BB prezanton projektin për tregun e siguracioneve motorike

Autoriteti Shqiptar i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe një ekip i Bankës Botërore me ekspertë të fushës së sigurimeve organizoi dje një seminar,  me pjesëtarë të tregut dhe përfaqësues të grupeve të tjera të interesit për të prezantuar arritjet dhe rekomandimet e një projekti të asistencës financiare për ‘Liberalizimin e Sigurimit të Detyrueshëm Motorik në Shqipëri”. Projekti është financuar nga Banka Botërore- Nisma FIRST. Objektivi i projektit ishte që të asistohej AMF në zhvillimin e politikave dhe proceseve që mundësojnë kalimin nga përcaktimi i çmimit sipas tarifave të menaxhuara,  në mënyrë të centralizuar drejt një çmimi plotësisht të liberalizuar me bazë risku të produkteve të tregut të sigurimeve të detyruara motorike. Ky ndryshim ka si synim: (i) të mundësojë praktika më homogjene për vlerësimin e riskut të marrjes në sigurim (ii); të rrisë efikasitetin administrativ dhe rregullator dhe (iii) të rrisë përgjegjësinë e konsumatorëve përmes paraqitjes së një lidhjeje dinamike ndërmjet kostos së primit të sigurimit të detyrueshëm motorik dhe sjelljes në rrugë. Një tjetër synim i projektit ka qenë të asistojë AMF-në që të përafrojë kuadrin ligjor vendas për tregun e sigurimeve me direktivat e Bashkimit Evropian, në përputhje kjo me angazhimet e Shqipërisë në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit me Bashkimin Europian. Disa objektiva më specifikë të projektit ishin krijimi i një mjedisi ligjor dhe rregullator që do të reduktonte shpeshtësinë e kërkesave për dëmshpërblim dhe do të zvogëlonte numrin e mashtrimeve me sigurimet e mjeteve motorike. Projekti ka shqyrtuar stimuj më të mëdhenj për të inkurajuar drejtuesit e automjeteve të ngasin makinën në mënyrë të sigurt.