Basha: Partneritet me Pekinin për projektet e Tiranës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Aurela  kanë  ndjekur mbrëmë spektaklin e veçantë të dhuruar nga artistët kinezë, në Teatrin e Operës dhe Baletit. Mbrëmja ka nisur me një ekspozitë me piktura e fotografi nga Kina, por edhe të punimeve artizanale kineze. Duke u uruar mirëseardhjen artistëve nga Pekini, Basha uroi që së shpejti, në Pekin të zhvillohet “Nata e Tiranës”, ku artistët shqiptarë të shpalosin kulturën e lashtë shqiptare. “Unë jam veçanërisht i lumtur, që gjatë takimeve këtu në Tiranë ne vumë baza shumë të forta, për të konsoliduar marrëdhënien tonë në të gjithë fushat, ekonomike, tregtare, kulturore, artistike, arsimore dhe sportive. Edhe qyteti i Tiranës ka ëndrra dhe projekte të mëdha për të ardhmen. Ne shpresojmë se në partneritet me Bashkinë e Pekinit, qytetin e Pekinit, në partneritetin  mes dy vendeve tona, të cilat ndajnë një miqësi të përhershme dhe të vjetër, këto projekte dhe këto ëndrra do të jenë afër realizimit në një kohë më të shkurtër”, u shpreh ai. Ndër të tjera Basha, theksoi angazhimin e tij, për të shndërruar në realitet ëndrrat dhe projektet e mëdha të qytetit të Tiranës, u shpreh entuziast për mbështetjen e qeverise kineze, në realizimin e tyre. “Transformimi  rrënjësor që Pekini ka pësuar vitet e fundit, me forcën dhe investimet e jashtëzakonshme që shpalosi para botës, me rastin e Lojrave Olimpike, është një qytet me partneritetin e së cilit ne krenohemi. I uroj mirëseardhjen të gjithë artistëve të pranishëm këtu nga Pekini dhe shpresojmë se së shpejti edhe trupat tona artistike të Tiranës e Shqipërisë, të ndodhen në skenat e Pekinit dhe qyteteve e tjera të mëdha të Kinës”, theksoi ndër të tjera kreu i Bashkisë së Tiranës.

Comments are closed.