Banesat sociale, programet për strehim

EKSKLUZIVE/ Flet Ilirjan Proko, drejtor i Përgjithshëm i Entit Kombëtar të Banesave

Si përfitohen kreditë e subvencionuara nga shteti. Kategoritë që iu lind e drejta të marrin kredi me 0, 3 dhe 4 për qind. Procedura dhe afatet e tërheqjes së kredisë. Programi i banesave sociale me qira, numri i familjeve që përfitojnë

Për të gjitha kategoritë në nevojë dhe që trajtohen me një status të veçantë, ndiqen një sërë programesh strehimi. Kështu, Enti Kombëtar i Banesave, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve Publike dhe institucionet e tjera përgjegjëse, po punon për vënien në punë të një sërë programesh, siç janë banesat me kosto të ulët, banesat me qira sociale dhe kreditë e subvencionuara nga shteti. “Programi për banesat me kosto të ulët ka adresuar tri bashki; bashkinë e Shkodrës, bashkinë e Kavajës dhe atë të Korçës. Gjithsej janë rreth 135 apartamente banimi dhe pjesa e kateve përdhese janë ambiente shërbimi, të cilat destinohen nga Enti Kombëtar i Banesave për t’u tregtuar në tregun e lirë të ndërtimeve, me qëllim që të krijohen të ardhurat për këtë institucion”. Kështu shprehet Ilirjan Proko, drejtor i Përgjithshëm i Entit Kombëtar të Banesave. Sipas tij, programi i dytë që adresohet është programi i subvencionimit të interesave të kredisë. “Ky është një nënprogram, i cili futet në programin e banesave me kosto të ulët. Për këtë program janë të specifikuara tri nënndarje. Programi adreson të gjitha familjet që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve”,- shtoi më tej z. Proko.

– Cilat janë disa nga programet që po ndjek Enti Kombëtar i Banesave për strehimin e qytetarëve?

Në rast se do t’i referohemi ligjit 9232, ai parashikon programe paralel për të gjithë problematikën e strehimit për Republikën e Shqipërisë. Këto janë sistemimi i qytetarëve në banesa me kosto të ulët, çka presupozon ndërtimin e këtyre banesave nga subjekte ndërtuese, që mund të jetë Enti apo bashkia përkatëse. Ndarja e tyre mund të bëhet për qytetarët e pastrehë për të gjitha bashkitë përkatëse. Organet e këshillave bashkiake bëjnë edhe listimin e përfituesve. Por përfitimi për të hyrë në këto banesa është sipas kostos reale të ndërtimit, as më shumë dhe as më pak. Kështu mblidhen shumatoret e investimit në këto banesa dhe ndahet mes qytetarëve. Këta qytetarë kanë mundësi ta shlyejnë këtë banesë me kosto reale, por me afat likuidimi, deri në 25 vjet. Por dikush që mund të ketë të ardhura më të mira, mund ta paguajë atë dhe më shpejt. Në këtë program është i specifikuar Enti Kombëtar i Banesave, i cili ka ndërtuar një sërë apartamentesh banimi. Aktualisht, për vitin 2011, ne kemi përfunduar tri banesa sociale për këtë kategori, për të cilat duhet t’i drejtohemi në muajt në vazhdim bashkive përkatëse – menjëherë pas marrjes së certifikatës së pronësisë së këtyre apartamenteve. Programi ka adresuar tri bashki; bashkinë e Shkodrës, bashkinë e Kavajës dhe atë të Korçës. Gjithsej janë rreth 135 apartamente banimi dhe pjesa e kateve përdhese janë ambiente shërbimi, të cilat destinohen nga Enti Kombëtar i Banesave për t’u tregtuar në tregun e lirë të ndërtimeve, me qëllim që të krijohen të ardhurat për këtë institucion. Duhet të kemi parasysh se Enti Kombëtar i Banesave nuk subvencionohet nga buxheti i shtetit apo nuk merr të ardhura nga ai, por është një ndërmarrje shtetërore, e cila mbahet totalisht me të ardhurat e veta, tamam si një sh.a.

– Ç’mund të na thoni në lidhje me kreditë e subvencionuara nga Enti Kombëtar i Banesave?

Programi i dytë që adresohet është programi i subvencionimit të interesave të kredisë. Ky është një nënprogram, i cili futet në programin e banesave me kosto të ulët. Për këtë program janë të specifikuara tri nënndarje. Programi adreson të gjitha familjet që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve. Këtu përfshihen të gjitha familjet, që pas vitit ’92, rezultonin që ishin pa kontrata dhe nuk i kishin bërë këto kontrata për të poseduar në emër të tyre banesën, sepse ajo ishte pronë e pronarëve që u ishte konfiskuar më përpara prona. Të gjithë këta persona kanë përfituar statusin banorë në ish-pronë. Gjatë këtyre viteve, nga 92-shi e në vazhdim, një pjesë e këtyre familjeve janë sistemuar në programin e Entit Kombëtar të Banesave.

