Në kuadër të paralajmërimit për të nisur një reformë të thellë në sistemin e ujit të pijshëm, kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me drejtues të Ndërmarrjes së Ujësjellësit në Fier.

Kreu i qeverisë the se “është shumë e rëndësishme, që të kemi më shumë komunikim në këtë muaj, pasi siç e kemi bërë të qartë në 1 shkurt përfundon ‘koha e paqes’ në kuptimin e mundësisë për çdo konsumator që përfiton nga lidhjet e paligjshme për t’u legalizuar falas dhe pa pasur më asnjë detyrim për ujësjellësit.

Rama paralajmëroi ndëshkim ligjor për këdo që konstatohet me lidhje të paligjshme të ujit të pijshëm.

“Fillon një proces ku pastaj çdo lidhje e paligjshme do të ndëshkohet sipas ligjit. Është shumë e rëndësishme që t’iu bëhet e qartë të gjithë punonjësve të shtetit, të gjithë atyre që paguhen nga taksat e popullit, qoftë edhe në nivelin qendror, qoftë edhe në nivelin vendor duhet të paraqesin faturën.

Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe me bizneset, por kryesorja në këtë rast është që bizneseve t’u bëhet e qartë që nuk do të falen dhe do të kenë sanksione shumë të renda për vjedhjen e ujit”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi se janë bizneset që bëjnë dëmet më të madha.

“Biznese që deklarojnë që furnizohen me pus dhe në fakt janë të lidhur në mënyrë të paligjshme rrjetin e ujësjellësit.

Turp më të madh nuk ka. Është krim dhe si çdo krim duhet ndëshkuar” nënvizoi kreu i qeverisë gjatë takimit në Fier. /k.k/noa.al/