Autoriteti Kombëtar i Ushqimit: Produktet ushqimore, me ambalazh letre

Të gjitha produktet ushqimore, si djathi, mishi, gjalpi, sallamet, duhet t’i serviren konsumatorit me ambalazh prej letre. Kjo është një kërkesë që vjen nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Një masë e tillë u kërkua më parë për bukën, ndërsa Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, përveç inspektimeve të tij, kërkon edhe ndërgjegjësimin e vetë qytetarëve. “Gjatë inspektimeve vihet re një zëvendësim në masë i ambalazhit plastik me një letër organike të certifikuar. Kjo vihet re në disa qytete të vendit, por në Tiranë, ku ka një numër më të madh qytetarësh dhe biznesesh, ndryshimi është më i vogël. Nga ana tjetër, duhet të ketë edhe ndërgjegjësim qytetar për këtë lloj ambalazhi, që duhet të përdoret jo vetëm për bukën, por edhe për tërë produktet ushqimore”,- kështu shprehet Manjola Vraja, inspektore në sektorin e ushqimit pranë AKU-t. Por, përveç ambalazhit që duhet detyrimisht të jetë i certifikuar për kontakt me produktet ushqimore, specialistë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit theksojnë domosdoshmërinë e etiketës në gjuhën shqipe, ku të jenë të mirëpërcaktuar përbërësit, vendi i prodhimit, data e skadencës e të tjera.