Bashkia nis fazën e dytë të punimeve për rehabilitimin e rrugëve

Bashkia e Tiranës ka nisur fazën e dytë të rehabilitimit të rrugëve të amortizuara në kryeqytet. Lidhur me këtë fakt, Drejtori i Përgjithshëm i Planifikimit dhe Menaxhimit të Shërbimeve në bashkinë e Tiranës, Taulant Zeneli, bëri të ditur se deri më sot, kanë përfunduar 91 rrugë të parashikuara si emergjente si dhe ka filluar puna për vendosjen e pusetave të ujërave të shiut. “Rruga ka përfunduar dhe si kjo rrugë ka përfunduar edhe pothuajse 98 për qind e të gjithë rrugëve të përfshira në planin e bashkisë së Tiranës. Jemi fokusuar vetëm në listën e rrugëve që kanë pasur probleme të evidentuara nga specialistët e bashkisë, por edhe në rrugët, për të cilat na kanë ardhur shqetësime nga qytetarët, nëpërmjet komunikimeve të ndryshme: Mund të themi se një ndër ato rrugë, ku bashkia po ndërhyn është rruga “Sadik Petrela”, ku në bashkëpunim me Ujësjellësin, po bëhet i mundur edhe kanali i ujërave të shiut, pasi mund ta rehabilitojmë dhe shtrojmë asfaltin, por pa kanalin e ujërave të shiut, ky asfalt do të prishej për një muaj, kështu që për një periudhë tre ditore edhe kjo rrugë do të jetë si rrugët ku bashkia e Tiranës ka ndërhyrë”,- deklaroi Zeneli. Aktualisht, po punohet në të tjera akse rrugore, të cilat janë të amortizuara, por edhe për ato që ka pasur një shqetësim të shprehur nga qytetarët në takimet me kryetarin e bashkisë, ashtu edhe përmes letrave, maileve apo faqes së Facebook-ut, një prej të cilëve është rruga “Sadik Petrela”. Ndonëse është asfaltuar disa herë, kjo rrugë vazhdon të jetë tejet e amortizuar, pasi nuk është ndërhyrë në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të shiut. Aktualisht, Ndërmarrja e Ujësjellësit ka nisur punën për kanalizimet dhe, më pas, bashkia e Tiranës do të vazhdojë rehabilitimin e rrugës.

 

Comments are closed.