BE, apel Shqipërisë të rrisë sigurinë ushqimore

Bashkimi Europian i ka bërë bën apel vendit tonë që të ketë kujdes në fushën e sigurisë ushqimore, duke lënë të kuptohet se ky sektor ka probleme. Kështu, gjatë takimit të radhës të nënkomitetit të përbashkët BE-Shqipëri për bujqësinë dhe peshkimin, përfaqësuesi i delegacionit të BE-së, Fransua Begeot, kërkoi të mbahet parasysh programi i BE dhe të përmirësohet sektori bujqësor. “Është e rëndësishme që të ketë një lidership të fuqishëm, i cili të bëjë analizë të hollësishme të sektorit të bujqësisë. Zbatimi i projektit IPA kërkon edhe zbatim më të mirë të asistencës së Bashkimit Europian. Shpresojmë që burimet që do nevojiten për përmirësimin e këtyre fushave, sidomos të sigurisë ushqimore të shfrytëzohen, më së miri, dhe të ngrihen kapacitetet e nevojshme edhe për përmirësimin e legjislacionit. Duhet një bashkëpunim i mirë sidomos për sektorin e peshkimit, por ju lutem mbani parasysh programin e BE”,- tha Begeot. Nga ana tjetër, zëvendësministri i integrimit, Edmond Hoxha, u shpreh se volumi tregtar i sektorit të bujqësisë dhe ushqimit në vitin 2011 ishte rreth 704 milionë euro me një rritje prej 29.6 për qind, krahasuar me 2010. Sipas zëvendësministrit të integrimit, prioritet aktual është konsolidimi i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, objektiv, që konsiston në përmirësimin e situatës për mbrojtjen e konsumatorit nëpërmjet një sistemi efiçent të sigurisë ushqimore. Ndërkohë në tregjet tona ushqimore, shumë produkte që tregtohen nuk kanë të shënuara në etiketa përbërësit duke shkaktuar probleme për organizmin e njeriut. Këto probleme dihen nga organet kompetente, por ende asgjë nuk është bërë për të parandaluar këto fenomene.

Comments are closed.