Berat, Luan Mara ridënohet me burgim të përjetshëm

I akuzuari për masakrën e Kozarës, Luan Mara është dënuar sërish me burgim të përjetshëm. Një vit pas vendimit të Gjykatës së Lartë për anulimin e vendimit për mungesë provash, Gjykata e Beratit dha vendimin sot për burgim të përjetshëm. Luan Mara akuzohet se ka vrarë vëllain e tij Shpëtim Mara, gruan shtatzënë dhe djalin 2-vjeçar, të cilët u gjetën pa jetë në banesën e tyre më 10 shkurt të vitit 2006, në fshatin Kozarë. Sipas provave të paraqitura nga akuza në gjyq, krimi i cili tronditi opinionin publik ndodhi një ditë pasi viktimat kishin qenë për vizitë në banesën e autorit, për të sqaruar një konflikt. Baza e këtij konflikti ishin dyshimet e Shpëtim Marës për një marrëdhënie intime mes të vëllait dhe gruas së tij, gjatë kohës që viktima ishte emigrant në Greqi.