 

– Cila është kategoria që përfiton kredi me interes zero për qind?

Aktualisht, për të gjitha familjet që rezultojnë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, që nuk janë sistemuar ende në programet e ndryshme nga Enti apo dhe nga bashkitë, kanë të drejtën e përfitimit të një kredie me zero për qind interes dhe një afat likuidimi deri në 30 vjet. Kjo është një procedurë që po ndiqet nga Enti Kombëtar i Banesave dhe aplikimet bëhen nëpërmjet këtij institucioni. Enti ka detyrimin që brenda 5-10 ditëve dërgon automatikisht emrin e personit që kërkon të përfitojë banesë në bankën që ka lidhur kontratën Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve Publike. Më pas, qytetari paraqitet në bankë për të plotësuar të gjitha dokumentacionet ekonomike, pra nëse është apo jo i aftë të paguajë këstin e kredisë. E thënë ndryshe, për çdo qytet të Republikës së Shqipërisë, dokumentacionet ekonomike janë të ndryshme, pasi dhe të dhënat e tregut janë të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave dhe janë të ndryshme për qytete të ndryshme. Në bashkinë e Tiranës, për vitin 2012, referenca për metër katror është 89.400 lekë, ndërsa për qytetet e tjera është sipas udhëzimit nr. 4, 23.11.2011, “Referenca e çmimeve minimale fiskale”, të miratuar në udhëzimet e Këshillit të Ministrave. Kjo është baza ligjore që i referohet çdo qyteti të Republikës së Shqipërisë. Sigurisht, janë dhe kushtet e miratuara me vendim qeverie, se sa duhet të përfitojë një qytetarë, pasi ata përfitojnë sipas normave të strehimit. Çdo qytetar ka të drejtë të gëzojë 12-14 metër katrorë për frymë dhe kjo, sipas certifikatës familjare që ai posedon. Shprehur më thjesht, Enti Kombëtar i Banesave i ndan në katër nënndarje, siç është garsoniera, me një sipërfaqe minimale 42 metër katrorë, 1+1 që është 52 metër katrorë, 2+1, e cila është 65 metër katrorë dhe 3 +1 është 80 metër katrorë. Një familje që përfiton garsoniere mund të përbëhet dhe nga një person, ndërsa ajo që përfiton 1+1 mund të jetë 2-3 persona e kështu me radhë. Sigurisht, vendimi 814, i cili specifikon dhe të gjitha detajet dhe bazohet në një metodologji për ndarjen e këtyre banesave. Pra, sipas certifikatës, qytetarit i jepet dhe e drejta e përfitimit. Aktualisht, ne vetëm për banorët në ish-pronë kemi dërguar pranë Bankës Kombëtare Tregtare për të përfituar rreth 998 familje, deri më 31 dhjetor, nga të cilat rreth 260 familje, tashmë e kanë përfituar këtë kredi. Numri i qytetarëve që kanë përfituar duhet të jetë në një nivel standard për çdo qytet të vendit, por pjesën më të madhe të tyre e zë Tirana, pasi ajo ka dhe numrin më të madh të qytetarëve që rezultojnë banorë në ish-pronë private.

– Po për sa i takon kredisë me interes 3 për qind, kujt i lind e drejta ta përfitojnë atë?

