimbledon” dhe e medaljes së artë olimpike. Williams u dorëzua në tre sete, pasi gjatë gjithë përballjes kishte probleme në shpinë, ndërsa nuk e ka fshehur edhe zemërimin, duke thyer raketën. Në gjysmëfinale Stephens do të ndeshet me kampione në fuqi dhe numrin një të klasifikimit botëror, bjellorusen Victoria Azarenka. Në gjysmëfinalen tjetër luajnë Maria Sharapova dhe kinezja Na Li.

Murray me lehtësi në gjysmëfinale

Andy Murray nuk ka pasur probleme ndaj francezit Jeremy Chardy, të cilin e mposhti në tre sete (6-4, 6-1, 6-2) për të arritur në gjysmëfinale të Australian Open për të katërtin vit radhazi. Britaniku i treti në botë ka kaluar vetëm shtatë orë në fushë në katër ndeshjet e kaluara, ndërsa pati nevojë për më pak se dy orë (111 minuta) për të eliminuar francezin.Murray, i cili arriti në finale në vitin 2010 dhe 2011, sfidën e radhës gjysmëfinale do ta zhvillojë me fituesin e takimit Roger Federer – Jo-Wilfried Tsonga.

 

Lexoni edhe: