Berisha: Askush s’duhet të mërzitet, nëse e ka bërë veten kooperativist për të marrë prona

Kryeministri Berisha iu përgjigj akuzave të fundit të kreut të shtetit për moszgjidhjen e çështjes së pronës, duke deklaruar se kthimi i pronës është problem madhor edhe për vendet më të zhvilluara të botës që nuk zgjidhet me shkop magjik, as me urrejtje, por me alternativa. Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha theksoi se çdokush që ka krijuar kooperativë bujqësore në mes të Tiranës për të përfituar prona si kooperativist nuk duhet të irritohet nga aktet administrative që ndërmerr qeveria.Ai shtoi se qeveria do të vazhdojë me vendosmëri të çojë përpara zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe t’u japë përgjigje problemeve të krijuara dhe të trashëguara. “Ndaj dhe ky ligj, reformon qëndrimin dhe e sjell atë tek tregu dhe vlerat e veta. Ndonjëri që mërzitet nga aktet që lëshohen për pronën i them se janë lëshuar e do lëshohen dhe askush s`duhet të mërzitet. Nëse e ka bërë veten kooperativist për të marrë prona, ka bërë një gabim fatal ai që ka mashtruar për një gjë të tillë. Del ti e na krijon kooperativë bujqësore në qendër të Tiranës, e pamundur. Kooperativë bujqësore në qendër të Tiranës nuk ka pasur kurrë. Askush nuk duhet të irritohet pse qeveria ndërmerr aktet administrative, pse qeveria është e përqendruar në zgjidhjen e këtij problemi. Në këtë fushë po lëvizet me vendosmëri të madhe, më shpejt dhe më fuqishëm se në asnjë fushë tjetër, por kjo është një fushë e komplikuar”, u shpreh kryeministri. Po ashtu kreu i qeverisë informoi se po bëhet regjistrimi dixhital për tokat. “Ky ligj u jep një përgjigje të shkëlqyer disa problemeve të mbetura nga vitet e mëparshme. Ligji i tretë, sërish për pronësimin. Reforma e pronësisë është reforma themelore e sistemit për disa shtesa e ndryshime në ligjin”, nënvizoi ai.

Çmimet e ilaçeve kanë pësuar ulje

Kryeministri Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë ka folur edhe çmimet e ilaçeve, ku theksoi se qëllimi më madhor i kësaj reforme është liria e konkurrencës së ndershme të tregut. Sipas tij, çmimet duhet të jenë të harmonizuar nga tregu dhe jo nga spekulimi.“Është një listë e gjatë medikamentesh që kanë pësuar rënie. Ndërhyrja jonë përbën një lehtësi të madhe për buxhetin e familjarëve të të sëmurëve. Kjo përpjekje do të vazhdohet jo për të diktuar çmim por për t’i harmonizuar ato ndershmërisht me vlerat e tregut dhe për të goditur çdo spekulim. Duhet të bëjmë gjithçka, aty ku ekziston mundësia të mund të blejmë me çmime të harmonizuar me tregun, dhe të përpiqemi”, u shpreh kreu i qeverisë.

 

Comments are closed.