Pjesa e dytë e këtij programi është kredia me interes 3 për qind. Sigurisht që të gjitha subvencionet në rastin e këtyre kredive, është Ministria e Punëve Publike që nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave dhe buxhetit të shtetit, që paguan drejt bankës të gjithë interesin dhe subvencionet për këto kredi. Qytetari paguan atë çka merr dhe Enti mbulon për çdo kontratë subvencionin që i takon. Në rast se i referohemi kredisë me 3 për qind, e cila miratohet specifikisht me vendimet respektive të këshillave bashkiak, çdo bashki në Republikën e Shqipërisë i është përcaktuar nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, në bazë të numrit të familjeve, për të cilat ajo posedon të listuarit që janë për përfitim për të përcaktuar dhe më pas një shumë. Sigurisht peshën kryesore këtu e zënë qytetet e mëdha, si Tirana, Durrësi, Shkodra, Elbasani, Vlora, etj. Enti Kombëtar i Banesave i referohet gjithmonë bashkive, pasi programi ende nuk aplikohet për komunat. Më pas, Këshilli Bashkiak specifikon në bazë të kërkesës së qytetarëve të gjitha aplikimet. Por qytetarët duhet të mos kenë një banesë në pronësi të tyre apo të mos jenë pjesë e legalizimit të banesave apo dhe të vërtetojnë që jetojnë nën normat e strehimit. Pra, në këtë rast, mund të përfitojnë dhe çiftet e reja, apo dhe familjet ndahen nga familja bazë. Ndërkohë, një tjetër kriter për të përfituar këtë kredi është se personi duhet të ketë të ardhura në një kufi dhe në një kufi dysheme. Sepse banka nëse personi ka të ardhura të pamjaftueshme dhe është me përkrahje sociale apo nën limitin jetik, nuk mund të përfitosh nga bashkia dhe ngaBanka. Por për këto procedura ka një hallkë, ku bashkia i specifikon të gjithë procedurat dhe nivelin ekonomik të personit. Aktualisht, janë mbi 4 mijë familje që i janë dërguar bankës, pasi një pjesë e këtyre listave dërgohen nga Këshilli Bashkiak në Entin Kombëtar të Banesave. Kjo, pasi për çdo kreditor që lidh kontratën me bankës, ne paguajmë subvencionin e interesave të kredisë. Këto familje janë në pritje të vendimeve që më pas do të vinë nga banka.

 

– Cila është procedura e tërheqjes së kredisë?

Procedura e tërheqjes së kredisë ka një afat 6 mujor nga data e miratimit të vendimit të Këshillit Bashkiak. Në rast se brenda 6 muajve nuk e arrin dot që të gjesh një banesë në treg apo nuk arrin që të plotësosh të gjithë dokumentacionet që kërkon banka, personi ka të drejtë që ta shtyjë dhe 6 muaj të tjera afatin. Kjo është një procedurë që ndiqet nga Enti Kombëtar i Banesave. Kështu, me një kërkesë formale drejtuar institucionit tonë, qoftë dhe me anë të postës elektronike, vetëm pasi personi të ketë aplikuar në bankë, kërkohet shtyrja dhe për një vit tjetër. Kjo procedurë shtyrje nënkupton që qytetari nuk mund të rrijë pafundësisht në listë-pritje dhe të diskriminojë një tjetër qytetar, të cilit i ka ardhur radha. Ndaj ata që kanë mundësi të përfitojnë këtë kredi do ta përfitojnë atë, ndërsa ata që nuk kanë mundësi t’i nënshtrohen një rregulli tjetër ose një vendimmarrjeje të dytë. Ndaj, Enti Kombëtar i Banesave ka për detyrë të rakordojmë me të gjitha bashkitë përkatëse listat dhe numrin e personave që kanë përfituar dhe ata që kanë ngelur pa përfituar strehim. Numri i këtyre familjeve kap shifrën diku tek 1 mijë familje që kanë përfituar kredi me 3 për qind dhe një afat likuidimi prej 30 vjetësh. Në këtë planifikim futen dhe familjet e ish-policëve të rënë në krye të detyrës, të cilët përfitojnë kredi me zero për qind në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave. Këto familje kapin një shifër të vogël, 10-11, të cilat janë future në këtë listë përfitimi. Njëkohësisht, ne mbulojmë dhe subvencione për të gjithë zyrtarët e lartë, me një interes 4 për qind dhe me një afat prej 25 vitesh. Ndërkohë, lista miratohet nga ministritë përkatëse në bazë të numrit që planifikohet nga kryeministri për çdo vit kalendarik. Pra ndiqet një procedurë që këta persona duhet të plotësojnë.

 – Ç’mund të na thoni në lidhje me programin e banesave sociale me qira?

Në këtë program, ajo që duhet të kihet parasysh është fakti që ky është fokusuar vetëm në bashkitë përkatëse, me një program që ka nisur në fund të vitit 2008. Janë rreth 7 ose 8 bashki në Republikën e Shqipërisë që aplikojnë këto programe. Ndër këto qytete, përmendim Tiranën, Durrësin, Fierin, Kavajën, Beratin, Peshkopinë, Gjirokastrën, etj. Në total, numri i familjeve që do të përfitojnë nga ky program është 1100 familje. Ky është një program i Ministrisë së Punëve Publike në bashkëpunim me bashkitë, ku me një kredi të akorduar nga Banka Evropiane për Zhvillim po realizohet ky projekt. Këto bashki, ende nuk kanë nisur ndarjen e këtyre apartamenteve, sepse është një program që zhvillohet për herë të parë. Kjo, pasi ka probleme të menaxhimit, monitorimit e të gjitha faktorëve të këtij procesi.