BE: Shqipëria, zhvillime pozitive, me rëndësi reforma zgjedhore

Zëvendëskryetari i delegacionit për Ballkanin, Libor Roucek

Komisioni Europian vlerëson pozitivisht reformat e integrimit në Shqipëri, si dhe zhvillimet më të fundit në vend. Pjesa më e rëndësishme mbetet ende reforma zgjedhore dhe progreset e arritura javët e fundit. Parlamenti Europian ka shprehur vullnetin e mirë për të përfshirë në rezolutën për Shqipërinë të gjitha arritjet që Shqipëria mund të korrë deri në tetor. Përveç qasjes më aktive dhe inkurajimit të Komisionit Europian për reformat e integrimit në Shqipëri, një ndjeshmëri pozitive ndaj zhvillimeve të fundit në vend është shprehur hapur edhe në takimet që ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka zhvilluar me deputetë të Parlamentit Europian. Zëvendëskryetari i delegacionit për Ballkanin, Libor Roucek, i grupimit socialist-demokrat ve në pah progreset që janë arritur javët e fundit, duke u ndalur veçanërisht tek rëndësia e reformës zgjedhore. “Zhvillimet janë pozitive dhe mund të themi se janë bërë shumë progrese. Por ne jemi ndalur gjerësisht tek reforma zgjedhore. Jo lidhur me detajet e zgjedhjeve, pasi kjo nuk është detyra jonë. Por ajo që është e rëndësishme për ne dhe që u themi forcave politike në Shqipëri është që kodi zgjedhor dhe procedurat të jenë në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR-it. Pasi na pëlqen apo jo, Shqipëria nuk do të gjykohet për faktin se kush do fitojë apo kush do t’i humbë zgjedhjet e 2013-ës, por se sa do t’i plotësojë vendi standardet gjatë zgjedhjeve në 2013-ën”,- u shpreh Roucek. Eurodeputetja Doris Pack apo kryetari i delegacionit për Ballkanin, Eduard Kukan, i grupimit të djathtë në Parlamenti Europian ndajnë qëndrimin e komisionerit Fyle, se Shqipëria duhet të ecë përpara me të gjitha aksionet e nevojshme, në mënyrë që të ofrojë një masë të konsiderueshme rezultatesh konkrete, duke përfshirë edhe përfundimin e shpejtë të reformës elektorale dhe rishikimin e rregullores së Parlamentit Shqiptar. Edhe në takimin që ministrja Bregu ka pasur me raportuesin për Shqipërinë, Nikolaos Chountis, është vënë në pah vullneti i Parlamentit Europian për të përfshirë në rezolutën për Shqipërinë të gjitha arritjet që Shqipëria mund të korrë deri në tetor. Ndërkohë, takimi i Komisionerit Fule dhe ministres se Integrimit, Majlinda Bregu, është publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Europian. “Komisioneri Stefan Fule ka zhvilluar një takim me ministren e Integrimit, znj. Majlinda Bregu, për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri në lidhje me procesin e integrimit europian. Komisioneri Fule mirëpriti miratimin nga qeveria të Planit të Veprimit, të rishikuar për plotësimin e rekomandimeve të shprehura nga Komisioni në Opinionin për Shqipërinë. Plani i Veprimit është një bazë e mirë për realizimin e reformave kyçe që adresojnë prioritetet e Opinionit. Shqipëria duhet të shfrytëzojë plotësisht kapacitetet e veta, me qëllim që të çojë përpara reformat për sa i përket kriterit politik, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut”,- thuhet në njoftim. “Ministrja Bregu më siguroi që Shqipëria nuk do të humbë më kohë dhe do të çojë përpara masat e nevojshme për të shënuar progres të konsiderueshëm në të gjitha fushat. Këto arritje duhet të përfshijnë përmbylljen sa më të shpejtë të reformës zgjedhore dhe të rishikimit të Rregullores së Kuvendit, duke i hapur rrugën kështu progresit edhe në fusha të tjera. Më lejoni të nënvizoj rëndësinë që ka kontributi i të gjithë aktorëve në realizimin e reformave, vazhdimi i bashkëpunimit gjithëpërfshirës dhe konstruktiv, si dhe dialogu ndërmjet qeverisë dhe opozitës. Komisioni është i gatshëm të japë mbështetje dhe orientime për këto përpjekje të rëndësishme të Shqipërisë, të cilat bëhen edhe më të rëndësishme në këtë kohë kur i gjithë rajoni po ecën përpara”,- theksoi Komisioneri Fule gjatë takimit.

Comments are closed.