Basha inspekton ujësjellësin te Kodra Priftit: Rikualifikim urban për të gjithë zonën

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka inspektuar sot punimet për ujësjellësin tek Kodra e Priftit. Me një investim prej 50 milionë dollarësh Tirana do të ketë një depo të re uji dhe një sistem të ri kanalizimesh.Sipas kryetarit të Bashkisë ujësjellësi i ri ishte një domosdoshmëri për këtë zonë të kryeqytetit, pasi zgjidh problemin e 35 mijë banorëve për furnizim me ujë.  “Kjo zonë e qytetit, ndonëse nuk është në qendër dhe për fat të keq nuk ka qenë as në qendër të vëmendjes, sot është rikthyer fuqishëm jo vetëm në buxhet, por edhe në zbatimin e këtyre projekteve nga Ujësjellës-Kanalizimet dhe nga ndërmarrjet e tjera të Bashkisë, së shpejti edhe nga kontraktorët, në mënyrë që këtu si edhe në zonat e tjera ku do të ndërhyjmë me buxhetin e vitit 2012, ne të sjellim një standart më të mirë jetese, sipas angazhimit tonë për një Tiranë ku punohet, jetohet dhe shijohet më mirë jeta dhe kjo fillon nga lagjet e qytetit, nga pragu i derës së çdo qytetari, në këtë rast nga pragu i derës së çdo banori të “Kodrës së Priftit””, u shpreh Basha. Pas përfundimit të punimeve për rrjetin e ujësjellësit, kryebashkiaku Basha bëri të ditur se do të nisë puna për rikualifikimin urban të kësaj zone, që nga shtrimi i rrugëve, ndërtimi i trotuareve, ndriçimi, gjelbërimi etj. Paralelisht, sipas zotit Basha do të nisë puna edhe për rehabilitimin e kolektorit tek rruga “Dalip Topi”. Gjatë inspektimit të punimeve përgjate gjithë zonës së “Kodrës së Priftit”, zoti Basha u njoh edhe me shqetësimin e disa banorëve, të cilët si pasojë e punimeve për këtë projekt kishin mungesë të ujit të pijshëm. Zoti Basha i garantoi këta banorë se deri në datën 27 prill, kur përfundon edhe projekti  do të furnizohen në mënyrë të pandërprerë nga Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve pa kosto. “Një vëmendje të veçantë i kërkova Ujësjellës – Kanalizimeve, Drejtorit z.Dollapi, për 32 familje të rrugës “Violeta Manushi”, të cilët si rezultat i këtij projekti kanë humbur lidhjen me sistemin e vjetër të ujësjellësit. Këto 32 familje, deri në datën 27 prill do të furnizohen në mënyrë të pandërprerë nga Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve pa kosto dhe duke filluar nga data 27 prill do të rikthehem këtu personalisht, për të kontrolluar që në rubinetat e tyre rrjedh ujë i pijshëm nga sistemi i Ujësjellës – Kanalizimeve të Tiranës”, theksoi Basha.

Comments are closed.