Barcelona ankohet tek UEFA për fushën në San Siro, Pep: Ishte e rrezikshme

Pas barazimit në S. Siro, Barcelona ka paraqitur një denoncim formal tek UEFA për gjendjen e keqe të terrenit në këtë stadium. Zyrtarët e klubit spanjoll janë ankuar edhe zyrtarisht në UEFA, për fushën e San Siros që sipas futbollistëve dhe zyrtarëve të Barcelonës ka qenë katastrofale dhe e rrëshqitshme dhe kjo jo vetmë ka qenë e rrezikshme për lojtarët, por ata nuk kanë dhuruar spektakël. Barcelona ka dërguar sot një fax në zyret e UEFA-së, duke u ankuar se klubi Milan qëllimisht e ka lagur fushën në mënyrë që lojtarët e Barcelonës të kenë problem gjatë ndeshjes. Në fakt gjendja e San Siro, mbrëmjen e djeshme nuk ka qenë e njëjtë me gjendjen e mëparshme, dhe dëshmitë vijojnë të jenë më shumë se të besueshme. Pep Guardiola, ka deklaruar se fusha ka qenë e rrezikshme, dhe nevojitet ndërhyrja. “Ne përshtatemi me gjithçka, do të luajmë, por kjo është një problem për spektaklin. Një fushë në këtë gjendje është e vështirë”, është shprehur Guardiola. Duke vijuar kritikat e tij në lidhje me fushën e Milanit, tekniku ka thënë se ajo ishte në një gjendje të tmerrshme se rezultati 0- 0 nuk garanton asgjë për skuadrën e tij. “Çfarë kam biseduar me Berlusconin? Kjo gjë mbetet ndërmjet meje dhe atij”, u shpreh trajneri i Barcelonës. “Ndeshja? Ne i dimë kualitetet e Milanit, por fakti që nuk kemi shënuar asnjë gol, na penalizon shumë. Fusha ishte shumë e rëshqitshme, ishte shumë e vështirë. Të luash në “San Siro” është çdo herë mirë, por bari nuk ishte i përshtatshëm për një ndeshje futbollit. Milani dhe kjo fushë meritojnë një gjë më të mirë”, tha Guardiola. Reaguan menjëherë zyrtarët e Milanos, Adriano Gilliani, i cili deklaroi se fusha në San Siro nuk ka qenë e mirë ndër vite dhe ky problem qëndron prej kohësh dhe nuk ka pasur asnjë gjë të qëllimtë nga ana e zyrtarëve të Milanos. Ndërsa nga ana tjetër, në lidhje me rezultatin e barazimit mes skuadrave, trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri është shprehur i kënaqur, pasi është shumë i lumtur që ata nuk kanë pësuar asnjë gol. “Ne jemi mbrojtur shumë mirë. Duhet të jemi të lumtur me rezultatin, sepse Barcelona shënon çdo herë gola në ndeshjet që luan”, tha ai. “Unë dua t’i përgëzoj lojtarët e mi të cilët kanë qenë perfektë. Në Spanjë do të jetë vështirë, por rezultati na jep neve forcë. Unë duhet të bëj tre ndryshime dhe shpresoj tek rikuperimet e disa lojtërave. Duhet vetëm të jemi pak më efikasë me topat e gjatë”, shtoi në fund Allegri.