Categories
Arkiva

Shkollat publike dhe private, kriteret për liçensim

Projektligji i ri për arsimin parauniversitar, burimet kryesore të financimit për çdo shkollë

Kriteret për përcaktimin e shtesës mbi pagë. Si do të miratohen përfitimet e veçanta për mësuesit që punojnë në zonat larg vendbanimit të tyre

Publikohet procedura e re për hapjen e institucioneve arsimore publike dhe private në të gjithë vendin. Rregullat për hapjen dhe mbylljen e shkollave private dhe publike janë përcaktuar në ligjin e ri “Të arsimin parauniversitar”, i cili është bërë publik, së fundmi, nga MASH-i. Kështu, sipas këtij projektligji, hapja dhe mbyllja e një institucioni arsimor publik bëhen me urdhër të ministrit, me propozim të përbashkët nga njësia bazë e qeverisjes vendore dhe nga njësisë arsimore vendore. Ndërkohë, kriteret dhe procedurat për hapjes dhe të mbylljes së tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”. Po ashtu, institucionet arsimore të Pakicave Kombëtare hapen dhe mbyllen me vendim të Këshillit të Ministrave, gjithashtu, me propozim të ministrit të Arsimit.

Hapja dhe mbyllja e institucioneve arsimore private

Burime pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, konfirmojnë se Institucionet Arsimore Private krijohen dhe funksionojnë sipas projektligjit të ri, përveç rasteve kur në ligj ka formulim të veçantë për institucionet arsimore publike, si edhe akteve nënligjore të nxjerra në mënyrë specifike për to. “Licencimi i institucioneve private bëhet nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Liçensimit, sipas vendimit të ministrit dhe fillon veprimtarinë e tij vetëm pas marrjes së licencës. Gjithashtu, liçensimi bëhet kur ai plotëson kriteret e përcaktuara në udhëzimin e ministrit. Pezullimi dhe revokimi i institucioneve arsimore private, kryhen nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Liçensimit, me vendim të ministrit. Shkollat private, në të cilat zhvillohen lëndë fetare, hapen dhe mbyllen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit, mbështetur në kërkesën e përfaqësuesve të bashkësive fetare. Ndërsa, kriteret dhe procedurat e hapjes së tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në projektligjin e ri të arsimit parauniversitar. Më tej, përcaktohet se shkollat private, në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhë të huaj, hapen dhe mbyllen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit dhe kriteret dhe procedurat e hapjes së tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Në shkollat private ku zhvillohen lëndë fetare dhe për shkollat e gjuhëve të huaja, lëndët: Gjuhë shqipe dhe letërsi, histori e kombit shqiptar dhe gjeografi e Shqipërisë, zhvillohen detyrimisht në gjuhën shqipe. Gjithashtu, sipas përcaktimeve të projektligjit të ri, një institucion arsimor privat ndërpret veprimtarinë e tij vetëm në fund të vitit shkollor.

Vlefshmëria e liçensës, pezullimi dhe revokimi

Liçensa vlen vetëm për subjektin përgjegjës dhe vetëm për atë nivel arsimor, vendndodhje dhe mjedise, për të cilat është dhënë fillimisht. Çdo ndryshim i bërë nga ana e subjektit të licencuar duhet të miratohet nga ministri dhe Qendra Kombëtare e Licencimit. Në rast se ndryshimet e bëra kanë të bëjnë me kriteret e licencimit, licenca revokohet dhe kërkesa trajtohet si aplikim i ri. Gjithashtu, në projektligj, thuhet se afati i vendimmarrjes për shqyrtimin e kërkesave për licencim ose për ndryshime përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Ndërsa pezullimi ose revokimi i licencën në institucionin arsimor privat, bëhet nga ministri në propozim të IKA-it ose të njësisë arsimore vendore. Një institucion arsimor, liçensa e të cilit është pezulluar, mund ta fitojë atë për vitin pasardhës shkollor, në qoftë se plotëson kriteret e licencimit. Vendimi përfundimtar për revokimin e licencës është i pakthyeshëm për subjektin dhe institucioni mbyllet. Në rast të pezullimit dhe revokimit të një licence, njësia arsimore vendore përkatëse i vendos nxënësit në institucione të tjera arsimore, publike ose private. Shpenzimet për përfundimin e një viti shkollor për të gjithë nxënësit e regjistruar në atë shkollë private përballohen nga garancia bankare e institucionit arsimor privat të mbyllur. Modalitetet e transferimit të nxënësve përcaktohen me udhëzim të ministrit.

Financimi i arsimit parauniversitar

Sipas projektligjit të ri për arsimin parauniversitar burimet për financimin e arsimit parauniversitar janë:

a) buxheti i shtetit;

b) të ardhurat e njësive të qeverisjes vendore;

c) dhurimet e sponsorizimet;

ç) të ardhurat e përftuara nga institucionet arsimore;

dh) të ardhura të tjera të ligjshme.

Financimi nga buxheti i shtetit planifikohet me formulën “për nxënës”, sipas treguesve të veçantë të niveleve arsimore dhe kushteve të institucioneve arsimore publike. Në buxhetin e shtetit, për njësitë bazë të qeverisjes vendore, caktohet një fond “për nxënës”, i cili përdoret për mirëmbajtjen e institucioneve arsimore publike, në përputhje me standardet e mirëmbajtjes për institucionet arsimore, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Shtesa mbi pagë ose përfitime të tjera për punonjësit arsimorë, në veçanti, për mësuesit që punojnë në zonat larg vendbanimit të tyre, jepen sipas kritereve të vendosura nga Këshilli i Ministrave. /Botuar në gazetën ‘Republika’