Autoriteti i Konkurrencës: Gjoba subjekteve që kanë shfaqur sjellje monopoli në treg

Tregjet problematike që nuk respektojnë rregullat ligjore. ERE nuk plotëson rekomandimet për justifikimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Nisin zyrtarisht hetimin për çmimet e siguracioneve të makinave

1 miliardë lekë është gjoba që Autoriteti i Konkurrencës u ka vendosur subjekteve që kanë shfaqur sjellje monopoli në treg. Kështu, gjatë një prezantimi para deputetëve të Komisionit të Ekonomisë, kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Lati, deklaroi se gjatë vitit 2011, u hapën hetime në disa tregje. Sipas saj, ndër tregjet më problematike është ai i sektorit të energjisë, për të cilin orientohen ankesa të shumta tek Enti Rregullator i Energjisë. Gjithashtu, ajo deklaroi se një pjesë e hetimeve marrin shkas nga publikimet e rasteve në media. Kryetarja Lati kujtoi se aktualisht, Autoriteti i Konkurrencës është duke ushtruar një hetim në tregun e shoqërive të sigurimeve, të cilat rritën njëkohësisht çmimin e policave të sigurimit për automjetet. Autoriteti i Konkurrencës bën të ditur se janë 12 çështje në lidhje me gjobat, të cilat janë ankimuar nga subjektet në gjykata, 7 prej të cilave janë zgjidhur dhe 5 janë në proces.

Rritja e çmimit të energjisë

Autoriteti i Konkurrencës deklaroi se Enti Rregullator i Energjisë vazhdon të mos e zbatojë rekomandimin, për të justifikuar vendimet për rritjen e çmimit të energjisë. “Rekomandimi nuk është marrë parasysh nga ERE. Por është Komisioni Europian në progres-raportin e vitit 2011, e shkruan në mënyrë të qartë, që ERE duhet të marrë në konsideratë rekomandimin e Autoritetit të Konkurrencës, specifikisht për këtë”. Kështu u shpreh gjatë fjalës së saj, Lindita Lati, kryetare e AK-së. Ky nuk është rasti i parë kur rekomandimet e Konkurrencës injorohen nga institucionet shtetërore. Pak kohë më parë, Autoriteti i kërkoi Bankës Qendrore të rikthejë sportelet e tregtimit të bonove për qytetarët, por edhe ky rekomandim u injorua. Në këto kushte, kryetarja Lati kërkon një zgjidhje ligjore për këtë ngërç. “Autoriteti i Konkurrencës, rekomandimet që vijnë prej tij, ndoshta duhet të bëhen pjesë e diskutimit më të gjerë ndërinstitucional. Në qoftë se me palët ne shtrojmë pyetje, se ku certifikohet vendimi i Komisionerit të Konkurrencës, ne themi që është gjykata, atëherë pikërisht vendimet dhe rekomandimet e Autoritetit të Konkurrencës ndoshta mund të gjendet instrumenti juridik, për të ardhur dhe për t’u krahasuar opinionet dhe për të marrë një vendim të drejtpërdrejt”,- tha Lati. Gjatë paraqitjes së raportit vjetor në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, Autoriteti njoftoi se ka nisur zyrtarisht hetimin për çmimet e siguracioneve të makinave. Zonja Lati tha se Autoriteti po heton njëkohësisht në disa tregje, mes të cilëve edhe atë të Transportit Ajror, por edhe Energjisë.

Comments are closed.