Bashkëkryetari socialist në komisionin për reformën zgjedhore Gjiknuri: Formulë e re për KQZ-në

“Palët, ende larg kompromisit për ndryshimin e sistemit”

Opozita merr një nga garancitë e kërkuara për zgjedhjet e ardhshme. Mes ekspertëve të komisionit është rënë dakord për një formë të publikimit të listave të zgjedhësve dhe identifikimit të tyre që pritet të shmangë një nga shqetësimet më të mëdha të opozitës në zgjedhjet e shkuara, manipulimi me listat e zgjedhësve dhe votimin më shumë se një herë të një zgjedhësi përmes kartave fiktive të identitetit. “Në këtë projekt, kemi reflektuar ato garanci që kemi kërkuar me kohë dhe që kanë të bëjnë akses dhe me integritet të procesit të përgatitjes së listës së zgjedhësve”, shprehet Gjiknuri. Bashkëkryetari socialist pohon se ende mes dy palëve mbetet larg një kompromis për sistemin, pasi, sipas tij, PD-ja po tregohet refraktare për korrektim të proporcionalit. Në rast të kundërshtimit të korrektimit, Gjiknuri zbardh një tjetër ofertë të PS-së për këtë çështje. “Për ta bërë më proporcional sistemin, duhet të ishte riformatimi i zonave zgjedhore, që në Shqipëri të kishte zona zgjedhore fikse p.sh mund të ishin 10 zona apo 6. 10 zona do të ishin më të pranueshme të ndara me 14 deputetë”,- thotë Gjiknuri. Bashkëkryetari socialist konfirmon se, aktualisht, ekspertët janë duke shqyrtuar formulat e përbërjes së KQZ-së. Ai pohon se nga ODHIR-i është propozuar një formulë mikse e institucionit më të lartë zgjedhor, me propozime nga partitë dhe institucionet e pavarura, por PS-ja mbetet skeptike për këtë duke argumentuar: “Në kushtet shqiptare, të jemi realistë, kjo është shumë e vështirë sepse ju e shikoni që pavarësia e institucioneve në këtë vend, thjesht ekziston në letër, në realitet është një ëndërr që asnjëherë nuk u realizua. Kemi disa opsione, jemi duke e biseduar me palën tjetër. Ne synojmë të kemi një formë më të balancuar, pra përzgjedhja e atij grupi njerëzish, të cilët bëjnë diferencën për sa i përket vendimmarrjes, të jetë më konsensuale. Shpresojmë që kësaj radhe do të ketë një interes më të madh për të kuptuar se kush cenon integritetin e procesit zgjedhor në nivelin qendror të KQZ-së, patjetër do të marrë një kosto të rëndë”. Javën e ardhshme, pritet të miratohen në komision 3 kapitujt e negociuar mes ekspertëve, ndërsa në fillim të saj me prezence edhe të ODHIR-it gjatë dy ditëve do të zhvillohen takime pune që do të kenë në fokus çështjet e riformatimit të KQZ-së dhe atë të teknologjive të përdorura në zgjedhje.