Basha: 10 mijë pemë të reja brenda vitit në Tiranë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka inspektuar sot, punën që po kryhet për mbjelljen e pemëve të reja në kryeqytet. Basha ishte në zonën e Kombinatit, ku në rrugën “Llazi Miho” u mbollën 60 pemë. “Qëllimi ynë është që brenda këtij viti, të mbjellim 10 000 pemë të reja në Tiranë dhe ju siguroj se ky është viti me mbjelljen më të ulët në planifikimin e Bashkisë, për katër vitet e ardhshme, sepse një nga qëllimet kryesore të Bashkisë është përmirësimi i cilësisë së jetës dhe kjo vjen duke zgjeruar hapësirën e gjelbër”, theksoi Basha. Po ashtu në fjalën e tij, Basha u shpreh se aktualisht ka përfunduar 95% e rikonstruksionit të rrugëve më të amortizuara të Tiranës, ndërsa nënvizoi se së shpejti do të çelen prokurimet, për të gjithë projektet madhore të parashikuara në buxhetin e këtij viti. “Kjo përpjekje vjen paralel me përfundimin e punëve në 95% të rrugëve, të cilat u identifikuan nga drejtoritë përkatëse, për riparime të menjëhershme, por kjo punë vjen para çeljes së prokurimeve, për të gjithë projektet madhore të buxhetit për vitin 2012, pra është fillimi i një pune të madhe, e cila do të shikojë ndërhyrjen në të gjithë lagjet e Tiranës, kudo ku jetojnë qytetarët, kudo ku shtrihen hapësirat e tyre të jetës së përditshme dhe natyrisht jo vetëm në qendër , por sigurisht edhe në qendër”, vijoi kreu i Bashkisë së Tiranës.